Kontributi i prof. dr. Rajko Nachtigalit në fushën e albanologjisë

10 korrik 2018 | 18:22

Nikollë Berishaj

 

Elbasanishtja si themel i duhur për gjuhën e njënjëshme letrare shqipe

 

Struktura e brishtë shtetërore e Shqipërisë, e shpallur botërisht më 28 nëntor 2012 në Vlorë dhe e pranuar prej Fuqive të Mëdha, mbeti objekt i politikës rrëmbyese të fqinjëve, si të malaziasve (rrethimi i Shkodrës) dhe serbëve që pretendonin pjesët veriore të shtetit, ashtu edhe të grekëve që kishin synime për rrëmbimin e pjesëve jugore, para së gjithash ortodokse.

Edhe rolin e Italisë intelektualët e kohës e marrin si dëshirë për okupimin shqiptar, gjë që nuk ndodh me rolin e Austro-Hungarisë.

Perandoria Austro-Hungareze kohë më parë e kishte marrë rolin e mbrojtëses së katolikëve në pjesën shqiptare të Perandorisë Otomane, pra si mbrojtëse e shqiptarëve katolikë. Okupimi austro-hungarez në këtë mënyrë u pranua më parë si ndihmë dhe hap përparimtar për shqiptarët sesa si okupim. Madje, kjo edhe nga veprimtarët atdhetarë dhe nacionalistë si Luigj Gurakuqi me shokë, i cili e vlerëson “okupimin” austro-hungarez të Shqipërisë si “okupim të fuqisë mikneshë”, për dallim nga “okupimet e fuqive anmike”, siç i vlerëson ndërhyrjet e shteteve të tjera në Shqipëri.

Vërtetë se Austro-Hungaria u fut në Shkodër më 23 janar 1916 duke sjell korpusin e XIX të përbërë nga tri divizione, mirëpo ajo edhe në popull njihej si mbrojtëse e tokave shqiptare nga copëtimi serbo-malazez, veçanërisht si mbrojtëse e qytetit të Shkodrës në Konferencën e Ambasadorëve të Londrës (1913). Botërisht njihej presioni i fuqishëm që ia kishte bërë Malit të Zi në pranverën e 1913-s për t’u larguar nga Shkodra pas më se një viti rrethim, me kosto rreth 10 000 viktimash që i kishin pasur malaziasit gjatë këtij rrethimi.

Madje edhe udhëpërshkruesit nga territori i Perandorisë së Austro-Hungarisë nëpër tokat e Shqipërisë Veriore nuk ngurronin që autoriteteve të huaja, të vendosura në Shkodër, t’u mbajnë ligjërata për moskujdesin e tyre për kulturën shpirtërore të shqiptarëve. Ta përkujtojmë këtu sllovenin Niko Niniç dhe udhëpërshkrimin e tij “Albanija in Albanci” (“Shqipëria dhe shqiptarët”).[1] Fill pas librit të Niko Niniçit e kemi edhe librin e Fra Lovro Mihaçeviq (meshtarit kroat në Shqipëri) “Po Albaniji. Dojmovi s puta” (Nëpër Shqipëri. Mbresat nga udhëtimi), MH Zagreb, 1911. Fryma e këtyre udhëpërshkruesve tregon qartë simpatinë e tyre për popullin dhe kulturën shqiptare dhe kujdesin që, sipas tyre, Austro-Hungaria duhet t’ia kushtojë Shqipërisë.

Gjithashtu t’i përmendim këtu edhe studimet arkeologjike të dy studiuesve austriakë, Camilo Praschniker dhe Arnold Shober, publikuar në librin Archäologische Forschungen in Albanien und Montenegro[2] në Vjenë më 1919.

Përgatitja e terrenit që i ishte bërë ‘okupimit’ austro-hungarez të Shqipërisë bëri që AH të mos humbte kohë, por të ndërmerrte masa dhe aksione në frymën e Kultusprotektoratit. Planin e masave dhe aktiviteteve që duhej ndërmarrë në Shqipëri e futën në dokumentin Programi i veprimit, që parashihte, para së gjithash, përmirësimin e aparatit kishtar, sistemit shkollor dhe të kulturës në përgjithësi në Shqipëri.

Se qëndrimi i Austro-Hungarisë nuk ishte vetëm rezultat i politikës së ditës dhe interesave të saj afatshkurtra në këtë pjesë të Ballkanit, tregon edhe fakti se në universitetet e kohës: në Vjenë mësohet edhe Albanien im Mittelalter (Shqipëria në Mesjetë) të cilën e ligjëronte prof. dr. Jozef K. Jireçek-.[3] Po ashtu, edhe në Universitetin e Gradcit (Grazit)[4] bëheshin studime mbi gjuhën shqipe si pjesë e pandarë e lëndëve mësimore.

Censori mbretëror për librat sllavë dhe ballkanikë, Jernej Kopitari, në interesimin e vet për shqipen, ngarkon me detyrë mbledhësit e folklorit ballkanik, në mes tyre edhe Vuk Karaxhiqin, të merren edhe me folklorin shqiptar. Pasuesi i tij, Franc Miklloshiçi, më 1870 boton punimin e vet Die slavischen Elemente in albanishchen, në libër jep edhe shtrirjen e shqiptarëve dhe të dhënat statistikore për popullsinë por, çka është më me rëndësi, në fund të librit e jep edhe një bibliografi të botimeve të deriatëhershme (për të të njohura) shqipe, që fillon me fjalorin e F. Bardhit -1635 dhe përfundon me Kangët e Milosaos të J. De Radës – 1886, por që nuk i njeh as Buzukun e as dokumentet para tij. Gjithashtu, fakt interesant është edhe vendimi i shtatmadhorisë së ushtrisë austro-hungareze që gjuha shqipe të bëhet gjuhë zyrtare e saj. Këtë e bën publike në lajmet e ditës gazeta sllovene Slovenski narod.[5]

Por, t’i kthehemi objektit kryesor të interesimit tonë në këtë studim, e ky është një nga linguistët më të mëdhenj sllovenë, dhe jo vetëm, prof. dr. Rajko Nachtigal[6] (Nahtigal).

