Koordinatori i Qendrës Kulturore të Kosovës në Bursa viziton kompaninë e Ujësjellësit “Prishtina”
Koordinatori nga Qendra Kulturore e Kosovës në Bursa të Turqisë, Recep Gunduz, e ka vizituar kompaninë Rajonale të Ujësjellësit “Prishtina” sh.a.
Gunduz u prit në këtë takim nga nga kryeshefi ekzekutiv i kompanisë Rajonale të Ujësjellësit “Prishtina”, Ilir Abdullahu ,dhe zëvendëskryeshefi Kujtim Xhelili.
Gunduz u njoftua nga afër me fabrikën më të re të ujit të pijshëm në Republikën e Kosovës fabrika në Shkabaj, gjendjen e përgjithshme të infrastrukturës aktuale të rrjetit të ujësjellësit, ujërave të zeza, furnizimin e qëndrueshëm me ujë të pijshëm për komunat në të cilat KRU “Prishtina” ofron shërbime të ujësjellësit dhe kanalizimit, projektet specifike zhvillimore, sfidat dhe vështirësitë me të cilat po përballet Ujësjellësi Rajonal “Prishtina”.
Ndër të tjerash, kryeshefi Abdullahu ka diskutuar edhe për teknologjinë e re të përpunimit të ujit në Shkabaj dhe foli për mundësitë për bashkëpunim me ujësjellësin e qytetit të Bursës së Republikës së Turqisë, duke treguar edhe për misionin konkret në realizimin e projekteve gjithëpërfshirëse të ujërave, gjithnjë në shërbim të konsumatorëve të vendit.
Koordinatori nga Qendra Kulturore e Kosovës në Bursa të Turqisë, Recep Gunduz, ka ofruar bashkëpunim për shkëmbim informacionesh dhe përvojash në mes të të dy ujësjellësve në të ardhmen e afërt.
KRU “Prishtina” ofron shërbime për ujësjellës dhe kanalizim në 40 për qind të territorit të Republikës së Kosovës, në gjithsej tetë komuna: Prishtinë, Fushë Kosovë, Obiliq, Shtime, Gracanicë, Lipjan, Podujevë dhe Drenas.
/Epoka e re/