Konteksti historik i emërtimit të UÇK-së dhe arritja diplomatike e UÇK-së

15 nëntor 2024 | 10:38

Fatmir Lekaj (politolog)

ESE

Konteksti historik i emërtimit të UÇK-së (para 30 vjetësh) dhe arritja diplomatike e UÇK-së, drejt imponimit të çështjes së Kosovës për zgjidhje në kuadër të agjendës ndërkombëtare

Më 17.11.1994 kryesia e LPK-së, Dega jashtë vendit, mori vendim që njësitet e armatosura të udhëhequra nga LPK të emëroheshin Ushtria Çlirimtare e Kosovës (UÇK).[1] Ky vendim ishte rezultat i vazhdimësisë dhe zhvillimeve të përgjithshme në kuadër të veprimtarisë së LPK-së. Rrjedhimisht, meqë LPK, Dega brenda vendit, e veçanërisht udhëheqja e saj goditej në vazhdimësi (me burgosje, tortura dhe vrasje), LPK, Dega jashtë vendit (në kuadër të emigracionit politik shqiptar) kishte kompetenca që në situata të caktuara të merrte përgjegjësinë për udhëheqjen e përgjithshme të organizatës. Kjo bartje e kompetencave ndodhi konkretisht pas mbledhjes së katërt të përgjithshme të LPK-së, mbajtur në Kosovë në vitin 1993. Prandaj ky vendim, që përfshinte edhe themelimin formal (emërtimin) të UÇK-së, u mor bazuar në vendimet e mbledhjes së katërt të përgjithshme të LPK-së, dhe ndodhive më pas, sepse menjëherë pas kësaj mbledhje, shërbimi sekret serb (në kuadër të arrestimeve), kishte arritur t’i arrestojë edhe udhëheqësit emblematik të LPK-së në Kosovë, Xhavit Hazirin, Ahmet Haxhiun, Bejadin Hallaqin (si udhëheqje me kontinuitet në vazhdën e udhëheqësve emblematik të LPK-së në Kosovë gjatë viteve ’80: Rexhep Malës, Nuhi Berishës, Afrim Zhitisë, Fahri Fazliut etj.). Disa nga veprimtarët që u shpëtuan këtyre arrestimeve të vitit 1993 emigruan jashtë vendit, ndërsa një pjesë e veprimtarëve tashmë vepronin në kuadër të grupeve klandestine të armatosura në Kosovë që, në fakt, edhe para mbledhjes së katërt të përgjithshme të LPK-së, kishin filluar gradualisht të shndërroheshin: nga të qenit pjesëtarë dhe udhëheqës të Këshillave Popullor të LPK-së në Kosovë (degëve të LPK-së në Kosovë) në pjesëtarë dhe udhëheqës të grupeve klandestine të armatosura në Kosovë.

Me fjalë të tjera, ky vendim i themelimit formal të UÇK-së ishte një proces, përveç të tjerash, i bazuar në vazhdën e veprimtarisë së LPK-së që nga viti 1982 e veçanërisht bazuar në vazhdën e vendimeve të katër mbledhjeve të përgjithshme të LPK-së në vitet 1987, 1989, 1991 dhe 1993, jo se grupe të armatosura nuk kishte edhe më herët para vitit 1994. Për shembull, grupi i armatosur i quajtur Fronti për Rezistencë dhe Bashkim Kombëtar (FRBK) ishte themeluar në Gjakovë në vitin 1990[2], por u dekonspirua pas disa muajsh, dhe pas vitit 1994 disa pjesëtarë të këtij grupi iu bashkëngjiten UÇK-së. Gjithashtu grupi i Prekazit në krye me Adem Jasharin dhe grupi në krye me Zahir Pajazitin në Llap, kanë vepruar që në vitet 1990 -’91. Krahas këtyre grupeve vepronin Këshillat Popullor të LPK-së, ku një pjesë e tyre kishin filluar gradualisht të shndërrohen në grupe klandestine të armatosura të LPK-së që nga viti 1989. Duhet të kihet parasysh se LPK-ja si organizatë e fuqishme, në vazhdimësi që nga fillimvitet ’80, (e deri te themelimi formal i UÇK-së, më 17.11.1994), përveçse kishte krijuar traditë/përvojë të konspiracionit dhe riorganizimit (pas goditjeve) të radhëve të saj, njëkohësisht kishte krijuar traditë/përvojë të rezistencës aktive (përfshirë edhe shembujt e rezistencës së armatosur) kundër regjimit serbo-jugosllav. Në fakt, disa nga pjesëtarët e saj më të devotshëm (disa prej tyre edhe udhëheqës emblematik) kishin rënë të altarin e lirisë si pasojë e atentateve, si pasojë e përballjeve të armatosura – të pabarabarta, dhe si pasojë e torturës, përveç të tjerëve: Jusuf Gërvalla, Kadri Zeka, Bardhosh Gërvalla, Rexhep Malaj, Nuhi Berisha, Bajram Bahtiri, Zijah Shemsiu, Xhemajli Berisha, Ali Ajeti, Afrim Zhitia, Fahri Fazliu, Fadil Vata, Tahir Lush Berisha, Arif Seferi, Ahmet Haxhiu, Hasan Ramadani, Xhavit Haziri, Bejadin Hallaqi etj. Kështu që kjo traditë/përvojë e LPK-së ndikoi që Këshillat Popullor të LPK-së, Dega brenda vendit, që shtriheshin në gjithë territorin e Kosovës me vise, të fillojnë gradualisht nga viti 1989 të jenë edhe krahu ushtarak i kësaj organizate, dhe me ngulmim kërkonin nga organizata që të krijohet një strukturë ushtarake.

Në vitin 1989 u formua një Sektor ushtarak në kuadër të LPK-së.[3] Në të njëjtin vit, në tetor të 1989-s, në Zvicër u organizua Mbledhja e Dytë e Përgjithshme e LPK-së, në të cilën të pranishëm ishin edhe delegatët/ përfaqësuesit e LPK-së, Dega brenda vendit.[4] Rrjedhimisht,

Mbledhja e Dytë e Përgjithshme kontribuoi, përveç të tjerash, edhe për legjitimimin e këtij Sektori ushtarak në kuadër të LPK-së, që kishte për detyrë parapërgatitjen e kryengritjes së armatosur në Kosovë, në kuptimin e futjes më të madhe të armatimit në Kosovë dhe krijimin e kushteve për kryerjen e aksioneve të mundshme guerile si opsion i fundit për çlirimin e shqiptarëve në Jugosllavi. Në Mbledhjen e Tretë të Përgjithshme të LPK-së, mbajtur në tetor të vitit 1991 në fshatin Ujmir të Klinës (në shtëpinë e veprimtarit Sadri Shala), nën organizimin e LPK-së, Dega brenda vendit, ku të pranishëm ishin edhe delegatët/përfaqësuesit e LPK-së, Dega jashtë vendit, u mor vendimi që të themelohet një forcë e armatosur në Kosovë.[5] Ndërsa në Mbledhjen e Katërt të Përgjithshme të LPK-së, mbajtur në korrik të vitit 1993 në Prishtinë (në shtëpinë e veprimtarit Fatmir Brajshori), nën organizimin e LPK-së, Dega brenda vendit, ku të pranishëm ishin edhe delegatët/përfaqësuesit e LPK-së, Dega jashtë vendit, u mor vendimi për nismën e kryengritjes së armatosur dhe u bënë ndryshimet e mëtutjeshme programore të LPK-së. Në nenin III, përveç të tjerash, thuhet: Për arritjen e aspiratave kombëtare LPK do t’i përdorë të gjitha mjetet e luftës çlirimtare: demokratike, paqësore dhe politike dhe të rezistencës së armatosur. LPK, si mjet për arritjen e qëllimit, parasheh luftën e armatosur për çlirimin e Kosovës.[6] Kështu që, paralelisht me vendimet e këtyre tri mbledhjeve të përgjithshme të LPK-së, filloi gradualisht edhe shndërrimi i Këshillave Popullor të LPK-së në Kosovë në njësi të armatosura.

