Konspiracionet e vjetra, si gogol për një konfiguracion tjetër politik në Kosovës
Behxhet Sh. SHALA – BAJGORA
Ndershmëria e votimit dhe hajnia e numërimit: Procesi i votimit dhe organizimit të zgjedhjeve të 6 tetorit 2019 u zhvillua dhe përfundoi në përputhje me standardet demokratike që nënkupton se ky proces ishte i ndershëm për dallim të herëve të tjera. Te të gjitha zgjedhjet e mëparshme sikur edhe tani, procesi i votimit ishte vetëm pjesa e parë e lojës e që nuk ndikonte në rezultatin përfundimtar, për faktin se loja vazhdonte edhe në pjesën e dytë, sidomos gjatë numërimit të votave, ku edhe trukohen rezultatet. Aty vendoset se kush do të jetë pjesë e listës kualifikuese për Kuvend të Kosovës, pavarësisht nëse i ka fituar votat e mjaftueshme apo jo. Edhe kësaj radhe dolën se jo votuesit, por komisionarët e zgjedhjeve votojnë për deputetë dhe se vota e tyre është votë përcaktuese, vlen më shumë se votat e qindra e mijëra votuesve. Kjo luftë e komisionarëve thuaja është legale dhe është një mirëkuptim midis tyre pavarësisht cilës parti i takojnë. Partitë, përmes komisionarëve kujdesen t’i mbrojnë votat e tyre nga partitë e tjera, por nuk iu intereson se çka bëjnë komisionarët me votat e partisë që i takojnë. Është një hajni brenda llojit dhe është një marrëveshje “xhentëlmenësh” ku nuk kanë interesim për partitë e tjera në rast se nuk hyjnë në “terren të huaj”. Të gjithë që kanë njohuri, madje edhe elementare për zgjedhje, e kanë të qartë se komisionarët janë “bossa” dhe “votues” që vendosin, sipas urdhrit ekzekutiv të kryetarit apo ndonjë grupi të interesit se kush do të bëhet deputetë e kush nuk do të bëhet. Besoni se disa komisionarë manipulimin me vota, e që shqip përkthehet si hajni, e kanë ngritur në nivelin e perfeksionimit dhe bëjnë lëvizje sikur që magjistarët para publikut në ndonjë cirk, prandaj edhe prania e prokurorisë dhe policisë nuk është ndonjë kërcënim serioz për ta! Realisht, çdo parti ka komisionarë fanatikë që veprojnë sipas bindjes, por edhe sipas interesit material dhe për këtë marrin një rrezik duke u arrestuar dhe dënuar me burg. Është një përqindje e kalkuluar e komisionarëve që shërbejnë si “kokë turku” duke u sakrifikuar për partinë por që partia, në rastin e parë distancohet nga ata në mënyrë që të rekrutojë komisionarë të “ndershëm”, për zgjedhjet e radhës. Pavarësisht kësaj, e kemi një rezultat të zgjedhjeve të 6 tetorit 2019 që e nxjerrë fitues LV-në, të dytën LDK-në, PDK-ja është partia e tretë, kurse AAK-ja del të jetë e katërta. Nisma, e martuar në mënyrë jonormale me AKR-në dhe PD-në është duke bërë përpjekje ta kalojë pragun e që, nëse vazhdon ky trend, e ka të vështirë ta kalojë këtë prag. Po të shkonte Nisma e vetme në zgjedhje, jam i sigurt se do ta kalonte pragun pa asnjë problem. Kështu, duke u munduar ta shpëtojë një të mbytur në skenën politike kosovare – AKR-në dhe një tjetër të stërmbytur, PD-në, duket se do të fundosen, së bashku, si Romeo dhe Xhuljeta. Nuk mund ta paramendoj Kuvendin e Kosovës pa Bilall Sherifin, Valdeten dhe idolin tim kombëtar dhe politik, Zafir Berishën. Për Kosovën do të ishte një tragjedi kombëtare, politike dhe shtetërore nëse në këtë Kuvend mungojnë Behgjet Pacolli dhe Fatmir Matoshi. Merreni edhe 1 të PD-së dhe koalicioni bëhet pjesë e Kuvendit. LDK-ja e do Nismën në Kuvend për ta mbajtur si gogol ndaj LV-së, kurse LV-ja nuk do ta pranonte këtë koalicion (pjesë e PAN-it) sepse këto ishin zotime publike; nuk ka koalicion me PAN-in. Albin Kurti, si kryeministër i ardhshëm i Kosovës, në bazë të votave të fituara, edhe nëse koalicioni Nisma-AKR-PD nuk do të kalonte pragun, duke vlerësuar kontributin e jashtëzakonshëm të Behgjet Pacollit në planin njerëzor, kombëtar, politik dhe shtetëror dhe i cili, tërë jetën dhe tërë kapitalin (shumëfish më të madh se Hasan Prishtina dikur) e vuri në shërbim të interesave kombëtare, politike dhe për bashkim kombëtar, Pacollin do ta mbajë afër vetes qoftë si ministër për Punë të Jashtme ku ka treguar shkathtësi brilante sikur edhe do ta emërojë zëvendëskryeministër i parë sepse Begja kurrë nuk ka qenë i dyti. Pra, pavarësisht pragut, Behgjet Pacolli, si vlerë e shtuar kombëtare, politike dhe shtetërore, së bashku me Agim Bahtirin do të jenë krahë të Albin Kurtit dhe, Albini, pa ta, kurrë nuk do të ketë mundësi të fluturojë drejt majave.
