Konstituohet Komisioni për Mbikëqyrjen e Financave Publike
Kryetari i këtij Komisioni, Bedri Hamza, ka thënë se i presin shumë punë, siç janë raportet e 15 ministrive, por edhe komunave dhe agjencive të pavarura. “Ky komision fushëveprimarinë do ta ketë mbikëqyrjen për rend publik. Është një numër i madh i raporteve që do ti shqyrtojmë në komision, raportet e 15 ministrive. Raportet e 38 komunave, raportet e agjencioneve të pavarura. Përveç raporteve të Zyrës së Auditimit dhe pasqyrave financiarë, jemi të obliguar të shqyrtojmë raportin vjetor, dhe kryerjen e veprimeve të auditorëve të jashtëm. Po mbi të gjitha për ne me rëndësi është ta ngrisim llogaridhënien dhe të interesohemi për vlerën për para sa ka mundësi mu rrit”, ka thënë Hamza.
Kurse, deputeti Ali Berisha, anëtar i Komisionit, ka deklaruar se përgjegjësia e këtij komisioni është mjaftë e rëndësishme, andaj ai kërkoi angazhimin e të gjithë anëtarëve për të dhënë maksimumin e tyre në interes shtetëror dhe qytetar. “Shihet që është një komision i rëndësishëm për mbikëqyrjen e financave publike dhe normal kërkohet angazhim i të gjithëve. E kemi edhe detyrë të re raportin e performancës ku duhet të angazhohemi të gjithë poashtu është edhe adresimi i rekomandimeve. Në duhet të shikojmë qe matjet e rekomandimeve ti shikojmë a po zbatohen. Kjo ndihmon edhe institucionet dhe shërbimet që kryejnë institucionet”, u shpreh Berisha.
Kurse, Albert Kinolli, anëtar i komisionit, ka deklaruar se edhe në të kaluarën është dëshmuar rëndësia e këtij komisioni, i cili ka sensibilizuar institucionet për rëndësinë e financave publike. “Disa prej kolegëve kanë qenë skeptik për këtë komision. Nëse asgjë më tepër me punën qe ka bërë ky komision e ka senzilibizu institucionet. Ky komision e ka dëshmuar se duhet të vazhdojë edhe ne të ardhmen. Ky komision duhet të zhvishet nga petku politik”, u shpreh ai.
Në fund u vendos që ky Komision t’i mbajë takimet çdo të mërkure në ora 10:00.