Konviktet janë zënë pa u konsultuar me ne

16 maj 2020 | 10:10

Rektori i Universitetit të Prishtinës, Marjan Dema, e vlerëson të gabuar dhe të dëmshëm për studentët vendimin e institucioneve shtetërore për shndërrimin e Qendrës Studentore në karantinë.

Në një intervistë pe KosovaPress, rektori Demaj ka thënë se pas vendimit të qeverisë, që objektet dhe konviktet e Qendrës së Studentëve të shndërrohen në karantinë, gjërat e studentëve, përfshirë edhe literatura shkollore, kanë mbetur aty të bllokuara. Dhe kjo, sipas tij, i ka dëmtuar dukshëm studentët të cilët kanë mbetur pa literaturë, duke ua vështirësuar përgatitjen për provimet e afatit të qershorit.

“Kjo nuk është menaxhuar në mënyrën më të mirë. Është dashur që Qendra e Studentëve, në bashkëpunim me organet e tjera, të bënin një strategji, e të mendohet edhe tjetra, çka nëse zgjatë pandemia. Unë kam kërkuar nga drejtori i Qendrës së Studentëve të gjejë një formë që studentët t’i marrin ato materiale, sepse jemi në prag të afatit të qershorit dhe studentët, fatkeqësisht, janë pa literaturë. Edhe në këtë moment apeloj jo vetëm te QS, por edhe te qeveria që ta gjejë një formë që studentët të kenë mundësi t’i marrin gjërat e tyre, në veçanti literaturën”, ka thënë Dema.

Ai ka treguar se zënia e konvikteve është bërë pa u konsultuar me UP-në, e kjo situatë ka thënë se do t’i kushtojë shumë suksesit të studentëve. “Konviktet janë për studentët. Ata janë në vazhdim të studimeve. Ndoshta është dashur të kërkohet alternativë tjetër e jo kjo. Ne nuk jemi konsultuar. Vërtet nuk është menaxhuar mirë dhe kjo do të na kushtojë edhe në suksesin e studentëve, e që për ne do të jetë një hendikep”, ka thënë ai.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Qeveria e Italisë ka nënshkruar një dekret që lejon udhëtimet…