Koordinatori Hoti nis takimet me drejtorët e shkollave
Koordinatori Nacional për Kulturë, Rini dhe Sport në Qeverinë e Republikës së Kosovës, Rexhep Hoti, sot ka nisur takimet me drejtorët e shkollave fillore dhe të mesme të ulëta si dhe atyre të mesme të larta në nivel vendi për shpalosjen e Programit Nacional për Rininë.
Takimin e parë Hoti sot e zhvilloi me drejtorët e shkollave Komunës së Vitisë, i shoqëruar nga zëvendësministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Azem Guri, si dhe drejtoresha Komunale e Arsimit, Fatbardha Emini.
“Programi Nacional për Rininë është hartuar për secilin nxënës të secilës shkollës, duke filluar nga niveli fillor, i mesëm i ulët dhe niveli i mesëm i lartë. Ky program parasheh përfshirjen e të gjithë nxënësve dhe studentëve në garë dhe pres që të gjithë ata të përfitojnë nga ky program”, u shpreh koordinatori Hoti.
Drejtorët e shkollave e mirëpritën programin duke thënë se do të punojnë në implementimin sa më të mirë të tij.
Po ashtu, koordinatori Hoti u prit në takim edhe nga kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti, i cili pas nënshkrimit të memorandumit, ritheksoi gatishmërinë e tij për bashkëpunim.
Takimet me drejtorë të shkollave do të mbahen nëpër të gjitha komunat e Kosovës.
/Epoka e re/