Kontingjenti i dytë i FSK-së niset për operacion humanitar në Shqipëri
Është nisur të enjten kontingjenti i dytë i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) për në Shqipëri, për të ndihmuar në sanimin e pasojave pas vërshimeve që patën ndodhur në muajin dhjetor 2017.
Me këtë rast, gjeneral Gëzim Hazrolli, ka kërkuar nga pjesëtarët e Batalionit të Xhenios që të jenë vigjilentë në punë dhe t’i kushtojnë një kujdes të veçantë sigurisë në punë gjatë realizimit të detyrave, me qëllim të përmbushjes së misionit të tyre.
Ai ka vlerësuar lartë punën dhe profesionalizmin e treguar gjatë operacionit në Shqipëri në fund të vitit 2017, dhe ka theksuar bindjen e tij se kontingjenti do të bëjë më të mirën edhe në përfundimin e këtij operacioni në të mirë të qytetarëve të Shqipërisë.
Kontingjenti i FSK-së, i përbërë nga 31 pjesëtarë dhe me 15 automjete do të vazhdojnë punën në ndërtimin e urës, të caktuar nga Qeveria shqiptare.
Pas përfundimit të punimeve teknike nga pala shqiptare, pjesëtarët e FSK-së, nga Batalioni i Xhenios do të bëjnë montimin e urës për të lehtësuar qarkullimin e qytetarëve.