Situata pas zgjedhjeve: Asnjëherë nuk kemi pasur një gjendje më të qartë pas zgjedhjeve; LDK-ja dhe LV-ja janë deklaruar për ta formuar një koalicion qeverisës, kurse AAK-ja dhe PDK-ja janë deklaruar se do të jenë një opozitë konstruktive. Ramush Haradinaj nuk i beson Albinit, madje e quan edhe mashtrues e që nënkupton se nuk mund të kenë koalicion. Kadri Veseli është treguar më i kujdesshëm ndaj Albinit, nuk e fyen, por as nuk pranon, siç thotë Kadri Veseli, nëse i shpëton “bisedës informative” me Sami Lushtakun, të bëhet pjesë e qeverisë. Nuk shoh asnjë pengesë nga ana e opozitës së ardhshme që do ta vononte zyrtarizimin e koalicionit qeverisës LV dhe LDK përveç deklaratave dhe kushtëzimeve të papeshuara të zyrtarëve partiakë të dy subjekteve politike që aspak nuk duhen, por se i bashkon interesi, më herët për ta dërguar PDK-në në opozitë e që e arritën e tash bëhet fjalë për puro interes pushteti. Jam i bindur se së paku 90 për qind të anëtarësisë së LDK-së, por edhe udhëheqjes politike, bashkëqeverisjen me LV, në krye me El Comadante – Albin Kurtin e marrin si një dënim, por se “zori” – pushteti është çelës për të gjitha arsyetimet. Si popull që jemi të prirë për konspiracion, që lindim dhe rritemi me këtë ndjenjë, kohët e fundit qarkullonte një përfolje se Nisma po hyn në Kuvend me qëllim që të bashkohet me PDK-në, AAK-në dhe serbët e Vuçiq Rakiqit dhe pakicat e tjera, për t’i lënë në opozitë LV-në dhe LDK-në. Pastaj, LDK-ja si e dëshiruar nga të gjithë dhe për shkak të brishtësisë së rezistencës, si parti “shtetndërtuese”, do t’u bashkohej partive të tjera dhe LV-ja do të ngelte në opozitë, kurse kryeministre do të ishte Vjosa Osmani e jo Albin Kurti apo, siç e quan kritiku i mirënjohur i filmit dhe artit në përmasa ndërkombëtare, Lutfi Haziri, “Mr. Beani”. Teoritikisht kjo matematikë është e mundshme, moralisht dhe njerëzisht do të ishte e neveritshme dhe do të duhej të kundërshtohej nga të gjithë, pavarësisht cilit subjekt politik i takojnë. Nuk besoj se Kadri Veseli dhe Ramush Haradinaj do të bëheshin pjesë e kësaj loje të ndyrë, në të kundërtën ky do të ishte fundi i karrierës së tyre politike dhe jo vetëm politike. Votuesi ka dhënë mendimin, vlerësimin dhe përkushtimin për një mënyrë tjetër të qeverisjes dhe kjo duhet të respektohet nga të gjithë, deri në një situatë tjetër.
