Konjufca vlerëson rolin e Berlinit zyrtar në konsolidimin e brendshëm institucional të Kosovës
Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, ka pritur të enjten në takim Susanne Schutz, drejtoreshë për Evropën Jug-Lindore, Turqi dhe shtetet anëtare të Asociacionit Evropian për Tregti të Lirë në Ministrinë e Jashtme Gjermane.
Schutz ka uruar kryetarin Konjufca për zgjedhjen e tij në krye të institucionit më të lartë legjislativ të vendit, duke i dëshiruar atij suksese në detyrën e re institucionale.
Në takim u diskutua për bashkëpunimin e shkëlqyer midis Kosovës dhe Gjermanisë në të gjitha fushat, si dhe për mundësitë e avancimit të mëtejmë të tij në të ardhmen.
Duke falenderuar diplomaten gjermane për mbështetjen e gjithanshme të Gjermanisë për Kosovën, kryeparlamentari Konjufca vlerësoi lart rolin e Berlinit zyrtar si në konsolidimin e brendshëm institucional e demokratik të shtetit të Kosovës, ashtu edhe në forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar të tij.
Gjatë takimit, Schutz shoqërohej nga ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Kristian Heldt.