Konjufca uron Spiropalin: Republikat tona natyrshëm janë pranë njëra-tjetrës në çdo rrethanë e në secilën fushë
Kryetari i Kuvendi të Kosovës, Glauk Konjufca, e ka uruar homologen e tij të re në Shqipëri, Elisa Spiropali, për drejtimin e parlamentit shqiptar.
Në një postim në Facebook, ai ka thënë se mezi pret që të nisin punën e përbashkët për të vijuar dhe thelluar edhe më tej bashkëpunimin mes kuvendeve, duke i shërbyer interesit të përbashkët të shteteve, të qytetarëve dhe popullit shqiptar.
“Republika e Kosovës dhe Republika e Shqipërisë natyrshëm janë pranë njëra-tjetrës në çdo rrethanë e në secilën fushë, duke përfshirë edhe atë politike. Është detyra jonë si politikanë dhe krerë institucionesh që ta vijojmë punën tonë dhe të institucioneve tona në nivel të kësaj natyrshmërie”.
“Jam i bindur se në këto parime do ta kemi të drejtuar bashkëpunimin tonë me znj. Spiropali, si krerë të institucioneve legjislative dhe të gjithë punën që ndërlidhet me këto institucione. Punë të mbarë e suksese sa më të mëdha për znj. Elisa Spiropali në këtë detyrë të re e të rëndësishme në krye të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë!”, ka thënë Konjufca.