Rajko Nachtigal u lind më 14 prill 1877 në Novo Mesto në një familje intelektuale. Shkollën fillore dhe dy vjet të gjimnazit i përfundoi në Novo Mesto, ndërsa gjashtë klasat e tjera në Lubjanë. Diplomoi për filozofi në Vjenë, si student i profesorëve Jagiq, K. Jireçek, Vondrák, Meringer etj. Promovohet doktor (Filologjia sllave dhe gjuhësia krahasuese) më 1901, në kohën kur, si bursist i Ministrisë së Arsimit, ishte në studime në Moskë dhe Petrograd. Më 1902 merr pozitën e profesorit të rusishtes në Vjenë, bëhet docent i gjuhës ruse dhe lektor i po së njëjtës në Seminarin e historisë së Evropës lindore dhe Seminarin e filologjisë sllave. Më 1913 fiton titullin e profesorit inordinar, ndërsa më 1917 të profesorit të rregullt të Universitetit të Grazit (Gradec/Graz), ndërsa më 1919 prof. i rregullt i Universitetit të Lubjanës (u zgjodh dekani i parë i Fakultetit Filozofik, më vonë edhe rektor i Universitetit, më 1927/28).

Gjatë viteve të studimit u njoftua dhe krijoi miqësi të vërtetë me diplomatin dhe linguistin shqiptar nga Ohri, Gjergj Pekmezin (1872-1938), i cili në vitin 1902 u promovua në bartës të katedrës së gjuhës shqipe pranë Institutit Oriental në Vjenë. Duhet cekur se Gj. Pekmezi, R. Nachtigali dhe Ivan Prijatelji, që të tre studentë të Vatrosllav Jagiqit, ishin “treshe e pandarë miqësore” aq sa më 1902 edhe e morën banesën e përbashkët. Interesimi i përbashkët për linguistikën krahasuese i Pekmezit dhe Nachtigalit rezultoi me botimin e veprës monumentale “Grammatik der albanesischen Sprache”, të nënshkruar nga Gj. Pekmezi, por që, sipas të gjitha gjasave, e ka edhe mbështetjen shumë të madhe të mikut të tij, Nachtigalit.[7]

Interesimi i Nachtigalit për gjuhën shqipe rezultoi me publikimin e disa studimeve dhe publikimeve të rëndësishme për gjuhën shqipe dhe historinë e saj, si:

  • Die Bildung der Possessivpronomina im Albanischen und ihre bisherige falsche Auffassung (Posta e Shqypniës, Shkodër, 28 Prill 1917, 3-4);
  • Die Frage einer einheitlichen albanischen Schriftsprache (Graz, 1917);
  • O elbasanskem pismu in pismenstvu na njem (Arhiv za arbanasku starinu, jezik in etnologiju I, Beograd, 1923);
  • XV 11-32 v prevodu bratov Anastasija in Spyridona Tsellio (Tsel’o) iz Argyrokastra. Iz Kopitarjeve zapuščine (Arhiv za arbanasku starinu, jezik in etnologiju II, Beograd, 1924).[8]

 

Komisija Letrare e Shkodrës dhe Nachtigali

 

Dishiri dhe përkrahja e Austrisë për të mëkambë gjuhën shqipe i dhanë zemër veteranëve të kombit për punë përherë e ma të vlefshme në këtë drejtim. Kjo përkrahje trimënoi L. Gurakuqin të themelonte, më 3 gusht 1916, nën mbrojtjen e autoriteteve ushtarake të kryesueme nga gjeneral Trollman dhe i ndikuem nga Dr. R. Nachtigal, studiues ky i gjuhës sonë, si dhe nga dr. Gjergj Pekmezi Komisinë Letrare”.[9]

Më duhet të cek këtu se nuk e kuptoj kundërshtimin e autorëve të nderuar Tomorr Osmanit dhe Mentor Qukut që e mohojnë rolin e Gurakuqit, Nachtigalit dhe Pekmezit si themelues të Komisisë, por këtë ia veshin vetëm Austro-Hungarisë përmes komandantit Trollman.[10]

Askush nuk mund t’ia mohojë Austro-Hungarisë rolin nismëtar të Komisisë, por a nuk është vetë emri AH paksa imagjinar për një aktivitet konkret. Vetë fakti se prof. dr. Gjergj Pekmezi emërohet nga Komanda ushtarake austro-hungareze kryetari i parë i Komisisë Letrare dhe se përpara ishte mjaft i eksponuar në Vjenë pikërisht lidhur me çështjet e gjuhës shqipe, pastaj fakti i miqësisë së ngushtë (Nachtigali e quan probatini) të Pekmezit me Nachtigalin, më çojnë të mendoj pozitivisht lidhur me qëndrimin e cituar më sipër të Daniel Gjeçajt (alias Pal Dukës). Për më tepër, prof. dr. Gjergj Pekmezi, si profesor i Akademisë diplomatike Vjeneze, caktohet ta përcjellë Princ Vidin në Shqipëri. Në fund të fundit, komandanti Trollman është, si të gjithë ushtarakët, vetëm zbatues i politikës së definuar diku tjetër. Çështja e gjuhës sigurisht se nuk është definuar në kabinetet ushtarake, por në institucione shkencore, ku zënin vend të merituar të dy të lartpërmendurit.

Edhe vetë fakti se Komisia Letrare prej të gjithë albanologëve të kohës e fton pikërisht Rajko Nachtigalin për ekspeditën studimore lidhur me mundësinë e përcaktimit të bazës më të mirë për gjuhën e përbashkët letrare, thotë mjaft. Përndryshe, duhet cekur se po në atë kohë edhe Maximillian Lambretzi i kryen studimet e veta gjuhësore nëpër Shqipëri.

