Koordinatori Hoti nis bashkëpunimin me institucionet e arsimit të lartë
Në kuadër të zyrtarizimit të bashkëpunimit me institucionet e larta për përfshirjen e studentëve në Programin Nacional për Rininë, koordinatori Nacional për Kulturë, Rini dhe Sport në Qeverinë e Kosovës, Rexhep Hoti, ka nënshkruar memorandum bashkëpunimi me rektorin e Kolegjit AAB, Lulzim Tafa.
Ky program parasheh përfshirjen e rreth 110.000 studentëve nga të gjitha universitetet dhe kolegjet e Kosovës në garën e sportit dhe kreativitetit kulturor dhe mendimit kritik. “Programi Nacional për Rininë është hartuar ekskluzivisht për nxënës dhe studentë i cili do t’u krijojë atyre hapësirën dhe frymën garuese që deri më tani u ka munguar. Për herë të parë një program i tillë është hartuar në nivel qeveritar, çka do të thotë se qeveria ka kthyer vëmendjen aty ku duhet. Studentët do të kenë mundësi të tregojnë aftësitë e veta sportive e kreative dhe më të mirët e këtyre fushave do të shpërblehen”, ka thënë koordinatori Hoti.
Ndërkaq rektori i Kolegjit AAB, Lulzim Tafa, u shpreh i lumtur që në cilësinë e rektorit po e përkrah një program që qeveria u ofron studentëve. “Ne jemi të gatshëm ta mbështesim këtë program i cili sigurisht se do t’i ndihmojë studentët tanë dhe do të ndikojë pozitivisht tek ata. Do të ju përkrahim edhe në mënyrë vullnetare për aktivitetet e juaja edukative për nxënës dhe studentë”, ka thënë Tafa.
Marrëveshja e bashkëpunimit e nënshkruar ndërmjet koordinatorit Hoti dhe rektorit Tafa, përcakton angazhimet e ndërsjella të palëve nënshkruese për implementimin e Programit Nacional për Rininë dhe për organizimet e përbashkëta të aktiviteteve që kanë të bëjnë me përfshirjen e studentëve në garat e kreativitetit kulturor dhe mendimit kritik si dhe të sportit.