
Konkurrenca ShBA-Kinë në sektorin e prodhimit të anijeve ushtarake dhe komerciale
Kur presidenti Donald Trump njoftoi të martën se kishte krijuar një zyrë të re në Shtëpinë e Bardhë për të “ringjallur” ndërtimin e anijeve ushtarake dhe tregtare amerikane, ai ktheu vëmendjen tek thirrjet e bëra për një kohë të gjatë për forcimin e kësaj industrie në vështirësi, që ai tha se është jetike për sigurinë kombëtare. Thirrja e tij e qartë për të ndërtuar më shumë anije “shumë shpejt” vjen në një kohë të konkurrencës strategjike në rritje me Kinën.
“Industria jonë e ndërtimit të anijeve është tkurrur në minimum tani”, tha për Zërin e Amerikës komandanti i Korpusit të Marinës, gjenerali Eric Smith në një intervistë ekskluzive në Pentagon në fund të vitit të kaluar.
Gjendja e vështirë e industrisë amerikane të ndërtimit dhe mirëmbajtjes së anijeve dhe rreziqet që kjo ngre për ushtrinë, u ndanë me Zërin e Amerikës në dhjetëra intervista me zyrtarë ushtarakë dhe të industrisë amerikane disa muaj përpara njoftimit të Presidentit Trump.
Marina e Shteteve të Bashuara konsiderohet ende si më e fuqishmja në botë, por numri i anijeve të marinës ka rënë krahasuar me ato të Kinës. Shtetet e Bashkuara kanë 296 anije në flotën e tyre, ndërsa Kina këtë vit pritet të ketë më shumë se 400 anije.

Flota në tkurrje
Pavarësisht nga qëllimi i marinës amerikane për të rritur madhësinë e flotës, vitet e fundit numri i anijeve të saj është pakësuar. Buxheti i vitit të kaluar financoi ndërtimin e vetëm gjashtë anijeve të reja për marinën amerikane, ndërsa nxori nga përdorimi 15 anije, duke pakësuar me nëntë numrin e përgjithshëm të tyre. Në buxhetin për vitin 2025 parashikohet ndërtimi i gjashtë anije të reja dhe nxjerrja nga përdorimi i 19 anijeve ekzistuese, duke e pakësuar me 13 numrin e anijeve të flotës së marinës amerikane.
Titanët e industrisë detare si kompania ‘BAE’ me seli në Britani, ‘Huntington Ingalls Industries’ (HII) me bazë në SHBA dhe ‘Fairbanks Morse Defense’ varen pothuajse ekskluzivisht nga porositë e ushtrisë amerikane. Drejtuesit e industrisë thonë se i kanë mundësitë për të ndërtuar dhe riparuar më shumë anije, por kontratat e marinës kanë qenë të pakta.
“Ne po punojmë me kapacitet të përgjysmuar”, thotë Brad Moyer, nënpresident i departamentit të riparimit të anijeve në kompaninë ‘BAE’. Ndonëse ‘BAE’ është një nga kompanitë më të mëdha të riparimit të anijeve në Shtetet e Bashkuara, kur Zëri i Amerikës vizitoi portin e saj në Norfolk të Virxhinias në nëntor, shumica e vendeve të ankorimit ishin të zbrazëta.
Kërkesat për ndërtimin e anijeve luhaten shumë bazuar në planet dhe buxhetin e marinës amerikane, duke krijuar momente të rritjes së aktiviteti dhe tkurrjes në zinxhirin e furnizimit.

“Mijëra e mijëra furnizues materialesh në këtë industri janë detyruar të mbyllen dhe ky është një rrezik real”, tha për Zërin e Amerikës George Whittier, President i kompanisë ‘Fairbanks Morse Defense’. Kompania është prodhuesi më i madh i motorëve në Amerikën Veriore dhe Jugore. Ajo është kompania e vetme që ofron motorë të mëdhenj që përdoren në anijet luftarake amfibe të ushtrisë. Çdo motor ka përmasat e një autobusi të vogël.
“Ne duhet të kemi dy furnizues motorësh. Por duke marrë parasysh se marina ndërton vetëm gjashtë anije në vit, është e vështirë madje të mbahet një furnizues motorësh. Duhet të gjejmë një mënyrë për dalë nga kjo situatë”, thotë zoti Whittier.

