Konstituohet Komisioni parlamentar për vetingun në drejtësi
Të martën është mbajtur mbledhja konstituive e Komisionit ad-hoc për zhvillimin e procesit të vlerësimit kalimtar, apo i njohur si procesi i vetingut në sistemin e drejtësisë. Në këtë takim është diskutuar edhe për planin e veprimit të këtij komisioni.
Kryetari i këtij komisioni dhe deputeti i LDK-së, Kujtim Shala, derisa ka shpalosur hapat që duhet ndërmarrë ka thënë se për planin e punës duhet të presin një draft nga administrata dhe partnerët ndërkombëtarë.
Ai ka thënë se për këtë proces duhet bashkëpunim me qeverinë, presidencën dhe institucionet e drejtësisë.
“Pas adaptimit të teksteve te amendamenteve qe propozojmë ne dhe qe besoj se aty nuk kemi shumë punë se paku 30 deputetë të Kuvendit mund të propozojnë amendamente kushtetuese që i dorëzohen Kuvendit dhe kryetari i Kuvendit në seancën e radhës e njofton Kuvendin me propozimet dhe kryetari i Kuvendi jo më vone se 7 ditë nga seanca ia dorëzon Gjykatës Kushtetuese ndryshimet kushtetuese të propozuara pas marrjes së vlerësimit nga Gjykata Kushtetuese, Komisioni për Legjislacion brenda 5 ditëve i miraton dhe i dërgon për seancë propozimet. Amendamentet miratohen me 2/3 përfshirë edhe komunitetet jo shumicë. Ndryshimet e kushtetutës hyjnë në fuqi pas miratimit të Kuvendit të Kosovës”, ka thënë Shala.
Ndërsa Adnan Rrustemi nga Vetëvendosje, ka shprehur gatishmërinë dhe konsensusin për këtë proces me qëllim për t’i dhënë vendit një sistem efikas të drejtësisë, raporton “Ksp”.
Në anën tjetër, Blerta Deliu-Kodra nga PDK-ja, ka thënë se kanë kërkuar që një proces kaq i rëndësishëm t’i kthehet Kuvendit për atë që ka kërkuar Komisioni i Venecias.
Më tutje, deputetja e LDK-së, Doarsa Kica – Xhelili, ka thënë se për procesin e vetingut nuk ka kohë për të humbur, por që krahas punës në komision duhet që politika të kërkojë një formë për të siguruar votën e Listës Serbe qe nevojitet për miratimin me 2/3 të ndryshimeve kushtetuese për procesin e vetingut.
Kurse deputeti i LV-së, Dimal Basha, nuk është pajtuar me emërtimin e këtij komisioni.