Konstituohet Kuvendi i Serbisë, shqiptarët përfaqësohen me tre deputetë
Në Serbi është bërë konstituimi i përbërjes së re të Kuvendit.
Derisa po mbahej seanca, dhjetëra qytetarë kanë protestuar para ndërtesës së Kuvendit, duke brohoritur se kjo legjislaturë nuk ka legjitimitet.
Me betimin e deputetëve, ka filluar afati prej 90 ditësh për formimin e qeverisë së re. Në zgjedhjet parlamentare në Serbi, lista e presidentit serb, Aleksandër Vuçiq, ka fituar më së shumti vende, 188 nga gjithsej 250.
Lista e Partisë Socialiste të Serbisë – Serbia e Bashkuar ka 32 deputetë, dhe Lidhja Patriotike Serbe (SPAS) 11 vende. Katër parti të pakicave kanë siguruar ulëse në Kuvend.
Lidhja e Hungarezëve të Vojvodinës ka fituar nëntë deputetë, Lista e Muamer Zukorliq do të ketë katër deputetë, ndërsa SDA e Sanxhakut dhe Alternativa Demokratike Shqiptare-Lugina e Bashkuar kanë nga tre vende secila. Zgjedhjet e përgjithshme janë mbajtur më 21 qershor. /REL