Kontratat e negociuara me kosto më të lartë se kontratat me procedurë të hapur
Zyra Kombëtare e Auditimit ka publikuar raportin e auditimit të performancës “Procedura me negocim pa publikim të njoftimit për kontratë”.
Auditimi ka evidentuar që përdorimi i procedurës së negociuar pa publikim të kontratës nuk ishte arsyetuar mjaftueshëm dhe autoritetet kontraktuese nuk i kishin shteruar të gjitha mundësitë për të shmangur përdorimin e kësaj procedure.
Raporti thekson se asnjë nga autoritet kontraktuese të audituara nuk kishin bërë analiza të përfitimeve dhe kostove pas zbatimit të kontratave dhe kështu nuk kanë një bazë mbi të cilën do të mund të merrnin vendimet për blerjet e radhës.
65% e kontratave të audituara përmes procedurës së negociuar ishin lidhur në kushte minimale të konkurrencës, prej tyre afër 47% me vetëm një operator ekonomik dhe 18% e tyre me vetëm dy operator ekonomik. Kjo mënyrë e prokurimit të mallrave dhe shërbimeve si dhe punëve, nuk është transparente dhe nuk garanton se autoriteti kontraktues ka marrë vlerë për paranë që ka shpenzuar.
Me disa përmirësime në aspektin e hulumtimit të tregut dhe të analizës së kontratave paraprake, autoritetet kontraktuese të audituara do të mund të siguronin konkurrencë më të lartë dhe çmime më ekonomike.
Besnik Osmani, Auditor i Përgjithshëm, me rastin e publikimit të këtij raporti ka potencuar se “Autoritetet kontraktuese duhet të ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme për të ulur përdorimin e procedurës së negociuar pa publikim, në mënyrë që prokurimet të jenë transparente dhe të sigurojnë konkurrencë, rrjedhimisht edhe çmime më ekonomike”.
Konkluzionet e lartcekura janë si rezultat i auditimit të 17 aktiviteteve të prokurimit të zhvilluara me procedurë të negociuar pa publikim të njoftimit për kontratë në katër autoritete kontraktuese: Ministrinë e Punëve të Brendshme, Ministrinë e Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë, Doganën e Kosovës dhe Sekretariatin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Vlera e përbashkët e këtyre kontratave është mbi 21 milionë euro.
Zyra Kombëtare e Auditimit ka rekomanduar institucionet e audituara që të zhvillojnë hulumtim të tregut për të identifikuar furnizuesit potencial dhe ofertën e tyre, të bëjnë vlerësim të duhur të nevojave dhe të shqyrtojnë produkte alternative.
Gjithashtu duhet të bëjnë një analizë të përfitimeve dhe kostove pas zbatimit të secilës kontratë në mënyrë që vendimet e ardhshme për blerje të jenë të bazuara në informata të qëndrueshme që të sigurojnë çmime më ekonomike.
/Epoka e re/