Konjufca uron Gashin: Mezi pres të punojmë për interesat tona të përbashkëta
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, Afrim Gashin për zgjedhjen e tij si kryetar i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut.
“Do të jetë shumë kënaqësi të punojmë së bashku, për të thelluar bashkëpunimin mes vendeve tona, përfshirë atë të institucioneve tona parlamentare”, ka shkruar Konjufca në “Facebok”.
Konjufca ka thënë se mezi pret të punojë me Gashin “për të çuar përpara sa më shumë interesat tona të përbashkëta”.
“Për të kontribuuar bashkërisht drejt stabilitetit të qëndrueshëm rajonal dhe synimeve euroatlantike. Pres që marrëdhëniet mes institucioneve tona të konsolidohen edhe më tutje”, ka shkruar Konjufca.
Ai ndër të tjera ka uruar që ligjet, praktikat dhe kultura demokratike të e sjellin Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut “edhe më afër si vizion për një të ardhme sa më premtuese”, ka shtuar ai.
“Shqiptarët janë jo vetëm shenjë demografie, por edhe demokracie në politikën e Maqedonisë së Veriut, prandaj aksi mes lirisë dhe barazisë së qytetarëve u respektua sot me zgjedhjen e z. Gashi si kryeparlamentar, duke lënë pritshmërinë e vijimit në frymën gjithëpërfshirëse”, ka shkruar Konjufca.
Afrim Gashi, njëri nga liderët e koalicionit VLEN është zgjedhur të martën kryetar i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut. Ai është zgjedhur në këtë pozitë në seancën konstituive me 76 vota për, 6 kundër dhe asnjë abstenim.
Emërimi i ish-kreut të Alternativës në këtë pozitë vjen pas marrëveshjes politike ndërmjet VLEN-it dhe VMRO-DPMNE-së.