Ai nuk është i vetëm. Zëri i Amerikës gjeti shembuj të shumtë të kompanive që ishin furnizuesit e vetëm të pjesëve specifike të anijeve. Ushtria amerikane dhe udhëheqës të tjerë të industrisë thonë se janë të shqetësuar se mund të mos kenë më pjesë këmbimi, nëse më shumë biznese mbyllen. Furnizuesit që kanë mbijetuar thonë se kur biznesi nuk është i qëndrueshëm, duhet më shumë kohë për të siguruar pjesët dhe kostoja e materialeve është më e madhe.
Ndërsa mbron nevojën për një flotë më të madhe, Zëvendës Shefi i Operacioneve Detare në detyrë, Admirali Jim Kilby thotë se ai nuk ka pasur buxhet të mjaftueshëm për të zëvendësuar të gjitha anijet dhe nëndetëset e vjetruara.
“Kur marrim fonde për ndërtimin e një anijeje të re, ne zakonisht zëvendësojmë një anije të vjetër, sepse mirëmbajtja e anijeve të vjetra është më e shtrenjtë dhe më e vështirë”, tha ai në një intervistë të fundit.

Vonesat e mirëmbajtjes, pushimet nga puna
Vonesat dhe anulimi i projekteve kanë çuar në pushime nga puna. Ndonëse ‘BAE’ është një nga kompanitë më të mëdha në industri, kantieri i saj në perëndim të Shteteve të Bashkuara pushoi nga puna afro 300 punonjës në vitin 2023 për shkak të mungesës së punës.
Në qytetin e Norfolkut, në lindje të Amerikës, numri i anijeve të marinës në dispozicion për punë riparimi ra nga 44 anije rreth një dekadë më parë në më pak se 30 sot. Rreth 60% e fuqisë punëtore u pushua nga puna në atë kohë, thanë zyrtarët.
Rezultati, thotë gjenerali Smith, është një fuqi punëtore e vogël, që nuk është e përqendruar në ndërtimin e anijeve.
“Askush nuk është rritur si ndërtues anijesh. Ka saldatorë, hidraulikë, dhe elektricistë, por nëse nuk ka punë të qëndrueshme, ata shkojnë të punojnë për kompani të tjera si Harley-Davidson, Ford apo Chevy”, thotë ai.
Whittier dhe Moyer fajësojnë procesin e planifikimit dhe miratimit të buxhetit në Kongres, së bashku me mënyrën se si marina strukturon mirëmbajtjen e anijeve të saj.
“Sistemi është i prishur”, thotë Whittier.
Kongresi nuk ka miratuar një buxhet të rregullt dhe në kohë që nga viti 2019.
Senatori Mark Kelly, anëtar i Komisionit të Senatit për Forcat e Armatosura, pajtohet se masat për vazhdimin e financimit të qeverisë në nivel të njëjtë me vitin paraprak janë të këqija, duke shtuar se e vetmja gjë më e keqe do të ishte mbyllja e qeverisë.
“Njerëzit gjithmonë do të përpiqen të fajësojnë dikë tjetër, por unë do të thoja se ky është një faj kolektiv, ne nuk jemi përqëndruar sa duhet në këtë çështje”, shtoi ai.

