Konjufca thotë se raportet e Kosovës me Selinë e Shenjtë kanë qenë gjithmonë miqësore
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka pritur të premten në takim delegatin Apostolik të Vatikanit, Imzot Jean Marie Speich.
Në takim Konjufca ka shprehur vlerësimin e tij për avancimin e marrëdhënieve mes Vatikanit dhe Kosovës, tashmë edhe me themelimin zyrtar të Misionit të Veçantë të Republikës së Kosovës në Selinë e Shenjtë.
Konjufca shprehu bindjen se raportet e Kosovës me Selinë e Shenjtë kanë qenë gjithmonë miqësore dhe ato duhet të shkojnë drejt njohjes reciproke si shtete.
Po ashtu, kryekuvendari shprehu falënderimin dhe mirënjohjen e tij për Papa Françeskun II për mbështetjen e tij ndaj komunitetit katolik në veçanti, por edhe mbarë popullit të Kosovës në përgjithësi.
Të dyja palët shprehën konsideratën mbi kulturën e veçantë të tolerancës dhe vëllazërisë që ekziston tek shqiptarët e të gjitha besimeve fetare.
Konjufca ka theksuar gatishmërinë e Kuvendit të Kosovës për të miratuar plotësimet dhe ndryshimet në Ligjin për Liritë Fetare, të cilat tashmë janë përgatitur, por votimi i tyre është bllokuar nga bojkoti i deputetëve të Listës Srpska në Kuvendin e Kosovës.