Konstitutivja poetike e një libri
Sadik Krasniqi
Arif Molliqi, “Im atë të shtunave më blinte këpucë llastiku“, “Armagedoni”, Prishtinë, 2021
Arif Molliqi është shkrimtar që shkruan poezi, tregim, roman, dramë, kritikë si dhe monografi shkencore dhe publicistikë. Shumëllojshmërisë shkrimore ky krijues i shton edhe atë sasiore, tashmë prej njëzet e dy librave.
Botuesi i librave të këtij autori, Berat Dakaj, gjatë shqyrtimit të veprave të tij, me të drejtë konstaton se Arif Molliqi emocionet vazhdon t’i shkrijë e t’i shtrijë në poezi.
Lexuesi permanent i poezisë së këtij autori lehtë do të vërejë se ky libër është ndër librat më të mirë. Epitetin, ndër më të mirët, ky libër e merr në saje të konstitutivës poetike që përmban.
Arif Molliqi ka arritur që me një koshiencë të lartë kreative, motive, tema, ngjarje, ndodhi, fenomene, fiksion, ëndërrime, imazhe, mirazhe, kujtime t’i shkruajë përmes strukturës vargore tejet të kujdesshme dhe me durim urtësie. Vargjet e tij kanë një ritëm përafërsisht konstant. Po ashtu, figuracioni poetik është aplikuar me një masë të përmatshme si prej klepsidre.
Duke u nisur nga vetë pamja e kopertinave të këtij libri, të imponohet varianti xhojsian i përimtësuar në përqasje të semantikës e semiotikës së lëndës lirike brenda tij.
Kopertina është dizajnuar estetikisht e metaforikisht. Smokingu i zi me këmishë të bardhë me flutur të zezë e me faculetën e bardhë në xhep është një e veshur solemne mbi të cilën është gravuar titulli i bardhë, që përmban një kuptim emotiviteti autorial. Vizualja dhe përmbajta e titullit në kopertinë është një kontrast i bukur metaforik me një nuancë ironie, e që na shërben deri-diku si çelës për kodin përmbajtjesor dhe figurativ të librit.
Ligjërimi poetik i librit është strukturuar në ciklet: “Im atë të shtunave më blinte këpucë llastiku”, “Enciklopedi familjare”, “Dielli prej llamarine”, “Shumë zhurmë për pak liri”, “Dashuri autodidakte” si dhe “Arti i lehjes”. Kapitujve u paraprin poezia “Përrallë e verdhë”.
“Përralla e verdhë” është një prelud poetik që dëshmon një lëvizje, e që kjo lëvizje është një intencialitet dhe esencialitet si frymëzim dhe ekzistencë e qenies lirike:
tash e kuptova ç’domethënë nata
pa asnjë yll në qiell
lehtë mund të zë pritë
e liga e fshehur brenda njeriut
(f.5)
Pra permanentja e lëvizjes si qenie e amshueshme i kalon përmasat e realitetit deri në përrallën e verdhë. Kjo poezi është njëherësh një transcendencë filozofike.
Kapitulli i parë “Im atë të shtunave më blinte këpucë llastiku”, titull ky që emëron librin, vjen nga poezia ndër më të bukurat e këtij cikli.
Poezia në fjalë, për kah dendësia kuptimore dhe figurative, mund të konsiderohet një poemth poetik. Kjo poezi antologjike është poezi sekuencash, e proceduar me vargun e bardhë dhe e ndarë në dy pjesë. Motivet e forta gjithnjë nxjerrin poezi të bukura, siç është kjo poezi. Dy kryetemat iternale të artit – tanatosi e erosi – ngërthejnë bukuri me anë të një gërshetimi të fenomeneve jetësore përmes figurës së babait që përkujtohet ndjeshëm dhe përmallshëm.
Përmes imagjinatës poeti ndërthur vdekjen me jetën, realitetin me ëndrrën, gëzimin me vuajtjen, dashurinë me urrejtjen, shpresën me dëshpërimin. Heroi lirik në këtë poezi sa është në realitet, në të njëjtën kohë është në ëndërr e fanitje. Kthimi i tij në vendlindje është imazh real dhe njëkohësisht mirazh:
Brenda kornizës së shtëpisë një ngjyrë të errët
përtej një sfond kulla,muret, dyert, pemët
zogjtë kishin shpërndarë disa njolla gjaku
figurën time të harruar e gjej në dhomën mbi shtrat
aty është im atë
dritë i pastë shpirti
që kishte vdekur atë sene kur ra lia e madhe
(fq. 14)
Në këtë pasazh të bukur artistik, përveç realitetit si kthimi në shtëpi, hasim edhe elementin e kujtesës dhe ëndrrës me njollat e gjakut të zogjve si simbol arketip i onirikës si prishje e ëndrrës.
Në këtë poezi evokuese përshkruhet me sens tej sensual elementi erotik, përmes gruas gjysmënudo, gjetje që freskon atmosferën e zymtë të situatës së heroit lirik.
