Kontributi i madh kombëtar e shkencor i prof. dr. Sabile Keçmezi-Bashës në historiografinë shqiptare
Fjalë e mbajtur në konferencën shkencore “40 vjet veprimtari shkencore e krijuese të prof. dr. Sabile Keçmezi-Basha”
Prof. dr. Haki Kasumi
Prof. dr. Sabile Keçmezi-Basha në vitet e pas luftës çlirimtare në Kosovë bëri një bum të furishëm me botimin e shumë studimeve dhe monografive shkencore me tematikë interesante, aktuale, të qëlluar dhe të pa eksploruar që përfshijnë opusin prej 32 veprave shkencore dhe 16 letrare. Por me këtë rast do të ndalesha dhe të flas vetëm në tri nga këto. Do t’i veçoja monografitë: Sulejman Krasniqi, Veprimtaria atdhetare, Prishtinë, 2012, f. 334; “Veprimtaria atdhetare ilegale në Anamoravë 1945- 1968”, pjesa e parë, Prishtinë, 2013, f. 409 dhe monografinë “Qëndresa shekullore e familjes Mehaj”, Prishtinë, 2015, f. 360.
Autorja Sabile Keçmezi-Basha me mendjemprehtësinë, punën dhe përkushtimin e saj intelektual arriti ta përzgjedhë figurën më emblematike të një veprimtari të veçantë të çështjes kombëtare shqiptare të viseve të robëruara nga pushtuesit sllavë të jugut, të shkrimtarit më të përkushtuar të romaneve historike shqiptare, të intelektualit me vrull dhe guxim të veçantë të shprehjes së mendimit të hapur kurdoherë dhe para çdokujt, ose si mund të quhet ndryshe të intelektualit me mendimin e tij kryengritës Sulejman Krasniqi.
Monografia kushtuar kësaj figure emblematike solli porosi bëri hapje të temave tabu të vuajtjeve dhe të persekutimeve të shumë intelektualëve shqiptarë të cilët nuk mund të pajtoheshin me robërinë e vrazhdë të pushtetit okupues jugosllav. Në kushte dhe rrethana të tilla shumë sish u detyruan të largohen nga vendlindja dhe rrethi i tyre familjar dhe ta vazhdojnë jetën në mërgim. Studiuesja prof. dr. Sabile Keçmezi-Basha është e para që hapi këtë temë të plagës sonë të madhe kombëtare e cila nuk është trajtuar deri në atë kohë nga individ apo nga institucionet tona kërkimore shkencore të vendit. Ajo bëri edhe hapin e dytë të saj në këtë fushë, hulumtoi, studioi dhe shkroi një pjesë të jetës dhe të peripecive të personazhit më karakteristik të përzgjedhurit të saj, shkrimtarit të admiruar Sulejman Krasniqi.
Monografia e dytë, e cilësuar si e veçantë e kësaj studiueseje të zellshme, konsideroi me të drejtë se është: “Veprimtaria atdhetare ilegale në Anamoravë 1945-1968”, pjesa e parë, Prishtinë, 2013, fq. 409.
Prof. dr. Sabile Keçmezi-Basha deri me tash mban flamurin e hulumtueses dhe studiueses kampion i hedhjes dritë në veprimtarinë kombëtare ilegale të shqiptarëve etnikë kundër robërisë jugosllave. Ajo pas shumë kërkimeve shkencore nëpër të gjitha arkivat vendore dhe regjionale, botoi edhe disa monografi me tematikë të lëvizjes patriotike ilegale shqiptare, në mesin e të cilave bënë pjesë edhe monografia “Veprimtaria atdhetare ilegale e Anamoravës 1945-1968”, pjesa e parë, me të cilën në mënyrën më të mirë të mundshme u sublimua e vërteta historike e mbështetur në të dhënat e dokumenteve arkivore të kohës dhe të proveniencës së regjimit të pushtetit okupues jugosllav.
Autorja e respektuar, prof. dr. Sabile Keçmezi-Basha, veç të tjerash, arriti të lajë një pjesë të borxhit edhe ndaj babait të saj, të bashkëluftëtarëve të tij si dhe ndaj bashkëvendësve e bashkëkombësve në përgjithësi për sakrificën e tyre në trasimin e rrugës për çlirimin e Kosovës.
Dhe monografia e tretë me vlera të veçanta, gjithnjë sipas vlerësimeve të mia personale: “Qëndresa shekullore e familjes Mehaj”, Prishtinë, 2015, fq. 360. Duke u nisur nga fakti se ky libër monografik ka për synim të ndriçojë një pjesë të rëndësishëm të rezistencës kombëtare shqiptare në momentet më të vështira nëpër të cilat po kalonte Kosova që nga pas Lufta e Dytë Botërore.
Sakrifica dhe qëndresa e shqiptarëve në përgjithësi dhe të bëmat e familjes shqiptare Mehaj nga Prekazi, të cilat na prezantohen në këtë libër monografik si përjetësi e heroizmit të përsëritur në historinë tonë kombëtare, fenomen ky i përkushtimit atdhetar, do t’u kujtoj gjeneratave të ardhshme se për çlirimin dhe lirinë e këtyre trojeve është dashtë të sakrifikohet shumëçka, mund, djers e gjak, si dhe në fund edhe vetë jeta e shumë shqiptarëve të të gjitha moshave dhe gjinive, që Kosova dhe viset e tjera etnike, një ditë të jenë të lira dhe të bashkuara.
Autorja e nderuar e këtij studimi shkencor, aktual për kohën, intrigues për ngjarjet historike dhe e një rëndësi të veçantë për Kosovën, në veçanti e për shqiptarët në përgjithësi. Ajo, gjithashtu, vë në spikamë se e tërë veprimtaria dhe angazhimi i familjes Mehaj ka karakter kombëtar në tërë të kaluarën e lavdishme historike të disa gjeneratave, në veçanti të Tahir e Nebih Mehës.
Kunkludimi i autores se “Lufta e Tahir e Nebih Mehës ishte një ndër levat kryesore që e nxiti dhe e fuqizoi Lëvizjen Kombëtare Shqiptare në Kosovë, në vitet e kthesës së madhe historike të periudhës 1981-1990. Ajo kundërvënie e armatosur – luftë e këtyre dy trimave të Drenicës kundër forcave policore të perandorisë Jugosllave – jehoi larg dhe sensibilizoi faktorin demokratik ndërkombëtar, zgjoi shqiptarët e përgjumur dhe u tregoi atyre se kishte ardhur momenti i sakrificës së madhe për “liri a vdekje”.
Zhvillimet historike nga rënia heroike e Tahir e Nebih Mehës kanë vërtetuar rëndësinë e aktit sublim të sakrificës së tyre. Heroizmi i tyre u kuptua dhe u vlerësua drejt nga individë e familje, madje edhe nga i gjithë populli shqiptar që po dergjej nga robëria e vrazhdë sllave dhe shpejt u shndërrua në një kod kombëtar që të mos lëvizet nga rruga dhe amaneti i Mehajve dhe të gjithë dëshmorëve të kombit se vetëm me sakrifica sublime arrihet liria.
Këto janë të veçantat dhe porositë e këtyre tri monografive të koleges së nderuar prof. dr. Sabile Keçmezi-Basha, të cilën e përshëndes dhe e përgëzoi për punën dhe kontributin e madh në ndriçimin e historisë kombëtare dhe punën e saj voluminoze dhe përmbajtjesore.