Hoti në Luginë të Preshevës, diskuton për programin nacional për rininë
Koordinatori Nacional për Kulturë, Rini dhe Sport në Qeverinë e Republikës së Kosovës, Rexhep Hoti, gjatë vizitës zyrtare në Luginë të Preshevës ka takuar kryetarin e Partisë Demokratike Shqiptare, Ragmi Mustafa.
Hoti gjatë këtij takimi ishte i shoqëruar nga i ngarkuari me punë në Zyrën Ndërlidhëse të Kosovës në Serbi, Xhelal Shaqiri.
Në këtë takim u bisedua për Programin Nacional për Rininë dhe për gjendjen e shqiptarëve të Luginës së Preshevës.
Koordinatori Hoti ka shpalosur Programin Nacional për Rininë, për të cilin ka theksuar se është program konkret që do të ndikojë në përmirësimin e cilësisë së arsimit. “Programi Nacional për Rininë është hartuar mbi dy parime themelore: gjithëpërfshirjen dhe vijueshmërinë. Ka fokusin në tri gara: kreativitet kulturor dhe mendim kritik, dituri dhe sport. Çdo vend i parë në çdo kategori do të shpërblehet. Garat do të organizohen në nivel shkolle, komune dhe republike. Përmes këtij programi u ofrohet nxënësve të Luginës që në nivel republike të garojnë me nxënësit e Republikës së Kosovës”, ka thënë Hoti.
Ndërkaq kryetari Mustafa ka falënderuar koordinatorin Hoti që ka marrë hapa konkret për bashkëpunimin e shqiptarëve edhe jashtë shtetit të Kosovës. “Ky program është i shkëlqyer. Me realizimin e tij nxënësit e Luginës do të ndihen si pjesë e Kosovës, rrjedhimisht unë e shoh këtë si pikënisje të bashkimit tonë më Kosovën. Ky program konkret do të integrojë të rinjtë shqiptarë në Kosovë”, ka thënë Mustafa.
Programi Nacional për Rininë është hartuar për të gjithë nxënësit e të gjitha komuniteteve pa dallim.
Ndërkaq, Programi Ndërshtetëror për Rininë parasheh garat në nivel rajonal me shtetet tjera të rajonit.
/Epoka e re/