Konjufca thotë se sa të ketë shqiptarë do ta nderojmë veprën e Zahir Pajazitit me shokë
Kryeparlamentari Glauk Konjufca, bashkë me shumë deputetë të Kuvendit kanë bërë homazhe pranë shtatores së heroit Zahir Pajaziti në 23-vjetorin e rënies së tij dhe dy bashkëluftëravëe, Hakif Zejnullahu dhe Edmond Hoxha.
Ai ka thënë fjalët më të mira për heronjtë e popullit, derisa ka shtuar se sa të ketë shqiptarë nuk do të harrohet vepra e tyre.
“Jemi mbledhur këtu së bashku edhe me deputetët e Kuvendit të Kosovës për t’i bërë homazhe heroit tonë të popullit Zahir Pajaziti i cili ra së bashku me Hakif Zejnullahun dhe Edmond Hoxhën”.
“Kur okupatori fillon të frikësohet dhe të ndjehet i pasigurt ky është akti i parë i çlirimit të një populli. Pas veprimtarisë, heroizmit dhe rënies të Zahir Pajazitit me shokë ishin me mijëra djem dhe vajza të Kosovës të cilët ishin të mbushur me plot vullnet dhe gatishmëri për aksion dhe luftën tonë çlirimtare”.
“Kjo është garancia kryesore për çlirimin e një populli. Sa të ketë komb shqiptar dhe shqiptarë do ta kujtojmë dhe nderojmë gjithmonë veprën e lavdishme të Zahir Pajazitit dhe të çetës së Llapit”, ka thënë Konjufca.
Por, Konjufca nuk ka dashur të bëjë asnjë deklaratë politike duke thënë se “nuk është vendi i duhur për të bërë deklarata politike, sepse kemi dalë për një qëllim krejtësisht tjetër”.