Konjufca: Vota juaj e përgjegjshme ia dha një drejtim të ri politik atdheut tonë
Anëtari i Kryesisë së Lëvizjes Vetëvendosje, e deputeti me i votuari nga kjo parti, Glauk Konjufca, pas certifikimit të rezultatit përfundimtar nga KQZ’ja për zgjedhjet parlamentare të 14 shkurtit, ka falënderuar qytetarët për mbështetjen.
Konjufca, me anë të ‘Facebook’-ut, e ka parë si të domosdoshëm fitoren e Vetëvendosjes, teksa nuk ka kursyer akuzat për koalicionin qeverisës së legjislaturës së shtatë LDK-AAK-Nisma Socialdemokrate.
“Kjo luftë për pushtet shkoi aq larg sa që shtetit tonë ia dha njollën më të pamendueshme të turpit: një qeveri të paligjshme për herë të parë në historinë e Kosovës”, shkroi Konjufca.
Konjufca në këto zgjedhje të jashtëzakonshme ka marr mbi 200 mijë vota.
Subjekti politik të cilin e përfaqëson ai ka arritur t’i marrë 50.2 për qind të votave në zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare të 14 shkurtit.
Postimi i plotë:
Qytetarë të dashur,
Ne e lamë pas një vit të vështirë. Bota u pllakos nga një pandemi e pazakontë. Jetët tona ndryshuan rrënjësisht. Ekonomia në çdo cep të globit u godit rëndë.
Në të njëjtën kohë, përkundër kësaj fatkeqësie, qytetarët tanë ishin plot shpresë për shkak se më 3 shkurt 2020 u zgjedh një qeveri e shumëpritur. Ama qe veprim fort i paskrupullt rrëzimi i qeverisë Kurti mu në mes të pandemisë, veç 50 ditë pasi e filloi punën e mirë. Ishte rast i pashembullt kur lufta për pushtet kalon çdo kufi e imagjinatë dhe nuk e ka as respektin minimal njerëzor për shëndetin publik.
Kjo luftë për pushtet shkoi aq larg sa që shtetit tonë ia dha njollën më të pamendueshme të turpit: një qeveri të paligjshme për herë të parë në historinë e Kosovës.
Prandaj ky rezultat zgjedhor i përmasave të referendumit dhe kjo fitore plebishitare e popullit për ndryshim, ishin të domosdoshme.
I falënderoj nga zemra dhe me respekt të thellë të gjithë qytetarët e vendit tim për sjelljen e lartë demokratike dhe ndryshimin e madh që e sollën përmes zgjedhjeve të lira. Vota juaj e përgjegjshme ia dha një drejtim të ri politik e fort të nevojshëm atdheut tonë.
Na priftë e mbara.