Opozita po ia konteston shifrat, VV ankohet se s’po “jepen” lajmet për ato që i konsideron arritje në ekonomi
Numrat janë shndërruar në objekt debati ndërmjet Qeverisë së drejtuar nga Albin Kurti dhe partive opozitare, LDK dhe PDK që kanë reaguar ndaj publikimeve të Ministrit të Financave Hekuran Murati.
Lëvizja Vetëvendosje në pushtet pohon se gjatë tri viteve në qeverisje” kanë shënuar suksese në fushën e ekonomisë”. Por, opozita e thotë të kundërtën, sipas tyre “jeta e qytetarëve është vështirësuar”.
“Statistikat po manipulohen për propagandë”, është konstatimi opozitar, sidomos në debatin e fundit ku ministri i Financave, Punëve dhe Transferve, Hekuran Murati, publikoi të dhëna për rritjen e numrit të bizneseve.
Rrjedhojë e kësaj, LVV-ja të dielën publikoi një tabelë ku proklamojnë se ka 4.8 për qind më shumë rritje të qarkullimit të bizneseve gjatë përiudhës janar-shkurt të këtij viti krahasuar me vitin e kaluar.
Sipas pushtetit, ka më shumë biznese të hapura, si dhe investimet kapitale kanë shënuar rritje.
Por, ky subjekt politik thotë se këto të dhëna “nuk po bëhen lajme”.
Çështja e debatit për statistika ishte aktivizuar në kohën e pandemisë, kur Qeveria e Albin Kurtit thoshte ka rritje ekonomike dyshifrore, ndërkaq opozita e cilësonte si “propagandë”, duke thënë se metodologjia krahasuese me vitin pandemik ku gjithçka ishte e bllokuar ka qenë tendencioze nga ana e pushtetit.