… Mbas urdhrit të Qeverisë AH vajti tash në Shqipëri edhe dr. Rajko Nachtigall, profesor i universitetit të Grazit, e bashkëpunëtor i prof. dr. Gjergj Pekmezit. Këta profesora pra (Nachtigalli dhe Lambretzi, vër. ime), bashkë me prof. Gjergj Pekmezin e me D. Ndre Mjedën kanë me u nisë për Elbasan, ku do vijojnë studimet e dijalektevet të Shqypnies së mesme..”.[11]

Është Gjergj Pekmezi anëtari më i flakët i KLSh-së për ta ftuar Nachtigallin që ta bëjë vlerësimin nëse është ende gjallë gjuha e Kristoforidhit (e folmja e Elbasanit) dhe a duhet të merret ajo si bazë për gjuhën letrare. Përndryshe, vendimi për ta ftuar një albanolog të huaj merret në mbledhjen e KLSh-së më 12. 12. 1916. Lajmërimin lidhur me vendimin, Pekmezi ia bën me dije Nachtigallit në letrën e tij me rastin e Krishtlindjes më 1916. Më vonë, me vendimin e mbledhjes së datës 21. 3. 1917, caktohet që në ekspeditë të marrë pjesë edhe Dom Ndre Mjeda, ndërsa në Elbasan u bashkëngjitet edhe Aleksandër Xhuvani.

Ekspedita filloi më 1. 5. 1917 dhe përfundoi, sipas të gjitha gjasave, më 26. 5. 1917. Raportin mbi punën e nënshkruajnë Rajko Nachtigali, Gjergj Pekmezi dhe Ndre Mjeda.

Pas ekspeditës studimore në fshatrat e Elbasanit, me emrin e prof. dr. Rajko Nachtigalit botohet në Graz, më 1917, vepra Die Frage einer einheitlichen albanischen Schriftsprache.[12]

Ta shohim se si e përshkruan daljen e këtij dokumenti të rëndësishëm të albanologjisë linguisti tjetër slloven, prof. dr. Fran Ramovsh[13]: “Dr. R. Nachtigall, Die Frage einer einheitlichen albanischen Schriftsprache, Gedruckt als Manuskript bei “Leykam”, Graz, 1917.

Çështja e gjuhës unike letrare shqipe, nuk është më çështje e re, por është bërë edhe më e rëndësishme, qëkur është rritur interesimi politik për këtë popull ballkanik. Se këtu, medoemos nevojitet një themel i fortë, e ka të qartë çdokush, që ka studiuar kurdoherë shqipen. Edhe vetë studimi i kësaj gjuhe ka qenë i vështirë dhe e ka penguar nxënësin në cilindo aspekt; së pari deri në kohë të fundit nuk ka pasur asnjë libër praktik dhe të besueshëm dhe, së dyti, edhe gramatika e Weigandit e vitit 1913, ndonëse ka pasur përparësinë e bukur dhe të madhe se është bazuar në dialektin qendror, atë të Elbasanit, është jo e plotë dhe e vështirë, pasi që, për shkak të jounitetit të shqipes së shkruar, është dashtë të bazohet në dialekte, gjë që e dëmton librin praktik. Këto mungesa i ndien secili i huaj që e studion gjuhën shqipe, aq më tepër shqiptarët.

Komisia Letrare e Shkodrës ka ardhur deri në përfundim se këto vështirësi i tejkalon dialekti qendror, që do të duhej ta krijonte bërthamën e shqipes letrare dhe ka vendosur edhe në terren t’i bëjë studimet e mëtutjeshme dhe ta vendosë unitetin në pikat problematike. Për këtë studim e ka ftuar edhe mendimtarin slloven, prof. universitar në Gradec z. dr. Nachtigall, të cilit shqiptarët, edhe për shkak të bashkëpunimit të tij të madh në gramatikën shqipe të Pekmezit, i kanë borxh falënderim të madh. Në librin e cekur më sipër, që përbëhet nga Parathënia (fq. III-VI), Promemoriet për çështjet aktuale (fq. 1-18) dhe shtojca e tij (fq. 19-29), prof. Nachtigalli na jep mendimin e vet mbi gjuhën e njësuar letrare shqipe sipas vlerësimeve që vijojnë:

Gjithçka që është shkruar deri më sot në gjuhën shqipe është shkruar në dialektin e gegëve, që banojnë në Shqipërinë e Veriut, apo në dialektin e toskëve, që banojnë në Shqipërinë e Jugut. Mirëpo, këto dy dialekte dallojnë aq shumë njëri prej tjetrit, që gegët vështirë, apo aspak nuk i kuptojnë toskët, apo anasjelltas. Për këtë arsye plotësisht përjashtohet mundësia, që cilido nga këto dy dialekte të mund të krijojë kurdoherë gjuhën letrare të tërë kombit shqiptar. E nëse të dy dialektet mbesin edhe më tutje në përdorim letrar, Zoti e di kur do të vinin shqiptarët deri te uniteti. Ndërsa gjuha artificiale, si përzierje e të dy dialekteve, do të ishte diçka e kundërnatyrshme dhe mu për këtë askurrë nuk do të mund të bëhej pronë e popullit. Nga kjo shohim se çështja e gjuhës së njësuar letrare shqipe nuk është aq e thjeshtë, siç do të mendonte dikush në çastin e parë. Mirëpo, popujt e tjerë të kulturuar mund të na e japin dritën në rrugë: Vuku e ka vendosur te kroatët dhe serbët dialektin qendror jekavik për përdorim të gjuhës letrare, ndërsa slloveni i Koroshkës dhe i Bella krajinës që, po ashtu, kuptohen vështirë ndërmjet vete, e lexojnë dialektin e Dolenjskës, edhe ky dialekt qendror, dhe e kuptojnë atë. Në mënyrë të njëjtë dialekti qendror te shqiptarët i lidh të dy dialektet anësore dhe e krijon gjuhën e njësuar letrare. Ky dialekt është elbasanishtja, të cilin mund ta kuptojnë të dyja pjesët, gegët dhe toskët. Prof. Nachtigalli e arsyeton këtë zgjedhje, të cilën e ka bërë të qëndrueshme disa vjet më parë Kongresi i Elbasanit, tani edhe Komisia Letrare në Shkodër. Në aspektin e dallimeve, qofshin të natyrës fonetike apo morfologjike në të dy dialektet dhe refleksionet e bazuara në to, prof. Nachtigalli, duke u bazuar në gjuhën e Kristoforidhit, vendos formën që do të jetë karakteristike për gjuhën e njësuar letrare. Ndërsa, në aspektin sintaksor dhe leksikologjik prurjet e veta duhet t’i japë secili dialekt, pra i tërë populli, posaçërisht për faktin se fjalët e huaja duhet të zëvendësohen me fjalë të gjalla shqipe.