Në vitin 1991 pati një nismë nga LDK-ja (supozohet nën mbikëqyrjen e akademik Fehmi Aganit etj.,) në koordinim me Qeverinë e Kosovës në Egzil në krye me Bujar Bukoshin, për ushtrime të militantëve nga Kosova në Shqipëri. Në krye të këtij organizimi u vendos veprimtari i shquar i LDK-së, Sali Çekaj. Gjatë vitit 1991 bënë stërvitje ushtarake mbi 150 militantë të cilët simpatizonin struktura të ndryshme politike të kohës (LDK, LPK, PPK etj.) por, në thelb, kishin dëshirën për t’u përgatitur për të rezistuar në rast të luftës. Ndër ta ishin edhe Adem Jashari dhe Zahir Pajaziti. Fatkeqësisht, ky organizim i LDK-së/Qeverisë Bukoshi u dekonspirua me pasoja të mëdha për të gjithë ata që ishin listuar se kishin shkuar për ushtrime ushtarake në Shqipëri ngaqë ato lista kishin rënë në duart e UDB-së serbe dhe pas operacioneve të arrestimeve një numër arrestohen dhe dënohen, të tjerë arratisen jashtë vendit, por një numër i vogël vazhdojnë të qëndrojnë të gatshëm për rezistencë siç ishte rasti i Adem Jasharit, i Zahir Pajazitit etj., të cilët e vazhduan organizimin e tyre duke u bërë pjesë e organizimit që kishte LPK-ja me njësitet e saj klandestine të armatosura.

Për dallim të LPK-së, LDK-ja dhe qeveria Bukoshi, përveçse nuk e kishin traditën/përvojën e rezistencës aktive (përfshirë shembujt e rezistencës së armatosur) kundër regjimit serbo-jugosllav, nuk e kishin as traditën/ përvojën e konspiracionit dhe riorganizimit (pas goditjeve),

dhe me gjithë meritat e mëdha që kanë deri në konferencën e Dejtonit, pas kësaj konference në masë të madhe u konsumuan politikisht, sepse nuk e kishin shqyrtuar seriozisht asnjë përgatitje për një plan B, edhe pse kishte pasur iniciativa, edhe brenda LDK-së, nga Sali Çekaj, Hafiz Gagica etj., (ky i fundit paraprakisht në fillimvitet 80`, ka qenë një ndër veprimtarët e njohur të LPK-së/LRShJ-së në emigracion), por këto iniciativa nuk u mbështetën si duhet. Madje iniciativa ka pasur edhe brenda vetë qeverisë. Për shembull, Xhafer Shatri, në cilësinë e ministrit të Informatave i Qeverisë së Kosovës në Egzil, me seli në Gjenevë, u kishte paraqitur në vitin 1993 një projekt propozim kryeministrit të Kosovës në Egzil, dhe presidentit të Kosovës, për përgatitjen e një force të armatosur. Në kuptimin e përgatitjes (jashtë kufirit të Kosovës), të disa formacioneve ushtarake që do të ishin të gatshme t’i dilnin në mbrojtje popullit të Kosovës. Por, ky projektpropozim s’ishte përkrahur.[7] Shatri me prapavijën e tij (si  protagonist i spikatur i veprimtarisë revolucionare në Kosovë) ka pasur ndikim të madh në kuadër të emigracionit politik shqiptar, fillimisht gjatë fillimviteve 80` në kuadër të konsolidimit dhe bashkëdrejtimit të LPK-së (LRShJ-së). Më pastaj, në fillimvitet 90`, ju besua detyra e ministrit të informatave nga i gjithë spektri politik shqiptar i Kosovës, duke përfshirë pëlqimin e LPK-së, Dega jashtë vendit, konkretisht sekretarit të LPK-së, Emrush Xhemajli. Nga kjo pozitë, Shatri e mbështeti publikisht UÇK-në, pas shfaqjes publike të UÇK-së në fundvitin 1997[8], dhe në këtë vazhdë, tregoi një gjest fisnik me dorëheqjen tij nga pozita e ministrit, duke kontribuar kështu për uljen e tensioneve në mes Qeverisë Bukoshi dhe UÇK-së, dhe për shmangien e një lufte eventuale vëllavrasëse brenda shqiptare. Sepse me zhvillimin e shpejtë të ngjarjeve gjatë luftës në Kosovë, dhe me mos bashkëpunimin e duhur në mes Qeverisë Bukoshi dhe UÇK-së (sidomos duke e marr parasysh se jo vetëm shërbimi serb por edhe disa shërbime rajonale, ngulmonin ta thellonin përçarjen në mes shqiptarëve) ekzistonte rreziku real për një luftë vëllavrasëse brenda shqiptare, por fatmirësisht ky rrezik nuk u bë realitet.

Vlen të përmendet se ka pasur edhe një iniciativë tjetër serioze për formimin e njësive të armatosura, e ashtuquajtura iniciativa e grupit nga Kroacia, në vitin 1991. Pas kësaj iniciative qëndronte një grup kryesisht i ish-oficerëve të APJ-së të cilët më herët kishin qenë të burgosur politikë dhe anëtarë dhe simpatizantë të LPK-së gjatë viteve ’80, (Ton Marku, Naim Maloku, Fadil Demiri, Xhafer Jashari etj.), të koordinuar nga Fehmi Lladrovci, si kuadër udhëheqës i LPK-së. Kjo iniciativë fillimisht u përkrah nga LDK-ja nëpërmes akademik Fehmi Aganit, mirëpo pasi që ky grup u organizua dhe arriti ta formojë njësitin ushtarak në zonën e Gospiqit/Kroaci në krye me Fehmi Lladrovcin, u detyrua të shuhet pas urdhrit të drejtpërdrejtë të qeverisë Bukoshi, me pretekst se “po doni me na fut në luftë”. Pjesëtarët e këtij grupi më vonë u rreshtuan në faza të ndryshme kohore në strukturat komanduese të UÇK-së.

