Kontingjenti i ri ushtarak moldav niset për në Kosovë

23 janar 2025 | 17:02

Ushtria Kombëtare e Moldavisë ka dislokuar kontingjentin e 22-të të ushtarëve në operacionin paqeruajtës të KFOR-it në Kosovë.

Në ceremoninë e sotme zyrtare morën pjesë kryesia e Ministrisë së Mbrojtjes dhe Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Kombëtare, ambasadorë, atashe ushtarakë, si dhe familjarë të oficerëve, rreshterëve dhe ushtarëve të kontingjentit.

“Ne tashmë kemi 11 vjet prani në misionin e KFOR-it, gjë që dëshmon se Republika e Moldavisë është një partner i besueshëm dhe se Ushtria Kombëtare është e trajnuar në mënyrë efektive sipas standardeve ndërkombëtare, e ndërveprueshme me ushtarët e ushtrive të tjera. Kolegët tuaj nga kontingjentet e mëparshme e kanë kaluar provën e profesionalizmit para Shtabit të Misionit, dhe kam besimin se edhe ju do t’i përmbushni pritshmëritë. Tani është koha për të treguar, me veprimet tuaja, se jeni gati për të përballuar detyrat në një terren ndërkombëtar të operacioneve siç është KFOR-i”, ka thënë ministri moldav i Mbrojtjes, Anatolie Nosatii, raporton media moldave “TV8”.

Ushtruesi i detyrës së shefit të Zyrës Ndërlidhëse të NATO-s në Republikën e Moldavisë, Justin Suni, ka theksuar se ndërveprueshmëria shumëkombëshe është një nga komponentët e suksesit të misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, dhe ushtria moldave ka qenë gjithmonë e spikatur për profesionalizmin dhe përkushtimin e tyre.

Për gjashtë muaj, 41 ushtarë, mes të cilëve shtatë inxhinierë, një oficer shtabi dhe një togë prej 33 këmbësorësh, do të kryejnë misione sigurie dhe roje të objektivave ushtarake dhe do të patrullojnë në zonën e përgjegjësisë.

Ushtarët moldavë do të jenë pjesë e Komandës Rajonale-Perëndim dhe do të dislokohen në bazën ushtarake Camp Villaggio Italia në Pejë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Dëshmitari Helmut Schreckenbauer ka pohuar të enjten në Hagë që…