Realisht, LV-ja dhe LDK-ja po e marrin qeverisjen në kohën më të keqe dhe më të vështirë për ta, kurse PDK-ja dhe AAK-ja, ndoshta edhe Nisma, po lirohen nga përgjegjësitë në kohën më të mirë për këto parti. Premtimet për ndryshime nga fituesit e zgjedhjeve janë shumë të mëdha sikur edhe pritjet e qytetarëve dhe të votuesve. Nëse koalicioni fitues punon mirë, duhet të përkrahet nga të gjithë dhe duhet të ndihmohet gjithashtu nga të gjithë. Është shumë më lehtë të rrënosh se të ndërtosh! Opozita duhet të jetë bashkëpunuese për të gjitha çështjet që përbëjnë interes shtetëror sikur që pozita duhet të jetë e kujdesshme me opozitën, në të kundërtën do ta kemi një situatë sikur në Shqipëri! Për herë të parë në Kosovë, pas përfundimit të luftës kemi një opozitë që deklarohet se me asnjë çmim nuk pranon të jetë pjesë e pushtetit. Kadri Veseli i pranoi rezultatet e zgjedhjeve ashtu edhe Ramush Haradinaj e që më parë ka qenë e paimagjinueshme. Ramush Haradinaj po tregohet i matur, kurse Kadri Veseli, nëse shpëton nga Sami Lushtaku, ka punë me reformimin e partisë. Po shpresoj se në çastin e fundit Samiu do t’i kthehet shkencës së historisë, ku si historian mund të kontribuojë shumë më tepër dhe se politikën do ta bëjë si rekreacion, diçka fakultative, për ruajtje të kondicionit intelektual.
Albin Kurti si kryeministër: Albini po sillet sikur kryeministër duke përdorur një fjalor tipik të një opozitari. Ende po deklarohet sikur gjatë fushatës zgjedhore. Albin Kurti po bëhet kryeministër sipas parimeve të Çerçillit; shumë punë, mund, djersë dhe gjak. Rrugën drejt zyrës së kryeministrit e ka kaluar duke u tërhequr zvarrë rrugëve nga policët e UNMIK-ut, EULESH-it, një pjesë të Policisë së Kosovës, me arreste shtëpiake dhe burgje të vazhdueshme, duke u keqtrajtuar me gaz lotsjellës, por edhe fizikisht sikur edhe duke u gjykuar dhe dënuar nga gjykatat ndërkombëtare dhe vendore. Hiç këtu kalvarin që e kaloi në burgjet e Serbisë së Millosheviqit, Sheshelit dhe Aleksandar Vuçiqit. LV-ja e shndërroi në aparat të përsosur ku butonin për vendimmarrje përfundimtare kishte të drejtë ta shtypte vetëm ai dhe askush tjetër. E ndërtoi një autoritetet që nuk sfidohej nga racionalistët, kurse kur aventurierët e sfiduan këtë autoritet, nuk fituan vota as për kuvende të lagjeve ku jetojnë e lëre më për Kuvend të Kosovës. Albin Kurti po jep intervista edhe kur flenë dhe u bë adresë e vizitave edhe të atyre që dikur e anatemonin dhe se nuk pranonin ta takonin kurrë. Tash po e testojnë Albinin se çfarë kursi do të mbajë për bisedime me Serbinë. Ndërkombëtarëve nuk iu intereson, në këto çaste, as lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe dukuritë e tjera negative me të cilat edhe vetë kanë bashkëjetuar dhe, në disa raste kanë kontribuar në trashjen dhe lulëzimin e këtyre aktiviteteve kriminale. Ndërkombëtarëve iu intereson vetëm vazhdimi i dialogut me Serbinë, heqja e taksës 100 për qind për mallrat nga Serbia dhe Bosnja sikur edhe gjetja e një zgjidhjeje kompromisi ku, edhe ndryshimi i kufijve do të mirëpritej nëse do të merreshin vesh Serbia dhe Kosova, ndërkaq që kjo marrëveshje do të imponohej dhe kushtëzohej me investime materiale si dhe procese integruese. BE-ja është një mashtruese shumë e madhe; e mashtroi Kosovën për demarkacion të kufirit me Malin e Zi me dhënien e vizave. Ende jemi në geto dhe të burgosur nga Evropa, ndonëse thanë se i kemi plotësuar të gjitha kushtet e parapara. Po të mos ishte taksa 100 për qind, sot do ta kishim një Kosovë ndryshe, me më pak territor dhe me një Zajdnicë të Serbisë në Kosovë. E mashtruan Shqipërinë se do të fillonin bisedimet për anëtarësim në BE nëse e bën vetingun në drejtësi. Tash po thonë se Shqipëria është vend i kanabisit në kohën kur vaji i kanabisit është legalizuar në disa shtete evropiane. Kolumbia e Pablo Eskobarit është vendi ku prodhohet më së shumti kokainë në botë, ka fituar liberalizimin e vizave dhe te shtetet e BE-së qëndron më mirë se Shqipëria. Maqedoninë e Veriut e mbajtën peng 9 vjet me radhë për shkak të emrit dhe kur arriti marrëveshjen me Greqinë për një emër pa identitet shtetëror apo emër që është zgjatje e emërtimit të Maqedonisë në Greqi, BE-ja ia tregoi bërrylin apo gishtin e mesëm. Serbia që nuk e bëri asnjë lëshim të vetëm përballë shteteve të BE-së dhe që mbeti destabilizuesja dhe kërcënuesja kryesore kundër paqes në Ballkan i fitoi të gjitha përfitimet e mundshme nga BE-ja.
