Konstituohet Komisioni hetimor parlamentar për menaxhimin e Covid-19

18 qershor 2020 | 13:24

Është konstituuar Komisioni hetimor parlamentar në lidhje me menaxhimin e pandemisë së virusit Covid-19 nga ana e Qeverisë së Kosovës.

Në këtë mbledhje të parë, lista e personave që do të ftohen për intervistim ka ngjallur debat në në mes të deputetëve anëtarë të këtij komisioni.

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovë (PDK), Eliza Hoxha, e cila është inicuese e këtij komisioni ka treguar arsyet e formimit.

“Vendimmarrja e qeverisë ishte me dy shkelje kushtetuese. Vdekja e Agon Musliut në karantinë, si kanë shkuar kriteret për karantinë. Mungesa e testeve, furnizimi me barna dhe testet e ardhura nga Serbia, dhe efekti ekonomik i pandemisë”, ka thënë Hoxha.

Ndërsa deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (PDK), Shkumbin Demaliaj, ka kërkuar që në komision të ftohet edhe ministri i ri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, për shkak të deklaratave se ka pasur keqpërdorime nga ministri paraprak.

“Të ketë edhe zgjerim të hetimeve. Të jetë edhe ministri i ri i Shëndetësisë si dëshmitar, të shihet vërtetësia e deklaratave të tij”, është shprehur Demaliaj.

Në anën tjetër deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu, ka thënë se lista e personave duhet të plotësohet.

“Të lista e dëshmitarë duhet të plotësohet dhe të ndryshohet. Më shumë keni futur në listë mjekë sesa përgjegjës institucionalë. I pari që duhet ta intervistojmë është ish-ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, zëvendësministrin, dhe menaxhuesit e qendrës së karantinës. Zëvendësministrin e Punëve të Brendshme dhe përgjegjësit e qendrës operative të kësaj ministrie. Komplet IKShPK-në dhe Klinikën Infektive qenkan këtu, unë mendoj se duhet të bazohemi te bartësit e këtyre institucioneve. Hetimi duhet të jetë i paanshëm”, ka thënë Haxhiu.

Lidhur me këtë ka reaguar kryetarja e këtij komisioni, Mimoza Kusari-Lila.

“Ju thatë të mos bëjmë politikë, por ju bëtë politikë. Folët për abuzime, u përmend një rast tragjik. Unë në të gjitha këto e di që ose ka proces ligjor apo edhe nëse ka blerje abuzive mundemi me thënë se ka dyshime për abuzime. Lista e dëshmitarëve mund të zgjerohet”, ka thënë ajo.

Pas kësaj deklarate është kundërpërgjigjur deputeti Bekim Haxhiu.

“Jeni vetëm kryesuese dhe jo komentuese e deklaratave tona. Sa i përket blerjes abuzive të barnave, ka pasur raportime në medie të blerjes abuzive të barnave”, është shprehur Haxhiu.

Kurse deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës Ekrem Hyseni, e ka kundërshtuar idenë e thirrjes për raportim të ministrit të Shëndetësisë, Armend Zemaj.

“Ideja e përfshirjes së ministrit të ri nuk është ide e mirë. Sa i përket vlerësimit të punës së tij, duhet të jetë ndoshta një komision tjetër, por jo ky”, ka thënë Hyseni.

Krejt në fund, deputeti i Nismës Socialdemokrate, Endrit Shala, ka thënë se në intervistim duhet të jenë përgjegjësit institucionalë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skender Reçica ka zhvilluar…