Rrjedhimisht, periudha e viteve 1989 – 1993 (themelimit të sektorit – ushtarak brenda LPK-së, dhe organizimit të mbledhjes së dytë, tretë dhe të katërt të përgjithshme të LPK-së), karakterizohet nga përpjekjet e LPK-së për krijimin e një strukture ushtarake gjithëpërfshirëse dhe efikase për çlirimin e vendit, e cila formalisht u jetësua më 17.11.1994. Edhe më herët, gjatë viteve ’80, ka pasur veprimtari të grupeve të armatosura (në kuadër të LPK-së) që kanë shërbyer si pikënisje konkrete për përgatitjen, inkurajimin dhe organizimin e kryengritjes së armatosur në Kosovë, siç janë shembujt e grupeve të armatosura “Partia e luftës” (1983), “Çeta e Llapit” (1989) etj. Por data e themelimit formal të UÇK-së konsiderohet data e komunikatës së parë ushtarake të UÇK-së (më 17.11.1994), pas mbledhjes së kryesisë së LPK-së. Në kuptimin e unifikimit të grupeve të armatosura nën siglën e UÇK-së, të koordinuara, të mbështetura politikisht dhe me logjistikë etj., nga LPK-ja. Pra, unifikimi i grupeve të armatosura klandestine në vitin 1994, nën siglën e UÇK-së, ndodhi sikurse unifikimi i grupeve revolucionare klandestine më herët, në vitin 1982, nën siglën e LPK-së (e njohur nga viti 1982 si Lëvizja për Republikën Shqiptare në Jugosllavi – LRShJ, nga viti 1985 e njohur si Lëvizja Popullore për Republikën e Kosovës – LPRK, dhe nga viti 1993 e njohur si Lëvizja Popullore e Kosovës – LPK).

Kështu që, në periudhën e viteve 1994-1997 pjesë aktive ushtarake, politike dhe logjistike e UÇK-së, konsiderohet të kenë qenë rreth 1000 persona. Përkatësisht ish-pjesëtarët e Këshillave Popullor të LPK-së në Kosovë tashmë të shndërruar në Njësi të armatosura[9],  Grupi i Prekazit në krye me Adem Jasharin dhe Grupi i Llapit në krye me Zahir Pajazitin, tanimë si pjesë e organizimit ushtarak të UÇK-së[10], Sektori i veçantë i LPK-së (përfshirë bashkëpunëtorët e ngushtë të këtij sektori/ shtabi, brenda dhe jashtë Kosovës), dhe pjesëtarë të Kryesisë dhe të Këshillit të Përgjithshëm të LPK-së, Dega jashtë vendit, por edhe individë të caktuar që nuk ishin pjesë e LPK-së, por që iu bashkëngjitën gradualisht UÇK-së nga viti 1994 e tutje, në formë të përkrahjes logjistike, ushtarake etj., duke përfshirë edhe pjesëtarë të fraksionit “radikal” të LPK-së, Lëvizja Kombëtare për Çlirimin e Kosovës (LKÇK) që në këtë vazhdë iu bashkuan UÇK-së.

Përkundër numrit relativisht të vogël të pjesëtarëve të UÇK-së (pas Konferencës së Dejtonit dhe çlirimit të Kroacisë me forcat e veta, në vitin 1995), u shtuan aksionet e armatosura të UÇK-së. Në këtë vazhdë edhe UÇK-ja pësoi goditje të njëpasnjëshme, veçanërisht në vitin 1997, ku u vranë: Zahir Pajaziti, Edmond Hoxha, Hakif Zejnullahu, Luan Haradinaj, Adrian Krasniqi, paraprakisht ishte plagosur në një aksion bashkëpunëtori i tyre Qerim Kelmendi, e gjithashtu paraprakisht gjatë arrestimeve ishte arrestuar edhe Nait Hasani. Megjithëkëtë, pavarësisht prej vështirësive të mëdha, përpjekjet e UÇK-së, vazhduan. Njëherësh vlen të theksohet se paraqitja dhe përpjekjet e UÇK-së, ishin një sfidë e re jo vetëm për regjimin neofashist të Slobodan Milošević-it, por edhe për një pjesë të konsiderueshme të diplomatëve të shteteve perëndimore, të cilët pas Marrëveshjes së Dejtonit e rehabilitonin gjithnjë e më shumë Milošević-in. Në lidhje me këtë historiani Noel Malcolm përveç të tjerash shkruan: “Marrëveshja e Dejtonit në përgjithësi ndikoi në konsolidimin e sundimit të Milošević-it në Serbi: diplomatët e Perëndimit deklaruan haptazi se ata i ishin atij mirënjohës për përpjekjet e tij “për vendosjen e paqes” dhe se e konsideronin atë si një forcë konstruktive në rajon, largimi i të cilit mund të shpinte në një destabilizim”. [14] Me fjalë të tjera, nga njëra anë, shtetet perëndimore, edhe pse kishin keqardhje më shumë dhe më pak për situatën e rëndë të shqiptarëve në Kosovë, nuk ishin në gjendje ta shpërblejnë politikën paqësore të Kosovës që sakrifikonte me vite në kurriz të shqiptarëve për zgjidhje politike paqësore dhe për ruajtjen e stabilitetit në Ballkan. Nga ana tjetër, politika e Lëvizjes Paqësore (para Konferencës së Dejtonit) si faktor i brendshëm dhe gjenocidi në Bosnjë si faktor i jashtëm (që preku thellë ndërgjegjen e shteteve perëndimore), përveçse ishin një sfidë morale për shumë diplomat perëndimorë, njëkohësisht shërbyen edhe për legjitimin ndërkombëtar të UÇK-së, në kuptimin se shqiptarët e Kosovës në bashkëpunim me bashkësinë ndërkombëtare kishin provuar me vite ta zgjidhin problemin e Kosovës pa luftë, por ishin refuzuar nga Milošević-i dhe se shtetet perëndimore nuk mund të toleronin të ndodhte në Kosovë e njëjta përmasë gjenocidiale që kishte ndodhur në Bosnjë. Veçanërisht duke e marrë parasysh edhe faktorin gjeopolitik ngaqë një konflikt i armatosur në Kosovë (për dallim të Bosnjës) e kishte potencialin e zgjerimit të luftës përtej kufijve të Jugosllavisë.

Në këtë vazhdimësi, kryesisht dy ndodhi të mëdha e bën ndryshimin e madh për mobilizimin, fuqizimin dhe faktorizimin e UÇK-së. Ndodhia e parë është e ngjashme me rënien heroike në krye të detyrës të prijësve emblematik të LPK-së, Jusuf Gërvallës, Kadri Zekës, Bardhosh Gërvallës, Rexhep Malës, Nuhi Berishës etj., në një periudhë kyçe historike (pas demonstratave të vitit 1981), që ndikoi për një inkurajim dhe mobilizim të fuqishëm në kuadër të LPK-së. Ngjashëm, në një periudhë kyçe historike, rënia heroike në mars të vitit 1998, e prijësit emblematik ushtarak të UÇK-së, Adem Jasharit, dhe 58 anëtarëve të familjes së tij, (ku u masakruan 59 persona nga ana e regjimit neofashist të Milošević-it), ndikoi për një inkurajim dhe mobilizim të fuqishëm ushtarak në kuadër të UÇK-së. Ndodhia e dytë është, gjithashtu, e ngjashme me ndodhin para shumë dekadash në kuadër të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare për Çlirimin e Kosovës me vise, pas vitit 1912. Sikurse kryeideologu i Lëvizjës Kombëtare Shqiptare për Çlirimin e Kosovës me vise, Hasan Prishtina, që e pati një rol shumë të rëndësishëm për orientimin politik të Lëvizjes Kaçake, duke i dhënë dimension të gjerë kombëtar (antiprovincial). Ngjashëm, një rol shumë të rëndësishëm për mobilizimin edhe më të madh politik të UÇK-së në nivel kombëtar e pati simboli i rezistencës së shqiptarëve të Kosovës, për liri dhe barazi, Adem Demaçi, i cili më 13 gusht 1998 e mori përgjegjësinë dhe u emërua përfaqësues i përgjithshëm politik i UÇK-së me seli në Prishtinë, e ashtuquajtura Zyra e UÇK-së, në Prishtinë.

