Konsulli i Përgjithshëm i Kosovës në Dyseldorf, Arjan Kashtanjeva viziton fabrikën BSL për të parë nga afër suksesin e mërgimtarit Sefë Gutaj
Profesionalizmi, sistemi i punës, preciziteti, inovacioni janë terme të cilat gjejnë zbatim edhe në praktikë në fabrikën e përpunimit të metaleve BSL në Lengerich të Gjermanisë me pronar z. Sefë Gutaj nga Gjakova.
Konsulli i Përgjithshëm i Republikës së Kosovës në Dyseldorf Arjan Kashtanjeva ishte në vizitë në Fabrikën BSL për të parë nga afër suksesin e mërgimtarit Sefë Gutaj. Fabrika për përpunimin e metaleve BSL ka një makineri të përsosur të gjeneratës së fundit, e gjitha është e digjitalizuar ku pothuajse të gjitha punimet kryhen nga makineritë robotike. Në Fabrikën BSL janë të punësuar 25 persona, kryesisht inxhinier dhe profesionistë të fushës, ku së fundmi ekipes së BSL ju është bashkëngjitur dhe një inxhinier nga Kosova.
Fabrika BSL falë përkushtimit dhe inovacioneve të bërë nga z. Gutaj me ekipën e inxhinierëve, ka arritur të modelojë, modifikojë pajisjet e punës, gjë që ka ndikuar në rritjen e kualitetit, saktësisë në punimin e metaleve dhe të bëjë Firmën BSL të ketë kërkesa nga fabrikat dhe laboratorët më të rëndësishme në Gjermani, Evropë dhe botë.
Konsulli Përgjithshëm Kashtanjeva e informoj z. Gutaj gjatë bisedës lidhur me potencialin që ka Kosova, Ekspertet e IT dhe fushave të ndryshme, politika të favorshme, prodhues të ndryshëm dhe se lidhjet bashkëpunimit do ishin me interes të dyanshëm.
Bashkatdhetarët e suksesshëm si z. Sefë Gutaj, na bëjnë të ndihemi krenar dhe janë dëshmi se mërgata jonë është jashtëzakonisht mirë e integruar dhe prezantojnë me krenari prejardhjen e tyre nga Kosova.