Kontrollorët e trafikut ajror pezullojnë grevën e paralajmëruar
Shoqata Sindikale e Kontrollorëve të Trafikut Ajror të Kosovës ka marrë vendim që ta pezullojë grevën e paralajmëruar për 27 dhe 28 maj.
Ky vendim ka ardhur pas takimit të tyre me ministrin e Infrastrukturës, Pal Lekaj.
“Pas takimit me ministrin Pal Lekaj ku Këshilli Grevist i shfaqi pakënaqësitë rreth mospërmbushjeve të obligimeve sipas afateve që burojnë nga Memorandum Mirëkuptimi (MoU), sqarimit rreth procesit dhe mungesës së informimit për SINKON-in si dhe rikonfirmimit nga ana e tij se ju qëndron dhe do t’i respektojë në përgjithësi të gjitha obligimet e marra, SINKON-i e pezullon grevën e shpallur për datat 27-28 Maj 2019”, është thënë në njoftimin e kësaj shoqate.
Në këtë njoftim është thënë se ky vendim ka ardhur pasi Lekaj ka konfirmuar se Ministria e Infrastrukturës do t’i përmbushë obligimet e premtuara.
“Vendimin për pezullimin e grevës së paralajmëruar, SINKON-i e ndërmori pas sqarimit të munguar gjerë më tani dhe rikonfirmimit të zotimit nga ana e ministrit se do t’i përmbushë të gjitha obligimet që burojnë nga MoU e nënshkruar në muajin shkurt 2019, në mes të Ministrit të MIT dhe SINKON-it”.
“SINKON-i do t’i vështrojë nga afër të gjitha veprimet rreth përmbushjes së obligimeve sipas afateve të mbetura dhe që burojnë nga MoU e lidhur mes palëve të nënshkruara. SINKON-i do t’i bëjë një vlerësim këtij procesi në fund të muajit shtator për të parë progresin e arritur në implementimin e marrëveshjes varësisht prej progresit do t’i kanalizojë veprimet e saj”, është thënë në këtë njoftim.
/Epoka e re/