Kontrollet kufitare në Danimarkë do të vazhdojnë deri më 12 nëntor
Danimarka do të zgjasë kontrollet e përkohshme përgjatë kufirit me Gjermaninë deri më 12 në nëntor për shkak të kërcënimeve për sigurinë dhe nevojës për kontrollimin e rrjedhës së emigrantëve.
Lajmin e ka bërë me dije ministri danez për Migrimin dhe Integrimin, Inger Stojberg.
“Ekziston një kërcënim i vazhdueshëm për rendin tonë publik dhe sigurinë e brendshme, i cili vjen nga militantët islamikë, të cilët mund të shfrytëzojnë lëvizjen e lirë brenda zonës së Shengenit”, ka thënë Stojberg në një letër dërguar komisionarit të Bashkimit Evropian për migrimin, Dimitris Avramopoulos.
Edhe vendet e tjera të BE-së janë njoftuar me këtë vendim, ka theksuar ministri danez.
Ato kanë nisur në fillim të vitit 2016 në vendkalimet kufitare me Gjermaninë, përfshirë terminalet e trageteve dhe kufirin e përbashkët tokësor.
Danimarka është vend anëtar i zonës Shengen, e cila u mundëson njerëzve të lëvizin lirshëm në Evropë, pa nevojën e pasaportave ose kontrolleve kufitare.