Kontributi atdhetar i gruas shqiptare parë nën prizmin e studimeve të prof. dr. Sabile Keçmezi-Basha
Prof. dr. Teuta SHALA – PELI
Fjalë e mbajtur në konferencën shkencore “40 vjet veprimtari shkencore e krijuese të prof. dr. Sabile Keçmezi – Basha”
Duke iu referuar krijimtarisë shkencore të prof. dr. Sabile Keçmezi – Basha, është e njohur se shkrimet e studiueses në fjalë shquhen për vlerën dhe rëndësinë që kanë për trajtimin dhe ndriçimin e problemeve të shumta nga historia jonë bashkëkohore. Në këtë aspekt, duke treguar interesim dhe pasion të veçantë për ndriçimin e problemeve të shumta që e karakterizojnë periudhën në fjalë, studiuesja i kushtoi kujdes të veçantë edhe kontributit të gruas në çështjen kombëtare shqiptare, duke botuar monografi, punime shkencore, si dhe fejtone kushtuar kësaj çështjeje.
Me sa duket nga shkrimet e saj, interesimin për ta vënë në pah rolin atdhetar të gruas shqiptare e shfaqi pothuajse në fillim të karrierës së saj. Falë angazhimit dhe punës së palodhshme, në opusin shkencor të profesoreshës, vetëm për kontributin e gruas ne sot kemi një monografi shkencore: “Kontributi atdhetar i Hyrije Hanës”, Libri Shkollor, Prishtinë, 2011 dhe 54 punime shkencore të botuara në revista shkencore brenda dhe jashtë vendit që disa do t’i përmendja, si: “Roli i gruas në lëvizjen kombëtare shqiptare”, “Feja, kultura dhe tradita islame ndër shqiptarë”, Prishtinë, 1995; “Portreti i nënës së Isa Boletinit”, “Isa Boletini dhe koha e tij”, Prishtinë, 1998; “Fëmijëria dhe rinia e Shotë Galicës”, “Shotë Galica, heroinë e kombit”, Prishtinë, 2003; “Prezantimi i gruas shqiptare në periudha të ndryshme kohore”, Kosova, nr. 24/25, 2002/2003, 2003; “Trajtimi i çështjes së gruas shqiptare në revistën ilegale “Kosovarja e re” (1983-1984)”, organ informativ i BGK të LRSShJ-së; “Gjurmime albanologjike”, seria e shkencave historike, nr. 38-2008, f. 9-30, Prishtinë 2009; “Gratë shqiptare për çështjen kombëtare”, revista shkencore “Kosova”, nr. 35/36, 2012; “Disidentja e parë shqiptare – Musine Kokalari”, “Epoka e re”, 10 shkurt 2007; “Anëtarja e devotshme e NDSh-së”, “Koha ditore”, 17 shkurt 2007; “Përpjekjet për balancë gjinore në dokumentet ndërkombëtare gjatë historisë”, “Epoka e re”, 24 shkurt 2007; “Gratë në Parlamentin shqiptar gjatë historisë”, “Paqja”, Viti III, nr. 17, 19 prill 2008, Prishtinë; “Angazhimi i grave në jetën politike e vendimmarrëse në Kosovë”, “Epoka e re”, 10 maj 2008, Prishtinë; “Edhe gratë shqiptare në burgjet jugosllave”, “Epoka e re”, 18 tetor 2008; “Nënëlokja e madhe që rriti trimat e kombit”, “Epoka e re”, 17 janar 2009; “Disidentja e parë shqiptare – Musine Kokalari”, “Shqiptari, Rumani”, 1 janar 2010; “Disidentja e parë shqiptare – Musine Kokalari”, “Dielli”, Nju Jork, numri festiv i vitit të Ri 2010; “Parashqevi Qiriazi, diplomatja e vetme grua në Konferencën e Paqes në Paris (1919)”, “Kosova sot”, 3 dhjetor 2011; “Xhevë Krasniqi-Lladrovci, flakadan i pashuar lirie”, “Kosova sot”, 16 qershor 2012; “Ismail Qemali, pavarësia e Shqipërisë dhe gruaja shqiptare”, “Epoka e re”, 7. 3.2012; “Qëndresa e grave të familjes Jashari”, “Epoka e re”, 8-9 mars 2018 e shumë e shumë studime të tjera që temë trajtimi kishin gruan dhe aktivitetin e saj atdhetar. Jo vetëm kaq për kontributin e gruas. Kemi edhe fejtone të shumta të botuara në shtypin ditor, ku trajtohet kontributi atdhetar i gruas shqiptare në përgjithësi, që nga pavarësia e Shqipërisë e deri në ditët e sotme.