Rëndësi shumë më të madhe fiton e folmja e Elbasanit si themel i gjuhës letrare, nëse e dimë se ky dialekt është, të thuash letrar, nëse i shikojmë shkrimet e Konstantin Kristoforidhit, që e ka përpiluar edhe gramatikën dhe fjalorin e gjuhës shqipe. Është shumë interesant fakti se edhe Kristoforidhi u është përmbajtur parimeve që i propanon dhe i argumenton z. profesor Nachtigali. Pra, shkrimet e Kristoforidhit duhet të përshkruhen me ortografi të re, me ç’gjë bëhet një hap i madh në rrugën e njësimit të gjuhës letrare shqipe. Në këtë frymë edhe këshilli i z. prof. Nachtigall: “Schafft zunächst die Grammatik nach Kristoforidi und dem Elbasaner Dielekt[14]” (fq. 29) është plotësisht i bazuar, e për këtë arsye edhe i vetmi që mund të sjellë sukses.

Në shtojcë, prof. Nachtigalli polemizon me prof. Lambretzin, i cili vlerëson se e folmja shkodrane është e gatshme të bëhet themel i gjuhës letrare shqipe. Kundërshtimet e tij janë të qarta dhe plotësisht të arsyeshme. Përkundrazi, jam i mendimit se do të ishte më së miri që për k’ dhe g’ palatale (tani q dhe gj) të merren shenjat kroate. Mendim të njëjtë ka edhe z. prof. Nachtigalli, që në fund i pranon shenjat q dhe gj duke vërejtur: “Die einmal hergestellte Einheit soll nich weiter gestört werden. Spätere Zeiten werden ngewiss auch hierin besseren Wandel shaffen”. Mirëpo, më vonë, kur të mishërohen plotësisht shenjat e gatshme, kjo nuk është më e lehtë; për këtë arsye do të ishte mirë të ndërmerren menjëherë masa.

Shqyrtimet e z. prof. Nachtigallit na e japin këtë mëndim të tijin lidhur me gjuhën e njësuar shqipe: Bazuar në gjuhën e Kristoforidhit dhe dialektin e Elbasanit të punohet edhe gramatika; dialekti i cekur le të jetë kriter për ortoepinë shqipe, ndërsa gjuha e Kristoforidhit shembull për fiksimin e shkruar. Si bazament që jep kahun e duhur, kjo me siguri do të mjaftojë.

Prof. Nachtigalli premton, në librin në fjalë, më shumë debate rreth dukurive të caktuara fonetike të gjuhës shqipe, në mesin e të cilëve më interesanti do të ishte debati mbi ë-në. Shkencëtarit të mirëfilltë i dëshirojmë që ta kenë sa më parë të mundshme t’i japë këndvështrimet e veta, me ç’gjë do ta pasurojë edhe gramatikën krahasuese.

Fill pas ekspeditës studimore në Elbasan dhe botimit të Die frage…, më 3 tetor 1917 në Universitetin e Grazit hapet Instituti i Ballkanit dhe, si na lajmëron Posta e Shqypniës, e drejtuar nga p. Gjergj Fishta: “Aty ka me u msue edhe gjuha shqipe. Në këtë zyre u emnue profesori i universitetit Dr. Rajko Nachtigal”.[15]

Ekzistojnë tentativa që t’i mohohet autorësia ekskluzive e Die Frage… prof. Nachtigallit, duke ia shtuar Don Ndre Mjedën si bashkautor. Këtë tenton ta argumentojë studiuesi i spikatur, mjedologu më i madh, profesori Mentor Quku. Argumentimi i tij për bashkautorësinë bazohet në bashkëveprimin e të dy studiuesve në ekspeditën studimore dhe aktin e përkthimit të Promemories në gjuhën shqipe nga Don Ndre Mjeda. Sa i përket bashkëveprimit, përpos Mjedës aty merr pjesë edhe prof. dr. Gjergj Pekmezi, por edhe Aleksandër Xhuvani. Siç e pamë edhe nga artikulli i dr. Ramovshit, Promemorja është vetëm njëra pjesë e librit, padyshim e bazuar në veprimtarinë shkencore të ekipit, përkthimin në shqip të së cilës e bëri Don Ndre Mjeda. (Ky version, sipas M. Qukut, nuk është zbuluar ende. Nachtigali ndërkohë ishte kthyer në Graz!)

Gjithashtu, në mbledhjen e KLSh të datës 23. 1. 1918 vendoset që “përkthimi i promemories së Z. Dr. Nachtigalit, (theksimi im, N. B.) tue qenë se shumica e misvet (anëtarëve, vër. N. B.) janë të mendimit se nuk del nji fitim prej saj, mbasi s’asht vepër origjinale por përkthim, prandaj lihet me nji anë”.[16]

Vetë fakti se as pjesëmarrësit e tjerë të ekspeditës nuk shënohen si bashkautorë dhe bazuar në vendimin e sipërshënuar nga mbledhja e KLSh e 23. 1. 1918, ku pa dyshim merr pjesë edhe Mjeda, jam i mendimit se bashkautorësia e tekstit Die Frage… nuk mund të mbrohet.