Pjesa e dytë e kësaj poezie është krejtësisht analepsë për kohën e fëmijërisë, gëzimi dhe pikëllimi i përjetuar thellë nga shpirti i ndjeshëm i një fëmije jetim. Kjo poezi e veçantë patjetër ta kujton fotografinë e famshme të Gerald Waller “Fëmija që i lumturohet këpucëve të reja”, në të cilën shihet vocërraku jetim austriak gjashtëvjeçar Hans Werfel, duke i përqafuar një palë këpucë të reja dhuruar nga misionarët e Kryqit të Kuq Amerikan.
Përderisa cikli i parë është më personal, pra pasqyrim poetik i përbrendësisë së subjektit lirik, cikli i dytë “Enciklopedi familjare” dominohet me përkushtime lirike të të afërmve familjarë, që zgjerohet në atë njerëzor. Poezitë “Nëna ime, heroina ime”, “Kur e varrosëm babën”, “Kur mungon vëllai i madh” dhe “Një vdekje në pranverë” janë poezi përkushtimore me nota nostalgjike dhe elegjiake kushtuar më të dashurve.
Shndritjen e nurit të nënës poeti e shpreh me një ngrohtësi shpirtërore:
mollën që e ruante në arkën e nusërisë
e ndante në shtatë pjesë
në fytyrën e saj magjike
herë- herë i fluturonte gëzimi
kur na numëronte të shtatë fëmijëve
nëna ime
heroina ime
(fq. 23)
Në këtë ndarje me motive funebre nuk kemi vetëm vdekjen e të afërmve, por edhe vdekjen e fenomeneve dhe dukurive që na rrethojnë, madje edhe vdekjen e vet vlerës njerëzore.
“Dielli prej llamarine“ është cikli më me shumë poezi i librit të Arif Mulliqit.
Ky cikël me 42 poezi mund të konsiderohet si libër në vete nga llojshmëria tematike e motivore, por edhe nga dendësia dhe llojshmëria figurative.
Poezia “Shah me të vdekurit” është një tërësi metaforike e nuancuar me absurdin që përmes Atlantidës si simbol i bukurisë së humbur në enigmë dhe pamundësisë së gjetjes, vjen deri te një logjikë absurde po estetikisht në nivel. Poeti thekson për detarët:
u ka mbetur vetëm të zhyten në ujë
t’i numërojnë plagët
të luajnë shah me të vdekurit
(fq. 45)
Në këtë cikël me tematikë të gjerë vjen në shprehje e tërë mjeshtëria e shprehjes poetike të autorit. Sipas teoricienëve të poetikës, çdo libër i mirë poetik duhet të ketë : figurat e diksionit, figurat e fjalës ose tropet, figurat e konstruksionit, figurat e mendimit. Përpos të parave që janë tipare të vargjeve me strukturë tradicionale, janë të pakta tek Arifi, në saje të vargut të lirë, të tjerat i hasim përgjatë gjithë poetikës së këtij libri. Kjo poetikë ngrehet përmes figurave, si metafora, metonimia, alegoria, oksimoroni, personifikimi si dhe figura të tjera me të cilat krijon situata absurde, abstrakte, inversione të shoqëruara shpeshherë me një ironi fine.
Arif Molliqi e krijon bukur figurën e konstruksionit:
(sipas Milivoje Solarit)
do të duhej t’u vinte turp
qenit dhe maces
kur e imitonin njeriun
ashtu krejt cullak para publikut
(fq. 73)
Pra ky konstruksion figurativ si inversion logjik shoqërohet me ironi si figurë, që Arifi e ka për qejf dhe që e shtron gjatë tërë ligjërimit të tij poetik.
Në këtë cikël zënë vend edhe dhjetë poezi të një ekskursioni brenda dhjetë ditëve, ku heroi lirik reflekton në një ambient detar. Andaj edhe rekuizitat e këtyre poezive janë nga fauna detare që në raport me poetin, ambientin dhe njerëzit përreth, shkaktojnë imazhe të bukura. Peshku në këto poezi merr trajtën e një metafore të zgjeruar:
në syrin e qelqtë të peshkut
asnjëherë nuk do dimë
cila është ëndrra më e bukur e tyre
çdo ëndërr
është vetëm një herë e njëjtë
(fq. 58)
Kjo poezi ndër më të bukurat është një kozmogoni në saje të simboleve që, sipas Norttrop Fraj, janë arketipa të simboleve kozmike dhe biblike si: pema, zjarri, hana, dielli, yjet, zogu, shiu, zoti, korbi e të tjera. Absurditeti si element i poezisë moderne dhe postmoderne haset shpesh te ky autor:
kjo natë me shi
i përngjan monologut memec
funeralit të rebeluar
në kryeqytete fill pas festës
(fq. 68)
Në poezinë “Premtime të mençura” autori përdor ironinë përmes demonit:
nga pema e papjekur
kokrrat i hëngra unë
farën nën dhe
gjarpri
(fq. 69)
Në poezinë e Molliqit shpesh gjejmë edhe imazhe mendimi që përkojnë me poezinë intelektuale e që tek Arifi shoqërohet me ironi:
në katundin tim
fëmijëve ua vranë dhe djegën kukullat
kishin frikë
se harxhojnë ajrin
(fq. 70)
Poezia “Lluka e epërme” është një përkushtim me nota himni për vendlindjen e autorit:
je pjesë e imja si ky shpirti im
kur të vdes unë ti do të vazhdosh të jetosh
pse ta fsheh je një korife planeti
(fq. 90)
Duke lexuar këtë poezi të ndërmendet thënia e shkrimtarit të madh grek Kavafis: “Për një kohë ti banon në qytetin tënd të lindjes, më vonë qyteti i lindjes banon në ty”.
