Koreja e Jugut redukton javën e punës
01 mars 2018
| 12:26
Punonjësit në një prej vendeve aziatike ku punohet më shumë, shpesh jashtë çdo norme, më në fund do të marrin një pushim të merituar.
Koreja e Jugut ka miratuar një ligj që redukton javën e punës, në përpjekje për të përmirësuar cilësinë e jetës dhe për të rritur punësimin.
Parlamenti koreano-jugor ka miratuar me shumicë dërrmuese votash reduktimin e javës së punës, nga 68 orë në 52.
Ligji hyn në fuqi në muajin korrik dhe prek fillimisht kompanitë e mëdha, ndërsa pas pak muajsh do të aplikohet edhe në bizneset e vogla.
Reduktimi i javës së punës ishte një premtim elektoral i presidentit Moon Jae-in, i cili ka siguruar gjithashtu një rritje prej 16% të pagës minimale.