KORABI – MALI I NDARË I MADHËSHTISË DHE I BUKURISË MAGJEPËSE

06 janar 2024 | 23:56

Shtegtime nëpër Atdhe (CCLXXV)

Shkruan: Berat Luzha

Korabi është mali i 18 më i lartë në Evropë, i katërti në Gadishullin Ilirik dhe më i larti i trojeve shqiptare. Shtrihet në drejtimin veri – jug midis qyteteve Dibër e Kukës, përgjatë kufirit të R. së Shqipërisë dhe R. së Maqedonisë. Kufizohet nga ana lindore me luginën e lumit Radika dhe në perëndim me luginën e Drinit të Zi, në gjatësi rreth 40 km. Ka 52 maja më të larta se 2000 metra dhe tri maja më të larta se 2700 metra. Maja më e lartë është Maja e Korabit, e lartë 2764 m., pastaj Porta e Korabit (2725 m) dhe Maja e Moravës (2716 m).
Korabi ngrihet madhështor drejt qiellit mbi Atdhe, me bukuritë e tij të panumërta natyrore; me maja, kreshpa e rrëpira, me gurë e shkëmbinj të thepisur vertikal, me pyje gjetherënëse, me kullota, rrëke, përrenj, lumenj e burime uji, me kanione e lugina të shumta, me liqene akullnajore e ujëvara spektakulare. Gjithashtu, ky mal njihet si një vend i paprekur nga dora e njeriut, një vend me florë e faunë të zhvilluar, një vend me dhjetëra monumente të natyrës, i shpallur “Parku Kombëtar i Korabit”, në R. e Shqipërisë dhe “Parku i Mavrovës” në R. e Maqedonisë.
Ngjitja në Malin e Korabit përshkohet nga shtigjet e vështira drejt majave të larta, që zgjatë disa orë. Si një masiv i thyer malor, si një vargmal me bukuri të rralla, mali i Korabit vizitohet dendur në çdo stinë nga alpinistë vendorë e të huaj, të cilët ngjiten deri në majën e tij më të lartë. Nga ana lindore ngjitja bëhet nga fshatrat e Rekës dhe nga fshati Strazimir, ndërsa nga ana perëndimore shkohet nga Radomira, një fshat i vogël turistik rrëzë Korabit, i përfshirë në projektin qeveritar “100 fshatrat e Shqipërisë”.
Fshati Radomirë po restaurohet e rigjallërohet, duke pritur vizitorë të shumtë. E rrethuar me pyje të pishave, ky fshat me ajër të freskët, burime uji të ftohtë, pyje e kullota, bagëtitë në kullotje, pamjet magjike, shtigjet malore, prodhimet blegtorale të cilësisë më të mirë është si një stacion para ngjitjes së vizitorëve në lartësitë e malit. Dhe, kur jemi këtu, seç na kujtohet ajo kënga, dikur shumë e popullarizuar, “Cucë e Radomirës”. Edhe Kalaja e Dodës është një portë dhe strehë për të gjithë ata që ia mësyjnë majave të Korabit të lartë.
Fusha e Korabit, e gjatë rreth 3 km, ka shërbyer në të kaluarën si një urë lidhëse mes Kalasë së Dodës dhe banorëve në anën e Maqedonisë dhe Kosovës. Duket një fushë e pafund në lartësi të malit, me kullosa të gjera e me burime uji të ftohtë. Gjatë verës kjo fushë mbushet me stane dhe tufa delesh. Fushës së Korabit vendorët i kanë kushtuar këngë e legjenda, siç është kënga e popullarizuar “Moj Fusha e Korabit”. Ndërsa Fusha e Panairit shtrihet si një qilim gjigant me lule gjithfarëshe e shumëngjyrëshe, kurse Bjeshka e Zonjave është një kullotë e gjerë alpine me Liqenin e Gramës në mes.
Rrjeti ujor i Malit të Korabit është shumë i pasur me lumenj, përrenj, liqene. Lumenjtë e përrenjtë kanë rrjedhë të shpejtë nëpër kanione e lugina malesh. Janë tetë liqene alpine, me liqenin më të madh, Liqenin e Korabit, që ndodhet në lartësi 2470 metra, pastaj është Kroi ose Shatërvani i Mbretit, lumi Përroi i Thatë etj. Ujëvara e Lumit të Thellë është ujëvara më e lartë në Gadishullin Ilirik, e cila rrjedhë nga lartësia 130 metra.
Të futesh në Malin e Korabit do të thotë të futesh mes bukurive magjike, ku gjen një natyrë të egër, të ashpër e të paprekur, ajrin e pastër të përzier me aromën e luleve, ujin e ftohtë e të freskët nga burime të shumta malore, gatimet tradicionale dhe prodhimet blegtorale, njerëzit e besës, të bujarisë e të mikpritjes, si dhe bujtinat e ngrohta, si stacione çlodhëse të turistëve, alpinistëve e vizitorëve të shumtë, para se ata të ngjiten majave të malit për t’i prekur retë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Skuadra e KB Trepçës ka shënuar fitore të madhe në…