Pavarësisht prej vendimit të Komisisë Letrare, argumenteve të fuqishme të shumicës së anëtarëve të saj, në krye me pjesëmarrësit e ekspeditës, në punën e KLSh-së ka edhe divergjenca të mëdha, para së gjithash, këtu mund t’i marrim kundërshtimet e Maksimilian Lambretzit, që ishte këmbëngulës që e folmja e Shkodrës të bëhet themel për gjuhën e përbashkët letrare shqipe, me pretekst se elbasanishtja nuk kishte traditë letrare, e Shkodra po, vendimi përfundimtar nuk u mori. Kjo edhe falë rrethanave historike pas Luftës së Parë Botërore. Lidhur me shkodranishten “Nachtigali tërheq vërejtjen për gjendjen tipike periferike të kësaj të folmeje, ku reduksioni ka arritur vrullin më të madh dhe për këtë nuk do të ishte e përshtatshme t’u imponohet shqiptarëve të tjerë kjo formë e gjuhës letrare”.[17]

Nachtigali e përdor thënien e njohur shqipja e Elbasanit e turçja e Stambollit, mirëpo alfabetet e ndryshme shpesh e kanë mjegulluar pamjen unike të gjuhës. Propozon edhe themelimin e Bletës shqiptare, apo Arkivit për gjuhën dhe kulturën shqiptare, që do të publikonte në vazhdimësi artikuj shkencorë dhe gjuhësorë, material folklorik, si dhe pasurinë gjuhësore shqiptare.

Mirëpo, edhe përkundër kësaj, (shkatërrimit të Perandorisë AH…), interesimi i prof. dr. Rajko Nachtigalit për çështjet e gjuhës së njësuar letrare shqipe nuk përfundon. I shtyrë nga kundërshtimet e Lambretzit dhe qëndrimi i po të njëjtit mbi mungesën e traditës së të shkruarit shqip në Elbasan, ai në revistën e udhëhequr nga prof. Henrik Barić[18], që botohet në Beograd, i boton dy studime tejet të rëndësishme[19]:

  1. O elbasanskem pismu in pismenstvu na njem (1923); dhe
  2. XV 11-32 v prevodu bratov Anastasija in Spyridona Tsellio (Tsel’o) iz Argyrokastra. Iz Kopitarjeve zapuščine (ibid. II, 1924).

Lidhur me punimin e parë, pra lidhur me alfabetin e Elbasanit, studenti i tij Franc Jakopin, përndryshe ndër linguistët më të njohur sllovenë të pjesës së dytë të shekullit 20, shkruan në artikullin e tij: Albanološke študije Rajka Nahtigala[20] dhe, mes të tjerash, thotë: “Nuk mund ta anashkalojmë konstatimin se nga i tërë shqyrtimi buron simpatia e dukshme e Nachtigalit ndaj gjuhës shqipe dhe shqiptarëve; ai sinqerisht dëshiron që ata të ngrihen sa më shpejt në aspektin kulturor dhe arsimor, e për këtë është parakusht – gjuha e përbashkët letrare”.[21]

Pra, gjashtë vjet pas Die frage… Nachtigali i qaset edhe një herë problematikës së albanologjisë. Në studimin e tij Mbi alfabetin e Elbasanit… ai e jep fillimisht historikun e zbulimit të atij alfabeti, për të cilin kishte folur në mënyrë mjaft sensacionale albanologu dhe vicekonsulli austriak në Janinë, J. G. Hahn. Hahni që me veprën e tij madhore “Albanesische Studien”, 1854, (Studime shqiptare), në tri vëllime njihet si themelues i studimeve mbi shqiptarët. Pavarësisht prej këtyre epiteteve, Hahni në ligjëratat e veta dhe në shtyp e vlerëson gabimisht alfabetin e Elbasanit si alfabet të burimit fenikas, që është edhe më i vjetër se alfabeti i greqishtes së vjetër.

Edhe në fillim të shekullit, diku rreth vitit 1900, kur Gjergj Pekmezi solli në Vjenë të dhënat e para mbi alfabetin në fjalë, miku i tij i ngushtë, Rajko Nachtigalli, ishte i mendimit se vjetërsia e këtij alfabeti nuk mund të jetë më e madhe se dy shekuj. Me një argumentim shkencor e me përpikëri të madhe, Nachtigali e hedh tezën se autori i alfabetit është dhaskal-i (mësuesi, vër. N. B.) Todhëri, elbasanasi që i kishte marrë mësimet në Moshopol (ashtu e quan fillimisht Voskopojën, vër. N. B.). Edhe Hahni e kishte lidhur këtë alfabet me Voskopojën dhe me Todhërin, por nuk e mendonte të kishte buruar pikërisht aty. Me këtë alfabet ishte marrë edhe paleografi zagrebas Geitler (Die albanesischen und slavischen Schriften, 1883), mirëpo teza e Nachtigalit se autori i këtij alfabeti ishte dhaskal Todhëri u pranua nga shkenca si i vërtetë. Ndihmë për argumentimin e autorësisë së alfabetit Nachtigalit i sjellin edhe shënimet e Dositej Obradoviqit, që i kishte kaluar disa vjet nëpër shkollat shqipe dhe greke të kohës dhe që e kishte njoftuar në Veneci mësuesin voskopojar Todhërin.

“Edhe përkundër dyshimeve të arsyeshme personale, Hahni është përcaktuar për një vjetërsi të madhe të alfabetit të Elbasanit, duke e parë në të motrën më të vjetër të alfabetit fenikas, apo motrën e alfabetit paragrek (shih fq. 863). Në faqen 853 ai e krahason alfabetin e Elbasanit me alfabetin fenikas dhe paragrek dhe vjen deri te përfundimi se: 1. alfabeti i Elbasanit si edhe ai grek, buron nga alfabeti i fenikasve dhe 2. alfabeti i Elbasanit në shumë forma më shumë bazohet në prototip se në alfabetin grek”.[22]

Mirëpo, albanologët e ndryshëm e njohin shprehinë e vjetër të shqiptarëve për të komunikuar me shenja (shifra) të fshehta. Duket se vetë jeta nën okupim shekullor ua ka imponuar një gjë të tillë, pavarësisht se këto “alfabete” nuk kanë shtrirje aq të madhe territoriale. Është interesant këtu ta japim fusnotën 5 nga teksti i Nachtigalit: “Për një alfabet të tillë të fshehtë nga Shqipëria e jugut raporton Hahni në faqen 867. Atij ia ka shpjeguar njëri nga udhëheqësit më në zë nga Argyra, “Vrastron Veso beu nga familja e Alisot Pashalidit”. Në rininë e hershme këtij ia ka mësuar alfabetin mësuesi i tij vendor – një hoxhë me prejardhje shqiptare. Alfabeti i fshehtë është trashëguar në familje, kështu që beu e ka përdorur këtë në letërkëmbim me të afërmit”.[23]

