Konjufca thotë se në Kosovë ka nevojë për zgjedhje të reja
Shefi i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, ka thënë se populli i Kosovës ka nevojë edhe për një palë zgjedhje.
Sipas tij, temat që e presin Kosovën në të ardhmen e duan një qeveri më kredibile.
“Ne do të mundohemi që në tryezën e partive të premten ta rikthejmë temën e zgjedhjeve. Shumë faktorë i japin shtysë nevojës së popullit të Kosovës për një palë zgjedhje tjera. Kosova ndodhet në një situatë mjaftë problematike politike edhe në arenën e jashtme dhe me disa procese që e presin Kosovën gjë që nevojitet një konsensus politik për këto që na presin, ky konsensus parashikojë se nuk do të mund të krijohet. Të mos përmenden edhe skandalet e qeverisjes”, ka thënë Konjufca në “Klan Kosova”.
Ai ka treguar edhe pse Vetëvendosje po e organizon tryezën e partive, përkundër se e kundërshton formatin e saj.
“Po të mos e organizonim tryezën politike do të dukej shumë arrogante nga ana e Vetëvendosjes. Për këtë arsye është dashur ta mbajmë. Por, në fillim kam thënë se nuk kam shumë shpresë. Kam shprehur pesimizmin tim lidhur me këto tryeza dhe çka mund të mbërrijnë ato. Por, nuk besoj se përmes tryezave mund t’i japësh fund një qeverie. Në bisedë me Avdullah Hotin ma kishte shpjeguar se ideja është e vlefshme nëse partitë do t’i përmbaheshin temës për zgjedhje. Por, që në fillim ndodhi ajo që tashmë unë e prisja; barrikadimit në qëndrimet e tyre të mazhorancës dhe opozita që është kritike ndaj pushtetit”, ka deklaruar Konjufca.