Ku trajtohen probleme të shumta lidhur me rolin dhe angazhimin e gruas në Lëvizjen Kombëtare Shqiptare, në Lëvizjen Ilegale, si dhe në politikë, duke bërë një vështrim për angazhimin e gruas shqiptare në parlamentin shqiptar që nga fillimi e deri në ditët e sotme, si dhe për fatin tragjik të shumë femrave me të cilat ato përballen në burgjet jugosllave.
Duke hulumtuar në bibliografinë shkencore të profesoreshës kemi hasur në shkrimet që u kushtohen drejtpërdrejt figurave të grave si: Shotë Galica, Musine Kokalari, Marie Shllaku, Parashqevi Qiriazi, Hyrije Hana, Xhevë Krasniqi-Lladrovci, duke na sjellë të dhëna dhe fakte me interes jo vetëm për jetën dhe veprimtarinë e tyre, por edhe për kohën në të cilën jetuan dhe vepruan ato në përgjithësi.
Me shkrimet e veta profesoresha në të njëjtën kohë nuk la anash as kontributin e nënave, grave dhe vajzave të atdhetarëve për veprimtarinë e të cilëve ka shkruar për gjatë 40 vjetëve të veprimtarisë shkencore. Duke iu referuar këtij fakti, profesoresha me shkrime i kushton vëmendje të veçantë nënës së atdhetarit Isa Boletinit, pastaj nënës së Jusuf e Bardhosh Gërvallës, gruas së Mulla Idriz Gjilanit, si dhe shumë e shumë figurave të tjera, duke shkruar së fundi edhe për kontributin dhe sakrificën e grave dhe vajzave të familjes Jashari për nder të 20-vjetorit të rënies së tyre.
Në vazhdën e të dhënave për kontributin e gruas, profesoreshës i takon merita edhe për shkrimet ku trajtohet kontributi i gruas në fushën e arsimit, duke veçuar shkrimet që i kushtohen shkollës së parë shqipe për vasha në Prizren.
Krahas të dhënave të përmendura më lart, për njohjen e kontributit të gruas me mjaft interes është edhe monografia kushtuar Hyrije Hanës, në të cilën është përfshirë kontributi atdhetar i Hyrije Hanës që nga fillimi i veprimtarisë e deri në fundin e jetës së saj (2 korrik 2004), duke trajtuar çaste të rëndësishme nga veprimtaria atdhetare e Hyrije Hanës siç janë: tri burgosjet e saj, jeta ilegale, si dhe jeta e Hyrije Hanës pas vitit 1981. Në fund të librit përfshihen edhe kujtimet e disa personaliteteve që e kishin njohur Hyrije Hanën për së afërmi.
Shikuar realisht, nga sa u tha më lart, rezulton se studimet e prof. dr. Sabile Keçmezi – Basha na ofrojnë mundësi t’i perceptojmë në përgjithësi të dhënat me rëndësi që ndërlidhen me kontributin e gruas shqiptare të cilat u trajtuan më lart.
Si rezultat i tërë kësaj del qartë se veprat e studiueses në fjalë përbëjnë një kontribut të veçantë për njohjen, hulumtimin dhe studimin e problemeve të shumta nga periudha bashkëkohore ngaqë janë të mbështetura në burime arkivore.
Dhe krejt në fund, nga analiza e veprave të prof. dr. Sabile Keçmezi – Basha mund të konkludojmë se gjatë veprimtarisë së saj shkencore 40-vjeçare, falë punës dhe pasionit për shkencën, ne sot kemi disa vëllime të monografive të cilat na ofrojnë ndihmesë të madhe në studimin dhe trajtimin e problemeve të shumta nga periudha bashkëkohore, duke na u ofruar një mundësi e mirë për t’u thelluar në trajtimin e problemeve specifike nga periudha në fjalë.