Në vijim, disa nga frymëzuesit emblematik disa prej tyre edhe themelues emblematik të UÇK-s, duke e përfshirë prijësin emblematik ushtarak të UÇK-së, Adem Jasharin dhe prijësin emblematik politik të UÇK-së, Adem Demaçin:

Edhe pas krimit monstruoz të regjimit të Milošević-it në sulmin ndaj familjes Jashari, duke e përfshirë sulmin të njëjtin muaj më 24 mars 1998 ndaj familjes Haradinaj, që së bashku me bashkëluftëtarët e tyre bëri një rezistencë heroike në një përballje luftarake krejtësisht të pabarabartë me forcat serbe[15], institucionet politike ndërkombëtare ende vazhdonin të kenë një qasje refuzuese dhe paragjykuese ndaj UÇK-së. Rrjedhimisht, hapja e Zyrës së UÇK-së, në Prishtinë, ishte e një rëndësie të veçantë, edhe si vlerë në vete, sepse udhëhiqej nga Adem Demaçi, si personalitet i mirënjohur ndërkombëtarisht në fushën e të drejtave të njeriut (përveç të tjerash i mirënjohur edhe me çmimin Sakharov etj.). Njëherësh konsolidimi i Grupit Diplomatik të UÇK-së që përbëhej kryesisht nga veprimtar të mirëshkolluar në universitete prestigjioze perëndimore dhe që përfaqësonin UÇK-në në pothuajse të gjitha shtetet perëndimore e pati një rol vendimtar për arritjet e para diplomatike të UÇK-së. Në këtë mënyrë, UÇK arriti të shënoj një etapë të re në vazhdën e (dhe si kulminacion) i kryengritjeve të armatosura dhe përpjekjeve të shqiptarëve për çlirimin e Kosovës prej vitit 1912. Sepse, tashmë UÇK duke qenë e inkurajuar nga altruizmi patriotik, heroizmi dhe sakrifica sublime e familjes Jashari, përveçse arrinte të bënte një përballje titanike ushtarake, edhe pse ishte tërësisht asimetrike në raport me forcat ushtarake të regjimit të Milosheviqit (sikurse Davidi kundër Goliatit), gjithashtu për të parën herë përfaqësimi politiko-diplomatik i një kryengritje të armatosur të shqiptarëve të Kosovës (UÇK-së) arrinte suksese të njëpasnjëshme diplomatike. Fillimisht ky sukses diplomatik u arrit si rezultat i veprimtarisë së Grupit Diplomatik të UÇK-së, nëpërmes takimeve dhe komunikimeve të suksesshme fillestare në emër të UÇK-së, përveç të tjerash me Richard Holbrooke (i dërguar special i ShBA-së për Ballkanin) [16], Ministrin e Punëve të Jashtme të Austrisë, Wolfgang Schüssel (gjatë kësaj periudhe Austria ishte udhëheqëse e radhës së BE-së) [17], Ministrin e Punëve të Jashtme të Norvegjisë, Knut Vollebæk i cili gjatë luftës në Kosovë ishte udhëheqës i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) [18], dhe me shumë personalitete të tjera me ndikim politiko – diplomatik në shtetet perëndimore, përfshirë interesimin e madh të gazetarëve të huaj që i mundësuan Grupit Diplomatik të UÇK-së, mbajtjen e konferencave dhe paraqitjen në debatet televizive dhe në mediat e shkruara në shtetet perëndimore[19], duke përfshirë edhe deklaratat fillestare në mediat e huaja në emër të UÇK-së dhe në mbështetje të UÇK-së. [20] Rrjedhimisht, si rezultat i rëndësisë së hapjes së Zyrës së UÇK-së, në Prishtinë, dhe veprimtarisë intensive politike, diplomatike dhe mediatike, të Grupit Diplomatik të UÇK-së, duke e përfshirë Kryesinë dhe Këshillin e Përgjithshëm të LPK-së, Dega jashtë vendit (përfshirë disa personalitete në kuadër të diasporës shqiptare dhe në përgjithësi aktivitetet pro UÇK-së të diasporës shqiptare), u arrit të ndryshohet qasja refuzuese dhe paragjykuese që ishte krijuar për UÇK-në, në kuadër të institucioneve politike ndërkombëtare. Në këtë kontekst më 23 shtator 1998 Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara, miratoi Rezolutën 1199, që shënoi një ndryshim cilësor lidhur me qëndrimin ndaj UÇK-së. Në lidhje me këtë, studiuesi Daniel Cservolgyi, përveç të tjerash, shkruan: “Pas riklasifikimit të saj, UÇK-ja u bë një lojtar i domosdoshëm në procesin e paqes në Kosovë. Përfshirja e UÇK-së në bisedimet për zgjidhjen e konfliktit kishte ndodhur tashmë gjatë procesit të riklasifikimit të saj në qershor-korrik 1998, pas të cilit, UÇK-ja nuk u lidh më kurrë përsëri me terrorizmin në deklarata të gjera politike. Më pastaj, në shtator të vitit 1998, të gjithë anëtarët e KS të OKB-së nënshkruan Rezolutën nr. 1199, e cila e mbishkroi ose e zëvendësoi në shumë fusha Rezolutën e marsit nr. 1160”. [21]  Kjo ishte me rëndësi sepse propaganda e regjimit serb përpiqej, përveç të tjerash, ta paraqesë UÇK-në në arenën ndërkombëtare si një organizatë terroriste dhe si organizatë fundamentaliste fetare. Për më tepër, kjo ishte e një rëndësie të veçantë, sepse shqiptarët e Kosovës prej vitit 1912, në disa raste kishin korrur suksese gjatë betejave ushtarake, por tani si UÇK për të parën herë korrnin suksese gjatë betejave të njëpasnjëshme diplomatike, duke i përforcuar dhe siguruar binarët drejtë imponimit të çështjes së Kosovës për zgjidhje në kuadër të agjendës ndërkombëtare.

