Konjufca: Vendimi im për kthimin e ambasadorëve politikë ka qenë i drejtë dhe i ligjshëm

01 korrik 2020 | 17:52

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës ka pezulluar vendimin për kthim të disa diplomatëve, të nënshkruara nga ish-qeveria e shkarkuar. “Nuk bëhet fjalë për anulim, por për pezullim të përkohshëm të vendimeve për kthim të disa diplomatëve, të nënshkruara nga ish-qeveria e shkarkuar”, thuhet në njoftimin e MPJD-së.

Sipas kësaj ministrie, vendimi për pezullim nuk i përfshinë konsujt dhe as ambasadorët. “MPJD njofton opinionin se këto vendime do të shqyrtohen veç e veç brenda afatit shtatëditor, dhe se vendimi përfundimtar do të merret pa asnjë paragjykim lidhur me vendimet e mëparshme apo pezullimin aktual të tyre”, është bërë me dije në njoftimin e kësaj ministrie.

Ndaj këtij vendimi ka reaguar ish-ministri i Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca.

Ai ka thënë se vendimi i së mërkurës së qeverisë Hoti, anulimi i vendimit për kthimin e konsujve të paligjshëm, tregon për orientimin thellësisht të gabueshëm politik të LDK-së. “Ky është koncesion kapital me shkelësit e ligjit dhe krimin e organizuar. Kosova ka vuajtur 20 vite nga bandat e zhvatjes së institucioneve shtetërore, të cilët edhe misionet tona diplomatike dhe shërbimin tonë të jashtëm e kanë kthyer në shitblerje kriminale të pozitave publike”, ka shkruar Konjufca në llogarinë e vet në “Facebook”.

Ai ka shtuar se edhe vendimi i tij në atë kohë sa ishte ministër për kthimin e ambasadorëve politikë të cilët kanë hyrë në mandatin e dytë, ka qenë i drejtë, i ligjshëm dhe i domosdoshëm. “Masa e të ngarkuarve politikë në misionet tona diplomatike ka shkuar në nivelin mbi 70 për qind. Ligji thotë që duhet të jenë në 50 për qind. Vendimi i sotshëm i qeverisë Hoti është argumenti më i mirë i mashtrimit të paskrupullt të elektoratit nga LDK-ja, duke ua premtuar në zgjedhje qytetarëve luftimin e krimit, por në të vertet duke ua sjellur koalicionin e zhvatjes.  Avdullah Hoti e ka bërë këtë veprim për shkak se është i shantazhueshëm nga PDK-ja, AAK-ja e Nisma. Ai e di se pa këto kompromise me ta nuk mund të jetë kryeministër. Ama kjo tregon se qëllimi i tij suprem nuk është ndryshimi që popullit i duhet, por përmbushja e ambicies së vet personale në kompromis me keqpërdoruesit tradicionalë të buxhetit të shtetit tonë. E ndytë dhe e pafalshme”, ka thënë Konjufca.

Ai ka thënë se zgjedhjet e reja demokratike do të vijnë shumë shpejt, sepse, sipas tij, qytetarët nuk do ta tolerojnë gjatë këtë mashtrim. “Prandaj këto vendime kriminale të qeverisë Hoti do të ndërpriten sapo të  mbahen zgjedhjet që janë afër”, ka deklaruar ish-ministri Konjufca.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
02.07.2020 Punime të domosdoshme për sigurinë e  sistemit Prizren 1.…