Konjufca: Vështirësitë e Kosovës me ShBA-në s’janë risi, mospajtime kemi pasur edhe më herët
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, nuk është shprehur i shqetësuar për raportet në mes të Kosovës dhe ShBA-së.
Ai ka bërë me dije se këto vështirësitë e fundit në raportet në mes të dy vendeve nuk janë risi.
Konjufca ka thënë se edhe më herët të dy vende kanë pasur çështje ku nuk janë pajtuar.
“Unë mendoj që këto vështirësitë e Kosovës ndonjëherë me ShBA-në nuk janë risi. Domethënë kemi pasur gjatë veprimtarisë sonë politike edhe disa shpërputhje, gjithsesi se si e perceptojnë atë që është e domosdoshme për Kosovën që të ecet përpara pra në cilën drejtim të ecet përpara”, ka thënë Konjufca, raporton “EO”.
Sipas tij, shqetësimet e aleatëve kanë të bëjnë me frikën e tensionimit të situatës.
“Kjo që e ka marr pra Qeveria e Kosovës strategjinë, është një strategji e sovranitetit të Kosovës, kurse ShBA-të këtë proces e shohin shumë më shumë prej perspektives së sigurisë, domethënë ata frikësohen se Serbia mund të kundër reagojë dhe kjo e qet situatën prej kontrollit. Ky është perceptimi i ShBA-së kështu ka qenë gjithmonë”, është shprehur Konjufca.
Kryeparlamenatri Konjufca ka thënë se i mirëkupton shqetësimet e ShBA-së.
“I mirëkuptojmë kritikat e ShBA-së. Vërejtjet e tyre nuk kanë lidhje me legalitetin e veprimet tona, por kërkojnë më shumë përgatitje, që të mos ketë tensione”, është shprehur Konjufca.