Qeveria e Kosovës në Egzil në krye me Bujar Bukoshin, krijoi konfuzion gjatë mesit të pranverës së vitit 1998, me iniciativën për formimin e Forcave të Armatosura të Republikës së Kosovës (FARK), njëkohësisht iniciativë shumë e vonuar, ngaqë kishte pasur në dispozicion gati dhjetë vjet për të formuar një ushtri dhe nuk e formoi e, gjithashtu, edhe iniciativat nga grupet që kishin treguar gatishmëri dhe guxim brenda LDK-së, të cilat përfaqësoheshin nga Sali Çekaj etj., u ndërprenë dhe u demotivuan si rezultat i mosmbështetjes së duhur që nga viti 1991/92. Për më tepër, kjo iniciativë ishte konfuze në kuptimin e ndërtimit të një strukture paralele ushtarake krahas UÇK-së por, fatmirësisht, persona të përgjegjshëm, të udhëhequr nga Sali Çekaj etj., treguan maturi duke e orientuar këtë strukturë si përforcim në kuadër të UÇK-së dhe jo si rivale e saj, në kuptimin se FARK-u ishte pjesë e UÇK-së. Kjo gjë edhe u përsqarua në bisedimet në mes të përfaqësuesve të UÇK-së dhe të FARK-ut, në Takimin e Oslos. Kështu që në këtë vazhdë, FARK-u, u bë edhe formalisht pjesë e UÇK-së, duke iu përmbajtur siglës dhe strukturës organizative të UÇK-së, por në nivel të njësive udhëhiqej nga komandantët e emëruar nga ministri i Mbrojtjes në qeverinë Bukoshi, koloneli me përvojë të gjatë ushtarake, Ahmet Krasniqi etj. Në fakt, kyçja paraprakisht e disa ushtarakëve profesional shqiptar (me prapavijë ushtarake profesionale nga ish – armata jugosllave, dhe me prapavijë profesionale ushtarake nga armata e shtetit shqiptar), dhe në këtë vazhdë kyçja edhe e ushtarakëve të tjerë (me prapavijë ushtarake nga ish – armata jugosllave), të inkurajuar nga Kolonel Ahmeti Krasniqi, e fuqizuan UÇK-në, deri në një masë, edhe në aspektin profesional ushtarak.

Për takimin në Oslo në muajin maj të vitit 1998, në mes përfaqësuesve të UÇK-së dhe të FARK-ut, është përkujdesur Bashkësia Shqiptare në Norvegji (BSHN), e cila përfshinte brenda vetes të gjitha subjektet politike dhe kulturore shqiptare në Norvegji, pa dallim bindjesh politike dhe fetare, me një qëllim të përbashkët: në përkrahje logjistike, politike dhe diplomatike të UÇK-së, si mjet i fundit për kyçjen e çështjes së Kosovës për zgjidhje në kuadër të agjendës ndërkombëtare. Suksesi më i madh i Takimit në Oslo, përkundër sfidave, është se ka arritur të shmang mundësinë potenciale të luftës vëllavrasëse në mes shqiptarëve gjatë luftës në Kosovë, meqë jo vetëm shërbimi serb por edhe disa shërbime të tjera – rajonale punonin me ngulm për të vu përçarje/vëllavrasje në mes shqiptarëve. Njëherësh edhe shërbimet tjera përtej – rajonale, punonin me ngulm që të kufizohej potenciali i fuqizimit ushtarak për UÇK-n, në mënyrë që lufta në Kosovë të mos përshkallëzohej (përtej kufijve të Kosovës) dhe veçanërisht që UÇK të vihej nën kontrollin e faktorëve relevant ndërkombëtar. Rrjedhimisht kush nuk ishte në takt me këto qëndrime të faktorëve relevant ndërkombëtar, konsiderohej prej tyre i paakseptueshëm për bashkëpunim madje edhe i rrezikshëm. Me fjalë të tjera, u pamundësua evoluimi i UÇK-së në një ushtri me mobilizim të përgjithshëm kombëtar dhe me profesionalizëm të plotë ushtarak. E tëra rezultojë me Konferencën e Rambujesë.

Udhëheqja politiko-ushtarake e Kosovës, u sfidua shumë nga dokumenti i propozuar për negociata në Konferencën e Rambujesë ngaqë në pikënisje, ky dokument garantonte sovranitetin dhe integritetin territorial të Republikës Federative Jugosllave (RFJ-së) de facto të Serbisë, mbi Kosovën, dhe parashihte një autonomi për Kosovën që nuk ishte në nivel as me autonominë që kishte Kosova në bazë të Kushtetutës të vitit 1974. Në kuadër të këtyre zhvillimeve, kryesuesi i delegacionit të Kosovës në Konferencën e Rambujesë, Hashim Thaçi, sa e kishte privilegjin po aq e kishte të vështirë pozitën e kryesuesit të delegacionit. Për më tepër, ishte nën hijen, në kuptimin e presionit psikologjik, të dy personaliteteve më me ndikim politik në Kosovë gjatë kësaj periudhe. Kjo gjendje, në fakt, e ndihmoi Hashim Thaçin, ta gjejë zgjidhjen më të mirë të mundshme. Brenda kështjellës e kishte simbolin e rezistencës paqësore të Kosovës, Ibrahim Rugovën, i cili, me personalitetin e tij si misionar i paqes e rriste presionin psikologjik pro nënshkrimit gjithsesi të një marrëveshjeje si rrugë drejt paqes. Jashtë kështjellës e kishte simbolin e rezistencës së shqiptarëve të Kosovës për liri dhe barazi, njëherësh prijës emblematik politik i UÇK-së, Adem Demaçin, i cili (edhe pse e kishte refuzuar që në fillim dokumentin e propozuar për negociata), me ndikimin që kishte, e rriste presionin psikologjik në kuptimin që të mos pranohet ndonjë zgjidhje pa asnjë perspektivë politike për Kosovën, dhe kështu tërthorazi ndikonte për forcimin e pozicionit negociues të delegacionit shqiptar të Kosovës në Konferencën e Rambujesë. Madje edhe Madeline Albright në librin e saj Madam Secretary: a memoir, përveç të tjerash, shkruan se Demaçi ishte: “Një prej atyre që i bënin presion Thaçit ta ruante qëndrimin më të ashpër të mundshëm.” [22]  Në këtë vazhdë, pasi që u premtua se zgjidhja finale për Kosovën do të bazohet në vullnetin e popullit (edhe pse shprehja “vullneti i popullit” nuk ishte e konkretizuar)[23], delegacioni i shqiptarëve të Kosovës, i kryesuar nga Hashim Thaçi dhe Ibrahim Rugova, në të cilin kontribut të rëndësishëm dhanë edhe Rexhep Qosja dhe Veton Surroi (bashkërisht me delegatët e tjerë), e pranoi propozimin për Marrëveshjen e Rambujesë dhe e nënshkroi më 18 mars 1999 në Paris të Francës, e gjithë kjo në kombinim me refuzimin e Milošević-it të kësaj marrëveshje, rezultoi me intervenimin ajror të NATO-s dhe çlirimin përfundimtar të Kosovës. Sipas ballkanologut norvegjeze Svein Mønnesland, Milošević-i e refuzoi marrëveshjen e Rambujesë sepse nuk pranoi, siç parashihte kjo marrëveshje, stacionimin e trupave paqeruajtëse të udhëhequra nga NATO dhe se kjo marrëveshje pas tre vjetësh parashihte një lloj referendumi për Kosovën.[24] Këto dy arsye kryesore në lidhje me refuzimin e marrëveshjes së Rambujesë nga Milošević-i, janë konfirmuar para rreth një viti edhe nga Vuk Drašković (ish-kryediplomat i Serbisë gjatë Konferencës së Rambujesë) në një interviste të tij për një TV të Kosovës. Në këtë intervistë, Drašković gjithashtu jap edhe një shpjegim tjetër shtesë pse Miloševići e refuzoi marrëveshjen e Rambujesë, ku përveç të tjerash thotë: “Personalisht mendoj se Milošević-i, i kishte disa arsye të vetat që e refuzojë marrëveshjen e Rambujesë. Deri para luftës në Kosovë dhe deri para bombardimeve të NATO’s, Milošević-i në botë njihej si agresor. Si një njeri që qëndronte prapa të gjitha krimeve dhe agresioneve në Bosnje e Kroaci. Por, ai tani përnjëherë dëshironte të ishte në pozitën e viktimës. Dhe, që bota ta njihte si dikë që ishte viktimë e agresionit të forcës më të madhe ushtarake në historinë e njerëzimit. Nuk e di, ndoshta kjo ishte njëlloj kënaqësie për te”. [25]