Albin Kurti po mban qëndrim të fortë për bisedimet me Serbinë dhe në këtë drejtim duhet të përkrahet. Së paku, deri më tani po tregohet i palëkundur sa i përket integritetit territorial të Kosovës, shtrirjes së sovranitetit brenda këtij integriteti territorial, të trajtohet dhe respektohet si palë e barabartë në këto bisedime dhe se nuk është me rëndësi shpejtësia e arritjes së marrëveshjes sa është përcaktuese përmbajtja e kësaj marrëveshje. Është qëndrim i drejtë dhe rikthim i një dinjiteti të humbur dhe të nëpërkëmbur. Ka marrë një qëndrim të duhur përballë Listës Serbe e cila tani po deklaron se nuk mund Albin Kurti ta shkelë Kushtetutën e Kosovës që iu garanton të drejta LS-së, në ndërkohë që vetë kjo listë shoviniste kurrë nuk e ka respektuar Kushtetutën e Kosovës e as Kosovën si shtet, ndërkaq që Aleksandar Vuçiqin e konsiderojnë president të tyre. Kjo ndarje dhe përballje është lehtësisht e kalueshme; mjafton që Lista Serbe ta respektojë Kushtetutën e Kosovës dhe të sillet në përputhje me ligjet e vendit dhe Albin Kurti, si përfaqësues dhe mbrojtës i Kushtetutës së Kosovës, i normalizon raportet me LS-në, në përputhje me detyrimet që i ka si kryeministër i të gjithë qytetarëve të Kosovës.
Aleksandar Vuçiqi dhe politikanët e tjerë të Serbisë po e cilësojnë Albin Kurtin si ekstremist me të cilin qenka e pamundur të bisedohet duke e bërë edhe partner të padëshirueshëm për shtetet perëndimore që duan një paqe midis Kosovës dhe Serbisë, pavarësisht se sa do ta dëmtojnë Kosovën. Nuk e besoj kurrë se Albin Kurti do ta dëmtojë Kosovën, prandaj bisedimet me Serbinë, ose do ta ngritin Albinin në piedestalin e vlerave më të ndritura kombëtare ose, në të kundërtën, politikisht do ta varrosin! Në këtë rrugëtim drejt qëllimit të përbashkët dhe interesit që do ta mbronte çdo vend normal në botë, Albin Kurti nuk duhet të jetë i vetmuar apo t’i vihen ndërskamca. Problemi midis Kosovës dhe Serbisë është lehtësisht i zgjidhshëm brenda kufijve ekzistues, kurrsesi brenda do kufijve që i patën projektuar Vuçiqi, Mogerini, Rama dhe Shima. Serbia i ka bërë aq shumë të këqija dhe dëme Kosovës për të lejuar të vazhdojë ende me këtë aktivitet kriminal. Tash, pasi Albin Kurti të bëhet kryeministër, do të hetojmë nëse atë që e ka thënë gjatë fushatës dhe që po e thotë edhe sot është një rezultat i shkathtësive retorike apo vërtet e ka përnjëmend. Tymi shpejt do të shpërndahet dhe do të kemi një pamje më të qartë sa i përket ardhmërisë së Kosovës!