“Konsumatorët, përfitues direkt të Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë Kosovë-Turqi”
Përfaqësues të odave ekonomike, asaj kosovare si dhe Odës Tregtare Kosovaro-Turke, thonë se përfituesit më të mëdhenj të Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë do të jenë konsumatorët.
Kosova, një nga partnerët më të rëndësishëm tregtarë të Turqisë në mesin e vendeve të Evropës Lindore, në vitet e fundit është bërë shtet atraktiv në fushën e investimeve për Turqinë, jo vetëm për shkak të afërsisë gjeografike, por edhe me pozitën qendrore në Ballkan dhe për shkak të tiparit si derë hyrëse drejt tregut të madh evropian.
Kosova dhe Turqia, të cilat që nga paslufta e vitit 1999 kanë konkretizuar marrëdhëniet e tyre ekonomike me disa marrëveshje, në vitin 2006 nënshkruan Marrëveshjen për Promovimin dhe Mbrojtjen e Investimeve, kurse në vitin 2009 Marrëveshjen e Bashkëpunimit Ekonomik. Ndërkaq, në vitin 2010 dy vendet nënshkruan Marrëveshjen për Eliminimin e Tatimeve të Dyfishta, ndërsa në vitin 2013, pas një procesi bisedimesh dypalëshe, Kosova dhe Turqia firmosën Marrëveshjen për Tregti të Lirë e cila më 11 qershor të këtij viti u dekretua nga presidenti i Kosovës Hashim Thaçi.
Deri me tani, në Kosovë veprojnë rreth 300 kompani turke që funksionojnë të pavarura ose në partneritet me kompani të Kosovës, përfshirë 11 kompani të mëdha. Kompanitë turke, së bashku me partnerë ndërkombëtarë, kanë fituar disa nga tenderët me të mëdhenj në Kosovë, përfshirë ndërtimin e autostradave, si dhe marrjen me koncesion të Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës.
Në Kosovë, e cila ka inkurajuar investitorët turq për të investuar në vend, viteve të fundit mund të vërehet një kalim nga faza e tregtisë në atë të investimeve të drejtpërdrejta, sidomos në fushën e prodhimit.
“Marrëveshja e Tregtisë së Lirë do ta rregullojë balancimin e tregut në favor të Kosovës”
Kryetari i Odës Tregtare Kosovaro-Turke, Abdurrahman Balkız, në një bisedë me Anadolu Agency (AA) thotë se Kosova dhe Turqia kanë marrëdhënie të mira ekonomike, të cilat kanë ndikuar që në vit të realizohen rreth 300 milionë euro importe nga Turqia dhe rreth 8 milionë euro eksporte nga Kosova për në Turqi.
Balkız thotë se Marrëveshja për Tregti të Lirë Kosovë-Turqi është zgjidhje e një ekuilibri tregtar, duke shtuar se prodhuesit kosovarë nuk do të kenë asnjë humbje nga marrëveshja në fjalë.
“Para hyrjes në fuqi të Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë, kishte një zhvillim në favor të Turqisë, ku eksportet turke në Kosovë vazhdimisht rriteshin, ndërsa eksportet e Kosovës për në Turqi nuk rriteshin me të njëjtën shpejtësi. Ndërkaq, kjo marrëveshje do ta rregullojë këtë balancim të tregut në favor të Kosovës. Nëse i shikojmë detajet e kësaj marrëveshjeje, shohim se prodhimet kosovare do të mbrohen. Pra, tatimi mbi importet përgjatë dhjetë viteve do të zvogëlohet shkallë-shkallë dhe jo përnjëherë”, ka deklaruar Balkız.
Ai më tej thekson se përvojat nga nënshkrimi i Marrëveshjes për Tregti të Lirë të Turqisë me Maqedoninë dhe me Bosnjë dhe Hercegovinën kanë treguar se janë rritur eksportet e mallrave te të dyja palët.