Në përfundim të kësaj eseje vlen të theksohen disa aspekte sa i përket intervenimit të NATO-së. Së pari, intervenimi kishte të bënte me aspektin e sigurisë (për shkak të pozitës gjeografike të Kosovës) që njëkohësisht e legjitimonte ndërhyrjen e NATO-s. Në kuptimin se konflikti në Kosovë përfaqësonte një kërcënim tejet serioz për stabilitetin dhe sigurinë në zonën thelbësore të NATO-s (jo vetëm në Ballkan, por në të gjithë rajonin). Kjo do të thotë se kriza në Kosovë ishte një kërcënim për sigurinë edhe për shtetet anëtare të NATO-s, prandaj NATO kontribuoi jo vetëm në shmangien e një kërcënimi madhor të sigurisë, por edhe për t’u konsoliduar më mirë dhe për t’u zgjeruar në Ballkan. Ndërhyrja e NATO-s ishte gjithashtu në masë të madhe në përputhje me të drejtën ndërkombëtare të bazuar në dispozitat e Kartës së OKB-së për ruajtjen e paqes dhe sigurisë ndërkombëtare dhe në rezolutat përkatëse të Këshillit të Sigurimit për Kosovën. Me fjalë të tjera, Këshilli i Sigurimit i OKB-së e trajtoi krizën në Kosovë në përputhje me Kapitullin VII të Kartës së OKB-së – kërcënimet ndaj paqes dhe sigurisë ndërkombëtare të cilat mund të autorizojnë përdorimin e forcës. Prandaj, nuk kishte nevojë të domosdoshme për një rezolutë/autorizim eksplicit nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së.

Së dyti, aspekti humanitar vjen si shtesë dhe pothuajse si faktor vendimtar, ngase ishte hera e parë që NATO sulmoi një shtet sovran me justifikimin në konceptin e ndërhyrjes humanitare. Si aspekti i sigurisë ashtu edhe ai humanitar duhet parë si vazhdimësi e Procesit të Helsinkit pas përfundimit të Luftës së Ftohtë. Përkatësisht si vazhdimësi e konsolidimit më të fortë të politikave të sigurisë/paqes në Evropë përmes NATO-s dhe njëherësh si vazhdimësi e forcimit të qëndrimit se parimi i të drejtave të njeriut peshon më shumë se sa parimi i mosndërhyrjes në shtete, në rastet kur regjimet shtetërore shkelin rëndë të drejtat themelore të qytetarëve të vet dhe rrjedhimisht krijojnë kriza të rënda humanitare. Në lidhje me këtë aspekt humanitar të intervenimit të NATO-s, vlen të citojmë Václav Havel-in, si një nga aktivistët emblematik për mbrojtjen e parimit të drejtave të njeriut në kuadër të Procesit të Helsinkit, bazuar në Deklaratën e Helsinkit (1975), i cili për gazetën franceze “Le Monde” më 29 prill 1999, përveç të tjerash thotë: “Mendoj se në ndërhyrjen e NATO-s, ka një gjë që askush nuk mund ta kundërshtoj: sulmet dhe bombat nuk janë të nxitura nga ndonjë interes material. Karakteri i tyre është ekskluzivisht humanitar. Këtu kemi të bëjmë me të drejtat e njeriut, që janë prioritet. Dhe këto të drejta qëndrojnë më lart se sovraniteti i shteteve. Ja çka e bën të ligjshme sulmin kundër Federatës Jugosllave, edhe pse nuk e ka mandatin e Kombeve të Bashkuara.” [26]  Ndërsa, intelektuali dhe humanisti serb, Srđa Popović, gjatë fushatës ajrore të NATO-s, në një intervistë të botuar në ‘Feral tribune’, më 19.04.1999, përveç të tjerash thotë: “Perëndimi e kurseu Milošević-in për një kohë shumë të gjatë dhe u përpoq t’ia fshehë publikut fytyrën e tij të vërtetë…(…) Për Perëndimin, pas gjithçkasë që bëri në Kroaci, Bosnje e Kosovë, Milošević-i u bë thjesht i padurueshëm. Nuk mund të tolerohej më. Këtë që po ndodh tash, Perëndimi po e bën sepse nuk e bëri kur ishte e nevojshme. Dhe kjo ishte e nevojshme, për mendimin tim, kur u bë e qartë se çka po bëhej në Vukovar ose kur filloi rrethimi i Sarajevës ose kur ndodhi Srebrenica. Kishte një milion arsye…(…) Milošević-i ka natyrën e bishës, që vazhdimisht duhet të hyjë në konflikte dhe kriza të reja, duke i dhënë rëndësi vetes, duke u ofruar si bashkëbisedues i domosdoshëm dhe faktor i rëndësishëm politik. Perëndimi thjesht u ngop me këtë…(…) Unë jam pacifist dhe kundër çdo dhune. Por, megjithatë mendoj se ndërhyrja duhej të bëhej. Madje erdhi shumë vonë. E kam thënë publikisht se do të duhej të bëhej pas Vukovarit ose më së voni kur filloi agresioni ndaj Bosnje-Hercegovinës. U bë e qartë se nuk kishte rrugë tjetër për ta ndalë Milošević-in. Po të ndodhte kjo, shumë viktima do të ishin parandaluar, e ndërhyrja do t’i kishte ndihmuar edhe popullit serb. Domethënë, nuk do të kryheshin shumë krime, për të cilat serbët si komb kanë emër të keq. Popullit serb i duhej një disfatë ushtarake edhe për arsye psikologjike, për të kuptuar sa e gabuar ishte e gjithë kjo politikë. Dukej sikur i gjithë populli kishte marrë drejtimin e gabuar në një udhëkryq dhe po zhytej thellë e më thellë në katastrofë…(…) Besoj se u bë gabim i madh kur vendet perëndimore nuk e dënuan Armatën Popullore të Jugosllavisë dhe Milošević-in për atë që ata vërtet janë fajtorë, e që është gjenocidi. Madje, gjenocid i përsëritur – pas gjenocidit të kryer në Bosnje, tani po kryejnë gjenocid të ri në Kosovë. Këtu në Amerikë, kjo fjalë vështirë veçohet e përdoret sepse komuniteti hebre dëshiron, si të them, ta ruajë monopolin mbi atë kualifikim, duke thënë se nuk është gjenocid, meqë ndaj tyre është kry gjenocidi i vërtetë, çka është e pakuptimtë”.[27]

