Koordinatori Hoti organizon takim të përbashkët me liderët e Luginës
Rexhep Hoti, Koordinator Nacional për Kulturë, Rini dhe Sport në Qeverinë e Republikës së Kosovës, i ka ftuar të gjithë përfaqësuesit e pozitës dhe të opozitës në Luginën e Preshevës, në një takim të përbashkët në Bujanoc.
Në këtë takim u bisedua për rëndësinë e bashkëpunimit pa dallime partiake, për problemet e shqiptarëve në Luginën e Preshevës si dhe me theks të veçantë lidhur me Programin Nacional për Rininë.
Të pranishëm në takim ishin Fatmir Hasani, deputet në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi, kryetar i Komunës në Bujanoc, Shqipërim Arifi, kryetar i Komunës në Preshevë, Dr. Adnan Salihu, kryetar i Kuvendit të Komunës në Bujanoc, Sami Saliu kryetar i Kuvendit të Komunës në Preshevë, Ardita Sinani, kryetare e Partisë për Veprim Demokratik në Preshevë, Ragmi Mustafa, kryetar i Partisë Demokratike Shqiptare në Preshevë, Shqipërim Jonuzi, kryetar i Lëvizjes së Progresit Demokratik, Nagip Arifi, kryetar i Partisë Demokratike në Luginë, Galip Beqir, ish-kryetar i Këshillit Kombëtar Shqiptar në Luginë, Enver Memeti, Këshilli Kombëtar Shqiptar, Armend Aliu, nënkryetar i Komunës së Preshevës e të tjerë.
Në fjalën përshëndetëse, Hoti ka sqaruar qëllimin dhe objektivat e Programit Nacional për Rininë. “Ky Program kontribuon posaçërisht në zhvillimin e dijes, shkathtësive në sport dhe në kreativitet kulturor e mendim kritik tek nxënësit pa dallim”, ka thënë Hoti, duke shtuar se nëpërmjet këtij programi, bashkimi kulturor dhe edukativ vetëm se ka ndodhur.
Në anën tjetër, të pranishmit biseduan për rëndësinë e takimeve të tilla ku mund të diskutohet hapur dhe në mënyrë konstruktive.
Ata e cilësuan këtë takim si një nismë shumë të qëlluar dhe mjaft domethënëse për të ardhmen e Luginës dhe në veçanti të nxënësve të kësaj ane.
Po ashtu uruan që takime të tilla të përbashkëta të organizohen më shpesh.
/Epoka e re/