Për Moshopolin (Voskopojën vër. N. B.) autori jep shënime të intelektualëve të tjerë të kohës, që nga Jireçeku e deri te dr. Vlladan Gjorgjeviqi, që ndonëse i njohur si antishqiptar i përbetuar (shih, p. sh., veprën e tij Arnauti i velike sile, Beograd, 1913) shprehet: “Në Arbaninë (Shqipërinë vër. N. B.) e epërme hasim në shkolla në shumë manastire, në veçanti në Ιςά μουή dhe në manastirin e Shën Naumit në Beograd (Berat), Koric, Ahridi, Siptiki. Shkolla më e rëndësishme e këtyre anëve ka qenë në Moshopolis (Voskopojë, vër ime N. B.), ku në vitin 1710 është themeluar edhe shtypshkronja, duke iu falënderuar baronit S. Sini-t, me prejardhje prej atij vendi, shkolla ekziston edhe sot aty”.

Lajmet e para të reja mbi alfabetin e Elbasanit, sipas Hahnit, i ka sjellë nga Elbasani Gjergj Pekmezi, të cilin Komisioni ballkanik i Akademisë së Shkencave të Vjenës e dërgoi në vitin 1900 në Shqipëri me qëllim të studimeve dialektologjike. Mirëpo Hahni nuk gjen më shumë se një faqe të shtypur në atë alfabet, ndërsa dy artikuj të shtypur i gjeti Gjergj Pekmezi në bibliotekën e Shën Gjon Vladimirit në Elbasan me ligatura që përsëriten në mënyrë krejtësisht identike si në alfabetin e Elbasanit.

Më tutje Nachtigali jep njohuri të tjera mbi dhaskal Todhërin, autorin e alfabetit, të fituara nga njerëz në manastiret e Elbasanit, por edhe tërthorazi, nga shënimet anësore në përkthimet e bëra nga Todhëri dhe të përshkruara nga pasardhës të tij. Ai e kundërshton tezën se bëhet fjalë për Teodor Kavalliotin, tezë kjo e lëshuar nga Dhimitër Camarda.

Alfabeti nuk ka pushtuar përmasa të gjëra gjeografike, më parë mund të themi se ka qenë mjaft i kufizuar sa i përket lokalitetit. Është njohur vetëm deri në Berat. Madje Nachtigali në një vend shkruan: “Prej njerëzve që e kanë njohur ende shkrimin jam njoftuar me një grua të moçme. Mund të thuhet se alfabeti është kultivuar para së gjithash në qarqe familjare. Gjithsesi është koha e fundit që të konstatohet ç’mund të konstatohet, sepse njerëzit që kanë ditur çfarëdo rreth kësaj, shumica janë në moshë të thyer, në mes tyre edhe një igumen i plaktë i manastirit”.[24]

Fati i keq deshi që, siç na njofton Hahni, dhe e përcjell Nachtigalli, Todhëri vdes nga një sëmundje ngjitëse: “… bashkatdhetarët, pas një epidemie të rëndë ngjitëse, nga frika e infektimit të ri i kanë djegur të gjitha shënimet e tij. Duke marrë parasysh vjetërsinë e bashkëkohësve të tij, që ishin gjallë në kohën e Hahnit, ai me siguri ka vdekur diku kah fundi i shekullit të XVIII. Ka studiuar në Moshopol dhjetë orë në lindje nga Berati”.[25]

Pas përshkrimit të thuktë të historikut të paraqitjes së mundshme të alfabetit, autorëve të tij të mundshëm dhe përcaktimit të Nachtigalit për dhaskal Todhërin si përpilues të tij dhe, siç thotë vetë autori: “Jo i plotë do të ishte diskutimi në këtë Arkiv, sikur të mos e jepja pikërisht këtu një mostër të gjuhës së Todhërit, për ç’gjë, për Todhërin dhe për gjuhën e tij do të duhej të shkruhej edhe më shumë, veçanërisht kur të plotësohen të dhënat nga Elbasani[26] dhe pasojnë kopjet e “mostrave” të gjuhës së Todhërit, me shpjegime akribike të autorit, sipas të cilave, mund ta shohim edhe thellësinë e njohjes së shqipes nga ana e Nachtigalit.

Dhe krejt në fund autori e jep edhe përshkrimin e 52 shkronjave të alfabetit të Elbasanit, krahasimin e tyre me nevojat e gjuhës shqipe të kohës, krahasimin e tyre me shkronjat e alfabetit grek dhe alfabeteve të tjerë që gjejnë përdorim të gjerë në kohën e përpilimit të alfabetit.

Por, është pak për t’u çuditur fakti, se njohësi i mirë i jetës dhe veprës së Nachtigalit, Franc Jakopin, në artikullin “Albanološke študije Rajka Nahtigala” (Studimet albanologjike të Rajko Nachtigalit) të botuar në Lublanë, më 1977/78, pas përshkrimit të studimit të Nachtigalit O elbasanskem pismu… e përfundon artikullin e vet me: “Pas kësaj Nahtigali nuk është marrë më me çështjet albanologjike: njohjen e kësaj gjuhe aty-këtu e ka shfrytëzuar në debatet sllavistike”.[27]

Në fakt, pas studimit O elbasanskem pismu…, po në të njëjtën revistë[28] të Henrik Bariqit, një vit më vonë (më 1924) e boton studimin tjetër po aq të mirë Luka XV 11-32 në përkthimin e vëllezërve Anastas dhe Spyridon Tsellio (Tsel’o) nga Argyrocastra.[29]

