Konjufca vlerëson lart mbështetjen e Danimarkës për Kosovën

13 prill 2023 | 16:52

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, i shoqëruar nga ambasadori jorezident i Republikës së Kosovës në Mbretërinë e Danimarkës, Faruk Ajeti, ka pritur në takim ministrin e Drejtësisë të Danimarkës, Peter Hummelgaard dhe Komisionin për Legjislacion të Parlamentit danez.

Kryetari Konjufca ka shprehur mirënjohjen e thellë për mbështetjen sistematike të Danimarkës për Kosovën dhe vullnetin për të konkretizuar tutje bashkëpunimin ndërmjet dy parlamenteve.

I pari i Kuvendit ka potencuar arritjet e Kosovës në shumë fusha. Duke përmendur hapat e ndërmarrë për të bërë Kosovën pjesë të familjes së madhe evropiane, kryetari Konjufca ka specifikuar se mbështetja e shteteve si Danimarka është shumë e rëndësishme në këtë rrugëtim.

Nënshkrimin e marrëveshjes ndërkombëtare  në mes të Kosovës dhe Danimarkës, kryetari Konjufca e ka konsideruar hap shumë të rëndësishëm, e cila siç ka thënë intensifikon bashkëpunimin midis dy shteteve në fushën e drejtësisë, por edhe në fusha të tjera të interesit të përbashkët.

Kreu i Kuvendit ka thënë se ekziston vullnet i përgjithshëm për ta mbështetur këtë marrëveshje dhe për të filluar sa më parë implementimin e saj.

Arritja e kësaj marrëveshjeje të bashkëpunimit është vlerësuar mjaft e rëndësishme edhe nga përfaqësuesit e Parlamentit të Danimarkës dhe ministri danez i Drejtësisë, meqë, siç u tha në takim, një marrëveshje e tillë është hap konkret i vazhdimësisë së bashkëpunimit të mirëfilltë midis dy shteteve.

Ndër të tjera, anëtarë të delegacionit danez kanë theksuar se parlamenti i tyre do të shkëmbejë përvoja me Kuvendin e Republikës së Kosovës dhe do ta mbështes Kosovën në fushën e drejtësisë e në segmente të tjera, siç është procesi i integrimit euroatlantik.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Victor Osimhen mund të bëhet qendërsulmuesi i Bayern Munchen duke…