Vështirësitë e industrisë së ndërtimit të anijeve
Ekziston gjithashtu një mungesë e punëtorëve të kualifikuar, të cilët nevojiten për të mbajtur në këmbë industrinë e ndërtimit të anijeve.
Kantieri detar i kompanisë ‘Huntington Ingalls Industries’ në Pascagoula të Misisipit, përgjatë bregut të Gjirit të Amerikës, është i vetmi kantier në Shtetet e Bashkuara që ndërton dy llojet e anijeve të luftës amfibe të Marinës: Anijet sulmuese me helikopterë në bord, që duken si mini-aeroplanmbajtëse të vogla dhe ato transportuese PDL.
Kompania ‘Huntington Ingalls Industries’ ndërton gjithashtu anije luftarake për marinën amerikane dhe anije patrullimi për Rrojen Bregdetare.
Kari Wilkinson, nënpresidente ekzekutive në kompaninë ‘Huntington Ingalls Industries’, thotë se mbajtja e rreth 11,000 punëtorëve të nevojshëm për ndërtimin e anijeve luftarake po bëhet më e vështirë, veçanërisht në ekonominë pas pandemisë.
Vetëm pak vite më parë, kantieri detar ishte në gjendje të ofronte paga shumë më të larta se punët e tjera në këtë zonë, për të cilat nuk është e nevojshme një diplomë universiteti. Tani, zonja Wilkinson thotë se kompania po konkurron me të gjithë, përfshirë restorantet.
“Situata me pagat ka ndryshuar. Nuk ka më atë hendek të madh”, tha ajo për Zërin e Amerikës.
Si rezultat, zonja Wilkinson thotë se kompania ‘Huntington Ingalls Industries’ tani humbet punëtorë me një ritëm afërsisht dy herë më të lartë se para pandemisë.
Për të kursyer para në materiale, Kongresi miratoi fonde për ushtrinë për të blerë katër anije amfibe nga kompania ‘Huntington Ingalls Industries’ menjëherë. Kjo i kurseu Pentagonit 900 milionë dollarë.
“Kjo ishte një fitore e madhe për ne”, thotë gjenerali Smith.
Kompania ‘Huntington Ingalls Industries’ duhet të gjejë tani mënyra për mbajtjen e fuqisë punëtore.
Kantieri i anijeve në Pascagoula punësoi 7,000 njerëz në dy vitet e fundit, thotë zonja Wilkinson, por do t’i duhen rreth 1,000-2,000 punonjës të tjerë çdo vit për të përfunduar porositë e reja të anijeve.
“Ne duhet të gjejmë mënyra për t’u paguar njerëzve paga konkurruese që janë në përputhje me llojin e punës që ata bëjnë”, tha senatori Mark Kelly për Zërin e Amerikës.
Industria e prodhimit të anijeve komerciale
Kongresi pritet të rrisë buxhetin e ushtrisë për të eliminuar mangësitë e saj në ndërtimin e anijeve.
Por, senatori Kelly tha për Zërin e Amerikës se edhe industria amerikane e prodhimit të anijeve komerciale duhet të shpëtohet.
“Nga 10,000 anije që kishim gjatë Luftës së Dytë Botërore kemi rënë në 85 sot. Pra, në rast emergjence, në rast të një konflikti me një armik të afërt, ne jemi mjaft të kufizuar në marrjen e të gjitha mesave për dërgimin e furnizimeve, pajisjeve dhe trupave përtej oqeanit,” tha ai.

Shtetet e Bashkuara ndërtojnë rreth pesë anije tregtare në vit. Kina ndërton më shumë se 1000.
“Ata kanë një kantier detar, vetëm një kantier detar, që është më i madh se të gjitha kantieret tona detare së bashku”, tha për Zërin e Amerikës senatori demokrat.
Zoti Kelly në dhjetor prezantoi projektligjin dypartiak të quajtur Akti i anijeve për Amerikën. Projektligji synon të rrisë flotën e anijeve komerciale të Shteteve të Bashkuara me 250 anije në 10 vjet, gjë që do të rriste gjithashtu zinxhirin e furnizimit për anijet ushtarake.
“Këto dy gjëra janë të lidhura ngushtë”, tha ai. “Shumë nga pjesët që përdoren për ndërtimin e një aeroplanmbajtëseje amerikane, përdoren edhe për ndërtimin e anijeve të mallrave.”
Projektligji kërkon stimuj tatimorë dhe tarifa për ngarkesat që hyjnë në vend, për të ndihmuar ndërtuesit e anijeve të rrisin kapacitetin e tyre.
Dispozitat e projektligjit janë “të paguara plotësisht” dhe nuk e rrisin deficitin vjetor, tha senatori Kelly. /VOA