Së treti, aleanca e NATO-s kundër regjimit të Milošević-it, ka qenë aleancë kundër një regjimi (siç kanë qenë aleancat kundër regjimit të Hitlerit dhe kundër shembujve të tjerë të regjimeve tiranike në botë), dhe nuk ka qenë aleancë kundër popullit serb. Gjithashtu, edhe përpjekjet e shqiptarëve të Kosovës për liri dhe barazi kanë qenë përpjekje kundër regjimit të Millosheviqit (duke përfshirë regjimet e mëparshme shtypëse të shtetit serb ndaj shqiptarëve), dhe jo kundër popullit serb. Si shembull për këtë vlen ti referohemi një fragmenti nga libri i historianit Noel Malcolm, që dëshmon se që në fillesën e tyre, përpjekjet e shqiptarëve të Kosovës për liri dhe barazi të frymëzuara nga kryeideologu Hasan Prishtina, kanë qenë të drejtuara kundër regjimit serb dhe jo kundër popullit serb, në lidhje me këtë, Malcolm përveç të tjerash shkruan: “ Shumica e udhëheqësve politikë të Kosovës të kohës së luftës tashmë ishin larguar nga territori i Kosovës, një grup i tyre, nën udhëheqjen e Hasan Prishtinës, u mblodh në Shkodër në nëntorin e vitit 1918 dhe e formoi Komitetin për Mbrojtjen Kombëtare të Kosovës, i njohur më mirë si Komiteti i Kosovës…(….) Ç’është e vërteta, Komiteti i Kosovës pjesën më të madhe të energjisë ia kushtoi përkrahjes, deri në një shkallë edhe udhëheqjes së Lëvizjes Kaçake brenda Kosovës. Në fillim të vitit 1919, ky komitet përgatiti një varg rregullash të përgjithshme të lëvizjes, duke filluar me këto dy pika; 1: asnjë kryengritës nuk bën t’i lëndojë serbët vendës, por vetëm ata të cilët rrokin armët kundër shqiptarëve; 2: asnjë kryengritës nuk bën të djegë ndonjë shtëpi apo të rrënojë ndonjë kishë” [28] Madje simboli i shqiptarëve të Kosovës për liri dhe barazi, Adem Demaçi, edhe pse i kaloi 28 vjet në burgjet e Jugosllavisë, mbeti kundërshtar i betuar i politikës së hakmarrjes dhe urrejtjes ndëretnike, duke konsideruar se populli serb po manipulohet nga pushteti dhe se një popull i tërë nuk duhet të identifikohet me asnjë klasë politike në pushtet. Rrjedhimisht, për Demaçin nuk kishte popuj të këqij por vetëm regjime të këqija, gjithashtu nuk harronte ti vlerësonte intelektualët serbë, të cilët ishin mjaft të guximshëm për të gjetur mënyra për të artikuluar kundërshtimin e tyre ndaj autoriteteve serbe: Bogdan Bogdanović, Milan Nikolić, Zagorka Golubović, Srđa Popović, Lazar Stojanović etj., duke i konsideruar si bijtë e vërtetë të popullit serb. [29]

Së katërti, edhe pse, intervenimi i NATO-s në Kosovë nuk ndodhi sikurse intervenimi për çlirimin e Kuvajtit në vitet 1990-’91 nga aleatët perëndimorë (të cilët përdorën trupat tokësore).

Njëherësh, edhe pse gjatë periudhës 78 – ditëshe të sulmeve ajrore të NATO-s (që filluan me 24 mars 1999 me qëllim për të ndal gjenocidin e regjimit të Milošević-it në Kosovë), Milošević-i, u hakmor në popullatën e pambrojtur civile shqiptare të Kosovës, duke kryer krime me përmasa gjenocidiale. Në fakt, Miloševići u ndal vetëm pasiqë NATO e kërcënoi me përgatitjen e sulmeve me trupat tokësore, madje edhe vetë gjenerali Wesley K. Clark e vërteton këtë në njëfarë mënyre se sikur të kishin filluar që në fillim përgatitjet për intervenim tokësor do të shpëtoheshin shumë njerëz të pafajshëm. Në librin e tij Waging Modern War (2001), përveç të tjerash, shkruan: Planifikimi dhe përgatitjet për ndërhyrje tokësore ishin në proces aty nga fundi i fushatës ajrore dhe unë jam i bindur se kjo, në veçanti, e shtyu Miloševići-n të dorëzohet.[30] Gjithashtu, edhe pse ndihma për Kosovën (si rezultat i intervenimit ajror të NATO-s) nuk është shembull i izoluar, ngase historia na mëson se nuk ka popull që është çliruar krejtësisht vet ose shtet që është formuar krejtësisht vet, pa ndihmën më shumë dhe më pak e të tjerëve/të huajve. Megjithëkëtë, shqiptarët e Kosovës janë dhe do të mbesin përgjithmonë mirënjohës për ndihmën e të huajve për arritjen dhe forcimin e paqes në Kosovë, sepse mirënjohja është edhe pjesë e rëndësishme e traditës shqiptare. Për më tepër, siç thotë filozofi i shquar gjerman Emanuell Kant, mirënjohja është “detyrë e shenjtë”.

Krejtësisht në përfundim të kësaj eseje, vlen të theksohet se parakusht kryesorë dhe i domosdoshëm për ndërhyrjen e NATO-s dhe çlirimin përfundimtar të Kosovës, ishte UÇK-ja (duke e përfshirë edhe kontributin e Lëvizjes Paqësore të Kosovës), që arritën më shumë dhe më pak në kuptim komplementar që çështjen e Kosovës (që kishte mbetur çështje e pazgjidhur prej vitit 1912) ta imponojnë për zgjidhje në kuadër të agjendës ndërkombëtare, dhe me sakrificën e heronjve, dëshmorëve dhe viktimave të luftës, shërbyen si katalizatori kryesor për çlirimin e Kosovës. Duke e përfshirë mbështetjen e shtetit shqiptar (Shqipërisë Londineze) dhe rolin vendimtar të intervenimit ushtarak ajror të NATO-s, në krye me ShBA-në (përfshirë të gjitha shtetet anëtare të NATO-s).

