Kontrabandonte migrantë nga Shqipëria, në Vërmicë arrestohet një shtetas i Serbisë
16 maj 2023
| 22:43
Policia e Kosovës ka arrestuar një shtetas të Serbisë nën dyshimin për kontrabandë me migrantë.
Rasti ka ndodhur mesditën e së martës në pikë-kalimin kufitar Vërmicë ku nga Shqipëria për në Kosovë po hynte kamioni të cilin e drejtonte shtetasi serb S.H.
“Gjatë procesit të regjistrimit dhe kontrollit të hollësishëm të kamionit në vijën e dytë, Policia e Kosovës në bashkëpunim me Doganën e Kosovës kanë hasur në rimorkio në brendësi katër (4) persona shtetas të huaj”, është bërë e ditur në njoftimin e Policisë së Kosovës.
Shtetasit e huaj janë trajtuar sipas ligjit për të huajt ndërsa personi i dyshuar është ndaluar për 48 orë.