Sipas të dhënave që i kemi në dispozicion nga Kopitari, censori mbretëror i Vjenës, vëllezërit shqiptarë Anastas dhe Spyridon Tsellio (Tsel’o) nga Argyrocastra (Anastas dhe Spiridon Çelo nga Gjirokastra), me ndërmjetësimin e M. G. Bojaxhiut kishin përkthyer për Jernej Kopitarin tregimin mbi djalin e humbur (Luka XV 11-32). Këtë përkthim Kopitari e kishte botuar më vonë në transkriptimin e tij në revistën Jahrbücher der Literatur që botohej në Vjenë, në vitet 1818-1849. Ishin vitet kur ndër shqiptarë ende shkruhej me alfabete të ndryshme: greke, latine, arabe e cirilike. Interesimi i Kopitarit për gjuhët ishte shumë i madh. Në fakt, ai shfaqte interesim për gjuhët sllave, por edhe për gjuhët e fqinjëve të tyre, ku pa dyshim ishte më interesantja shqipja si oazë gjuhësore pa asnjë pikë takimi me gjuhët e tjera.

Përkthimi në fjalë është i ruajtur në katër kopje dorëshkrimore, të cilat, për hir të studimit, Nachtigali i shënon me versionin A, B dhe C, ndërsa versionin e botimit të Kopitarit e shënon me D. Të tri kopjet dorëshkrimore është dashtë të jenë bërë nën mbikëqyrjen dhe udhëheqjen e drejtpërdrejtë të Kopitarit. Idenë mbi grafikën e Vuk Karaxhiqit, atë shpirtëror i të cilit ishte Kopitari, ai dëshironte t’ua impononte fqinjëve të sllavëve, pra shqiptarëve dhe rumunëve, për aq më tepër ngaqë Kopitari nuk ishte i kënaqur me grafikën e misionarëve latinë për gjuhën shqipe. Grafika e Vukut atëbotë ende nuk ishte ngjitur mirë as te sllovenët, te kombi i Kopitarit, që i kishte katër alfabete në përdorim.

Nachtigali na njofton se në të tre versionet A, B dhe C të përkthimit, por edhe në atë të botuar, autorët janë të njëjtë, por emri i tyre shënohet me grafikë të ndryshme që është në përdorim në atë kohë: grek, gjerman dhe latin. Duket se versioni i parë është ai fillestari i drejtpërdrejtë i vëllezërve Çelo, me titullin e shkruar Lǔkeit kríje 15 (Luka, kreu XV), e pastaj vijon shkrimi me shenja të përziera greke, gjermane dhe latine. Versioni B dhe C janë përshkrime me shkronja cirilike, të pasuruara me shkronjat e Vukut. Kemi një rrjedhje si vijon AàBàC. Duket se versioni B është përshkruar më me ngut dhe me jo aq shumë kujdes, që nuk është rasti me versionin C. Versioni B është përshkrim i saktë tekstualisht nga A, por grafika është tjetër.

Versioni D, ai i botuari, është për autorin tonë më interesanti dhe debaton me të, shpesh duke mos u pajtuar. Gjen gabime edhe materiale në të, gjë të cilën mund ta bëjë vetëm njohësi i mirë i gjuhës shqipe.

Botimi i Kopitarit (D) mbështetet në përshkrimin C dhe devijon prej tij, në qoftë se e përjashtojmë grafikën krejtësisht të re, vetëm në disa imtësi të rralla, që kanë të bëjnë me anën tingullore të çështjes. Grafika në D mbështetet në alfabetin latin që për hir të shprehjes së tingujve në shqip është e plotësuar me shenja cirilike..”.[30]

Edhe pse versioni i botimit të Kopitarit është përshkrim i përpiktë i versioneve B-C, “nuk mund ta marrim si botim të saktë dhe kritik të përkthimit të tregimit mbi djalin e humbur sipas vëllezërve Tsel’o”[31] Ky fakt, si dhe pandjeshmëria gjuhësore dhe mosnjohja e detajeve të gjuhës shqipe e versioneve B-C, e bën problematike çështjen e përshkrimit cirilik, shprehet Nachtigali.

Nachtigali mundohet që në çdo mënyrë ta identifikojë dorën që e ka bërë përshkrimin B dhe C dhe pas mjaft argumentimesh, del me konstatimin se përshkrimi nuk është vepër e vëllezërve Çelo dhe as e Kopitarit por, sipas të gjitha gjasave, e Bojaxhiut.

Se nuk kemi të bëjmë me një material të panjohur për shqiptarët na përkujton edhe Nchtigali, kur i shënon të gjitha përkthimet e njohura deri më atëherë të të njëjtit tregim – birit të humbur. G. Meyeri në gramatikën e vet e boton paralelisht përkthimin gegë dhe toskë të Kristoforidhit e, po aty, e shton edhe përkthimin në dialektin e Kalabrisë. Weigandi jep përkthimin në elbasanishte, por jo të Kristoforidhit, Kopitari i përmend edhe dy versione të tjera, ndërsa më 1829 Kopitari na njofton për botimin e plotë të librit të ri të shenjtë në Korfuz.[32]

 

Përmbyllje

 

Bindja ime e fituar kohë më parë, se ndër ne nuk është i njohur, me këtë as i vlerësuar sa duhet kontributi i gjuhëtarëve sllovenë, u përforcua edhe më shumë me rastin e përkthimit të dy studimeve të prof. dr. Rajko Nachtigalit për nevoja të dy akademive të shkencave (të Kosovës dhe të Sllovenisë). Për fatin e mirë timin, me këto informata isha njoftuar para më se tri dekadash kur isha student në Universitetin e Lubjanës. Atëbotë edhe i bëra publike disa shkrime të miat lidhur me angazhimin e gjuhëtarëve sllovenë dhe kontributin e tyre në lëmin e albanologjisë. Një tekst i botuar në revistën e kohës Naši razgledi me titullin “Nachtigal je vedel, Miklošič tudi, pa mi?” (Nachtigali e dinte, Miklloshiçi gjithashtu, e ne? – gjuhën shqipe, kuptohet!!!) bëri bujë mjaft të madhe ndër intelektualët sllovenë, saqë redaksia e Enciklopedisë sllovene kërkoi autorizimin e tekstit për botim. Tekstin e rishqyrtova dhe ai u botua në Enciklopedija Slovenije, 1.[33]