Njëherësh, në kuadër të kësaj game të faktorëve kryesorë që quan në çlirimin përfundimtar të Kosovës, vlen të theksohet se në rastin e Kosovës, intervenimi ushtarak ajror i NATO-s, ka pasur të bëjë shumë edhe me presionin moral ndaj shteteve perëndimore dhe organizatave ndërkombëtare (NATO-s, OKB-s etj.), në kuptimin për të ndërmarr diçka për të ndalur regjimin vrastar të Milošević-it. Ngase ky presion moral zhvillohej brenda vet shteteve perëndimore, nga mediat, OJQ-t etj. Për më tepër, ky presion zhvillohej kryesisht si rezultat i aktiviteteve intensive të diasporës shqiptare, e veçanërisht si rezultat i veprimtarisë intensive të anëtarëve të Grupit Diplomatik të UÇK-së në shtetet perëndimore, që në fakt nëpërmes takimeve dhe komunikimeve të suksesshme fillestare në emër të UÇK-së (me diplomat, politikan, intelektual, gazetar etj., me ndikimin në shtetet perëndimore) i përforcuan dhe i siguruan binarët drejtë imponimit të çështjes së Kosovës për zgjidhje në kuadër të agjendës ndërkombëtare. Krahas Grupit Diplomatik të UÇK-s, një rol të rëndësishëm e kanë pasur edhe Kryesia dhe Këshilli i Përgjithshëm i LPK-së, Dega jashtë vendit (duke përfshirë kontributin edhe të disa personaliteteve në kuadër të diasporës shqiptare). Në fakt e gjithë kjo veprimtari ishte edhe kulminacion i përpjekjeve të vazhdueshme dhe të përgjithshme të ish-emigracionit politik shqiptar (dhe të diasporës shqiptare në përgjithësi) drejt çlirimit përfundimtar të Kosovës.

REFERENCAT:

[1] Emrush Xhemajli (2021): Dita e pagëzimit të UÇKsë: https://kosovapress.com/%E2%80%8Bdita-e-page zimit-te-uck-se/

[2] Besim Muhadri (2010): Fronti i Rezistencës dhe i Bashkimit Kombëtar u themelua si një organizatë politikoushtarake: http://www.zemrashqiptare.net/news/1432 0/besim-muhadri-fronti-i-rezistences-dhe-i-bashkimitkombetar-u-themelua-si-nje-organizate-politikoushtarake.html?skeyword=a

[3] Emrush Xhemajli (2002): Lëvizja Popullore e Kosovës 1982-2002: http://lpkkosova.com/historiku.html

[4] Po aty

[5] Emisioni “Rasti V – VI”, pjesa 1 dhe 2, mysafir: Ibish Neziri etj. (2019): https://www.youtube.com/watch?v=RBW2PLxy9K4 dhe https://www.youtube.com/watch?v=JGS8QgABPSw&feature=youtu.be

[6] Zëri i Kosovës, nr. 15, 15 shtator 1993, programi i LPK-së, f. 4.

[7] Intervistë televizive e Xhafer Shatrit në KTV – Kohavision – DESKU, më 08.09.2020: Telashet e Kosovës – Xhafer Shatri, Desku, 08.09.2020, YouTube.

[8] Intervistë e Xhafer Shatrit për Gazetën zvicerane Le Temps, më 02. 07. 1998: https://www.letemps.ch/suisse/geneve-un-attentatvise-tres-discret-ministere-kosovar-linformation

[9] Emrush Xhemajli (2002): Lëvizja Popullore e Kosovës 1982-2002: http://lpkkosova.com/historiku.html

[10] Intervistë televizive e Nait Hasanit në TV – Pressing T7, më 19. 04. 2023: Rrëfimi për Tribunalin, burgun, UÇK’në.: https://www.youtube.com/watch?v=fA0RgxX7CzU Shih edhe rrëfimin e rrallë të Jakup Nurës, shokut të Adem Jasharit, në TV – Pressing T7 : https://www.youtube.com/live/m23TJau-Bhk

[11] Emrush Xhemajli (2002): Lëvizja Popullore e Kosovës 1982-2002: http://lpkkosova.com/historiku.html

[12] Po aty

[13] Intervistë televizive e Nait Hasanit në TV – Pressing T7, më 19. 04. 2023: Rrëfimi për Tribunalin, burgun, UÇK’në.: https://www.youtube.com/watch?v=fA0RgxX7CzU

[14] Noel Malcolm (2001): Kosova, një histori e shkurtër. Prishtinë: KOHA., f. 368.

[15]  Lajmi.net (2020): 22 vjet nga Epopeja e Dukagjinit: https://lajmi.net/22-vjet-ngaepopeja-e-dukagjinit/

[16] Intervistë e Bardhyl Mahmutit për gazetën Epoka e Re, më 25.09.2023: https://www.epokaere.com/interviste-ekskluzive-me-bardhyl-mahmutin-si-u-hoq-cilesimi-i-uck-se-si-organizate-terroriste-1/

[17] Sabri Kiçmari (2017): Fitorja diplomatike: Kujtime nga përfaqësimi diplomatik i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Prishtinë: Epoka e re., f. 62-70

 [18] Intervistë e Bardhyl Mahmutit për gazetën Epoka e Re, më 20. 12. 2023: https://www.epokaere.com/deklarata-politike-numer-7-i-hapi-dyert-e-diplomacise/?fbclid=IwAR3

[19] Po aty

[20] Gazeta Bujku (10 dhjetor 1997): Mjetet skandinave të informimit rreth ekzistimit dhe aksioneve të UÇK-së. Shih në lidhje më këtë edhe në nyjën në vijim: https://www.scribd.com/document/557546433/Politika-Nordike-dhe-Levizja-Popullore-e-Kosoves-LPK , f. 203 – 207

[21] Daniel Cservolgyi (2002): The role and ramifications of the Kosovo Liberation Army`s reclassification in the peace process of Kosovo. Naval Postgraduate School Montery, California : AD1173258.pdf (dtic.mil)

[22] Madeleine Albright (2003): Madam Secretary: a memoir. Miramax Books. United States, f. 404.

[23] Rambouillet Accords: Interim Agreement for Peace and Selv-Government in Kosovo 1999, f. 85: https://peacemaker.un.org/sites/peacemaker.un.org/ files/990123_RambouilletAccord.pdf

[24] Svein Mønnesland: Før Jugoslavia ogetter, Syspress Forlag, Oslo, 2006, f. 359.

[25] Intervistë ekskluzive me Vuk Drashkoviqin, flet për krimet serbe dhe për raportet me shqiptarët (05.06 2023) :  https://www.youtube.com/watch?v=K6R-lxnfF-w&t=2727s )

[26] Intervistë e Vaclav Havel për gazetën franqeze “Le Monde” ( 29. 04. 1999): Moi aussi je me sens albanaishttps://www.lemonde.fr/archives/article/1999/04/29/moi-aussi-je-me-sens-albanais_3554258_1819218.html, shif edhe: Libquotes: Václav Havel Quote; https://libquotes.com/václav-havel/quote/lbz0b6j

[27] Shkëlzen Gashi (2024) Serbia Tjetër 3, Srda Popovic, Botues: Admovere : Fragmente nga intervista “Srpski spas zove se Haag” (Shpëtimi sërb quhet Hagë), realizuar nga Darko Vukorepa, botuar në ‘Feral tribune’, 19.04.1999, Split: https://admovere.org/wp-content/uploads/2024/03/Serbia-Tjeter-3.pdf

[28] Noel Malcolm (2001): Kosova, një histori e shkurtër. Prishtinë: KOHA., f. 284-285

[29] Shkëlzen Gashi (2010): Adem Demaçi, biografi e paautorizuar. Shtëpia Botuese Rrokullia., f. 99 – 101

[30] Wesley Clark: Waging Modern War. Public Affairs Ltd., 2001, f. 429.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kylian Mbappe gjithmonë i bën njerëzit të flasin për të…