“Marrëveshja e tregtisë së lirë ndikon edhe në eliminimin e këtij çekuilibri tregtar ndërmjet vendeve. Shembull tjetër mund të merret Bosnjë dhe Hercegovina. Marrëveshja e Tregtisë së Lirë me Bosnjën ka hyrë në fuqi në vitin 2003, dhe nëse i analizojmë shifrat e eksportit nga ajo kohë e deri më tani, shohim se eksporti i Turqisë në Bosnjë është rritur tetëfish, ndërsa eksporti i Bosnjës në Turqi për 30 herë”, u shpreh Balkız.
Olivera Ceni, drejtoreshë e Departamentit të Analizave Ekonomike dhe Politikave në Odën Ekonomike të Kosovës, ka thënë se kjo marrëveshje ka për qëllim rritjen dhe forcimin e bashkëpunimit tregtar dhe ekonomik në mes të Kosovës dhe Turqisë.
Ceni thotë se marrëveshja pritet të ketë efekt pozitiv te rritja e efekteve konkurruese, për shkak se, siç shpjegon ajo, me hapjen e tregjeve, bizneseve u krijohen dy kushte, të rrisin kapacitetin e tyre prodhues që të konkurrojnë me produktet, ose të largohen nga tregu nga pamundësia për t’i bërë ballë konkurrencës.
Në aspektin afatgjatë, Ceni thotë se marrëveshjet e tilla, historikisht, apo bazuar në përvojat e vendeve të tjera, kanë pasur ndikim pozitiv në rritjen ekonomike, në nxitjen e konkurrueshmërisë dhe në tërheqjen e investimeve të huaja direkte.
“Përfitimi direkt në këtë rast është te konsumatorët, të cilët përfitojnë në këtë rast. Meqenëse bëhet hapja e tregtisë, atëherë tregtia në vetvete nënkupton ulje të çmimeve për shkak se është konkurrenca më e madhe për produktet të cilat janë në treg dhe, sigurisht, edhe konsumatori, në këtë rast qytetarët, kanë më shumë produkte në dispozicion në tregun e Kosovës”, tha Ceni për “AA”.
Sipas të dhënave që “AA”, ka siguruar nga Oda Tregtare Kosovaro-Turke, teksa Kosova importonte mallra në vlerë prej 128,2 milionë eurosh nga Turqia në vitin 2008, kjo shifër është rritur në 334,5 milionë euro në vitin 2018.
Në të njëjtën mënyrë, Kosova realizoi eksporte në vlerë prej 3 milionë eurosh në vitin 2008, kurse në vitin 2018 eksportet arritën vlerën prej 8,4 milionë eurosh.
Ndërkaq, të dhënat mbi importet sipas produkteve tregojnë se Kosova nga Turqia më së shumti bën importe në fushën e tekstilit, ushqimit, makinerisë dhe pajisjeve elektrike, metaleve bazë, plastikës dhe kauçukut, drurit dhe industrisë kimike.
Turqia, e cila radhitet e treta në mesin e vendeve me më shumë investime në Kosovë, ka investime të rëndësishme në këtë vend në fushat si energjia, infrastruktura, transporti, bankat, shëndetësia, logjistika tregtare, industria dhe ushqimi.
Bizneset turke në Kosovë, ku investimet e Turqisë arrijnë shifrën prej rreth 350 milionë eurosh, mundësojnë punësime për afro 10.000 persona.
Turqia bën pjesë në mesin e tre partnerëve të parë të Kosovës në aspektin e investimeve dhe atë të raporteve tregtare.
Marrëveshja e Tregtisë së Lirë pritet të promovojë tregtinë e ndërsjellë midis dy vendeve, të inkurajojë investimet, të integrojë tregjet dhe Kosova të përparojë drejt një marrëdhënieje më të balancuar tregtare me rritjen e fuqisë prodhuese. Në saje të kësaj, thuhet se është e rëndësishme që do të hapet rruga për lehtësimin dhe zhvillimin e tregtisë./AA