Kam bindjen që e tërë puna ime shumë dekadash në lëmin e përkthimeve, para së gjithash letrare, nga gjuha sllovene dhe anasjelltas, është një kthim borxhi dhe një shenjë miradije për ata njerëz të mëdhenj të kombit slloven, që ndihmuan vendosjen e themeleve të albanologjisë.[34] I tillë – por jo i vetmi – pa dyshim, është prof. dr. Rajko Nachtigal, që miqësinë e vet me një shqiptar – me prof. dr. Gjergj Pekmezin, diplomatin dhe linguistin shqiptar, kryetarin e parë të Komisisë Letrare të Shkodrës – diti ta valorizojë dhe t’i vë në shërbim njohuritë e veta shkencore gjuhës dhe kombit të mikut. Sikur të ishin marrë më shumë parasysh ato njohuri dhe propozime, sot do ta kishim një gjuhë letrare jo si imponim politik, por si rrjedhë e natyrshme e unitetit, siç e kanë shumë gjuhë të tjera bashkëkohore.

[1] Edinost Trieste. Përkthimin tim të kësaj broshure interesante e botoi revista Koha javore

[2] Botimin në shqip të këtij libri, me titullin Kërkime arkeologjike në Shqipëri dhe Mal të Zi e bëri Pegi, Tiranë, 2003

[3] Shih Miroslav Karaulac, Rani Andrić, Prosvjeta Beograd, Svjetlost Sarajevo, 1980, f. 29, 36

[4] Dualizmi në shënimin e emrit të qytetit Gradec – Graz vjen nga emërtimi slloven apo austriak. Popullsia shumicë e këtij qyteti është sllovene dhe emërtimi Gradec (në përkthim Qytezë) është rrjedhojë e kësaj

[5] Slovenski narod (14. 2. 1914), viti 47, numri 36

[6] Shënimi Nachtigal na del gjithkund në botimet josllovene (pra gjermane, ndërsa versioni Nahtigal në botimet sllovene)

[7] Shih Rajko Nahtigal: Pisma Ivana Prijatelja s študijskega potovanja 1903-1904. në Ljubljanski zvon, 57, 1937, f. 301-313

[8] Për më shumë shih: Franc Jakopin: Albanološke študije Rajka Nahtigala, në Jezik in slovstvo, 23, 1977-78, f. 65-70

[9] Pal Duka-Gjini në monografinë Gjergj Fishta jeta dhe vepra (Tiranë, 1992, f. 100)

[10] Mentor Quku, Mjeda 4, f. 220. Shënimi 58

[11] Vendim i gjuhës letrare në Shqypni, Vëllaznija, v2, nr. 57, f. 2, Vjenë, 14. 5. 1917 (sipas Mentor Qukut, Mjeda 4, f. 213)

[12] Çështja e një gjuhe shqipe të njënjëshme

[13] Fran Ramovš, linguisti, dialektologu dhe topologu slloven (1890-1952). Ka studiuar në Vjenë dhe Graz. Më 3 dhjetor 1919 ka pasur ligjëratën e parë mbi sllovenishten në Universitetin e porsaformuar të Lubjanës. Profesor në Fakultetin Filozofik në Lubjanë dhe rektor i Universitetit (1934/35). Bashkëthemelues i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Sllovenisë (SAZU) dhe kryetar i katërt i saj. Emrin e tij e mban Instituti për Gjuhën Sllovene pranë Qendrës Hulumtuese Shkencore (ZRC SAZU)

[14] Dr. Ramovš

[15] Posta e Shqypniës, nr 89., Shkodër, më 3. 10. 1917

[16] AQSh, regjistri i procesverbalëve të KLSh, mbl. dt. 23. 1. 1918, cituar sipas M. Çuku, Mjeda 4, f. 245

[17] Shih Franc Jakopin, Albanološke študije Rajka Nahtigala, Jezik in slovstvo Letnik XXIII številka 3-4 Ljubljana, december-januar 1977/78, f. 65-71

[18] Arhiv za arbanasku starinu, jezik i etnologiju, Beograd 1923-1924

[19] Të dy punimet e prof. dr. Rajko Nachtigalit i kam përkthyer në shkurt-mars të këtij viti (2015) në shqip me kërkesën e Akademisë së Shkencave të Kosovës dhe Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Sllovenisë. I pari mban titullin Mbi alfabetin e Elbasanit dhe letërshkrimin në të, ndërsa i dyti Luka XV 11-32 në përkthimin e vëllezërve Anastas dhe Spyridon Tsellio (Tsel’o) nga Argyrocastra  (Nga punishtja e Kopitarit). Sipas informative të mia, përkthimi deri më tani nuk është botuar.

[20] Franc Jakopin, Albanološke študije Rajka Nahtigala…

[21] Ibidem

[22] R. Nachtigal, O elbasanskem… në përkthimin tim

[23] Ibidem, fusnota 5

[24] R. Nachtigal, O elbasanskem… në përkthimin tim

[25] Ibidem

[26] Ibidem

[27] Jezik in slovstvo, viti XXIII nr. 3-4 Ljubljana, december-januar 1977/78, f. 70

[28] Arhiv za arbanasku starinu, jezik i etnologiju, Beograd, 1924

[29] Shih fusnotën 16

[30] Luka XV-11, në përkthimin tim

[31] Ibidem

[32] Shih më gjerësisht, ibidem

[33] Albansko – slovenski odnosi, në Enciklopedija 1 / A-Ca, Lubjanë, 1987, f. 39-41

[34] Por edhe për të gjithë intelektualët sllovenë të kohës së re në ish-Jugosllavinë, që i kishim krah të djathtë dhe bën çmos për njohjen e të vërtetës për çështjen e Kosovës në vitet ’80-’90 të shekullit të kaluar

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Të paktën 19 persona janë lënduar pas rrëzimit të një…