Konjufca thotë se përplasja në VV nisi kur Kurti i hyri në terren Molliqajt
Deputeti i Vetëvendosjes, Glauk Konjufca, ka thënë se përplasjet në këtë parti mes tash kryetarit Albin Kurti dhe ish-sekretarit organizativ Dardan Molliqaj nisën kur Kurti nisi të merrej me organizim të partisë.
Në “Rubikon” të “KTV”-së, Konjufca ka bërë të ditur se kishte dëgjuar nga Molliqaj për herë të parë se ka mospajtime me Kurtin në vitin 2015. Ndërsa për kritikën e Kurtit ndaj Molliqajt, Konjufca thotë se e ka dëgjuar për herë të parë në tetor të vitit 2016.
“Kurti viteve të fundit nisi të merrej me teorinë e organizimit, siç e quan ai. Edhe unë e kam krijuar profilin tim duke u marrë me politika dhe jo me organizata. Kurse Dardani ka qenë gjithmonë dhe e ka krijuar profilin në VV si njeri që merret me struktura. Tash Albini i ka hy në terren. Në një moment Albini e ka shkruar edhe një tekst se si ai mendon që duhej të ishte e organizuar Vetëvendosje. Teksti ka qenë gjatë vitit 2014, por në vitin 2015 mua më ka thënë Molliqaj për herë të parë që ka disa dallime konceptuale”, ka thënë Konjufca.