
Koreja e Veriut do t’i ndërpresë të gjitha linjat e komunikimit me Jugun
Koreja e Veriut ka njoftuar se do t’i ndërpresë të gjitha linjat e komunikimit me Jugun, përfshirë edhe atë direkt mes dy liderëve.
Thirrjet e përditshme, të cilat janë realizuar në një zyrë ndërlidhëse në qytetin kufitar të Koresë së Veriut, Kaesong, do të pushojnë nga sot, ka njoftuar agjencia verikoreane e lajmeve “KCNA”.
Sipas saj, kanalet e komunikimit ushtarak do të ndërpriten gjithashtu.
Duke e përshkruar jugun si “armiku”, agjencia thotë se njerëzit e Koresë së Veriut “janë zemëruar nga sjellja e pabesë dhe dinake te autoriteteve të Koresë së Jugut, me të cilat kemi shumë çështje për të zgjidhur”.
Dy Koretë janë teknikisht në luftë, sepse konflikti i tyre i viteve 1950-1953 ka përfunduar me armëpushim dhe jo me traktat paqeje.
Raporti i “KCNA” akuzoi po ashtu autoritetet e Koresë së Jugut se “në mënyrë të papërgjegjshme i lejojnë dezertorët të dëmtojnë dinjitetin e udhëheqjes supreme të Koresë së Veriut”.
Koreja e Jugut nuk ka dalë ende me ndonjë reagim.