Poezitë e këtij cikli që lënë mbresa dhe që janë antologjike janë të shumta si “Shah me të vdekurit”, “Dielli prej llamarine”, “Në qiell s’ka zogj”; dhjetë poezitë të emëruara me ditë, “Zogjtë shkuan e s’u kthyen”, “Ditari i varrtarit”, “Lëndina e qyqeve”, “Premtime të mençura”, “Kukullat që marrin frymë”, “Gjarpri”, “Etja pi detin”, “Lluka e epërme” e shumë të tilla.
Në cikin e katërt me radhë “Shumë zhurmë për pak liri” vjen në shprehje tematika e aktualititetit dhe reagimi i autor ndaj dukurive të përditshme. Poeti është një kritik i pakompromis ndaj deformimeve, degradimeve dhe degjenerimeve që ndodhin dita-ditës në vendlindje.
Në poezitë e këtij cikli vjen në shprehje prirja e autorit që ka për ironinë si mjet poetik, madje për ironinë e përshkallëzuar në sarkazëm e grotesk. Në poezinë “Dasma e kopilave” autori shprehet:
se të vdekurit s´janë të sigurt
të gajllët ua hanë qefinin e bardhë
(fq. 102)
Te këto poezi kemi mendimin autorial si gjykim intelektual ndaj shkaktarëve të këtyre dukurive. Emrat: kulla, guri, litari, Çakorri, korbi, djalli, krimbi, qeni, ujku avdall, kopili e të tjerë, përdoren bukur si metafora e më shumë si metonimi për cilësitë e “ajkës” politike të vendit. Në këtë cikël disa herë gjejmë edhe oksimoronin si:
dielli na bëhet errësirë.
(fq.109)
“Dashuria autodidakte” është cikël me lirika të dashurisë. Heroi lirik në marrëdhënie me dashurinë është i fisëm dhe i çiltër. Erotika dhe akti erotik është sa real aq edhe ëndërrimtar:
me jetu asht me pas dashni
m´u puth edhe n´sarkofag
me ia digju frymën shoqi-shoqit
çfarë do të ndodhë mbasandej
u mor vesh
dashnia moshë nuk ka
(fq.131)
Gjendja shpirtërore, emocionale në këto poezi është njëfarë katarsisi aristotelian, pra erosi është njëkohësisht edhe etos. Cikli i fundit “Arti i lehjes” ka lidhshmëri tematike dhe figurative me ciklin e parafundit “Shumë zhurmë për pak liri”, vetëm se këtu poeti rreket me veset, demagogjinë, smirëzinë, fillzinë, servilizmin e njerëzve me “shpirt estetik”, të ashtuquajtur krijues, duke i thënë vetes “jam korife i poezisë”. Motivimet e autorit për t´i luftuar këto veçori të këtyre “poetëve avdallë”, siç i quan poeti, janë të mëdha andaj edhe poetika e këtyre poezive ka metafora shumë të fuqishme si: merimangë e zezë, krimba të kuq, lot të zi, dhëmbë të zi, zogj të zi, dhëmbë të territ, kurthe të varrit, gëlqere e shuar. Kurse “artin” e tyre poeti e quan “arti i lehjeve”. Pra dalja e këtyre poezive të bukura nga shëmtia si temë tingëllon oksimoroni saqë në këtë kontekst Umberto Eco thotë: “Arti ka pushtet për ta bërë të dashur shëmtinë”, pra mënyrën se si shkruhet për këtë kategori estetike. Në fund, këtë vështrim, më tepër si shenjë vëmendje për lexuesit që të kenë dhe të lexojnë një poezi të veçantë me një gjuhë të pasur dhe një stil të lartë të një poeti, artin e të cilit e shquan një ndjeshmëri e thellë emocionale, por përmes prizmës intelektuale mund ta përfundojmë me konkluzionin se Arif Molliqi ka krijuar një poezi të bukur ose, siç thotë Ronald Bartes, “një poezi të shkruar”, pra një poezi që jo vetëm që do të lexohet, por edhe do të shkruhet për të nga lexuesi semiotik.