Koreja e Veriut do t’i shkatërrojë armët bërthamore deri në janarin e vitit 2021
Udhëheqësi i Phenianit, Kim Jong Un, bëri të ditur se synon largimin e armëve bërthamore nga gadishulli Korean deri në fund të mandatit të parë të Presidentit amerikan Donald Trump, në fillim të vitit 2021, gjë që u përshëndet nga udhëheqësi amerikan.
Kohët e fundit bisedimet për çarmatimin bërthamor të Phenianit ishin ndërprerë dhe muajin e kaluar presidenti Trump urdhëroi Sekretarin e Shtetit Mike Pompeo të anulonte një udhëtim në Korenë e Veriut.
Zoti Trump e përshëndeti deklaratën e së enjtes të udhëheqësit të Phenianit Kim. Në një postim në Twitter ai shkruante “Kim Jong Un-i i Koresë së Veriut tregoi besim të patundur tek Presidenti Trump. Faleminderit kryetarit Kim, do ta bëjmë së bashku!”
Nuk ka ende një njoftim për nisjen e bisedimeve të reja mes Phenianit dhe Uashingtonit. Zoti Pompeo, i cili ndodhet për vizitë në Indi, ofroi një vlerësim më të matur të gjendjes në të cilën ndodhen bisedimet për çarmatimin bërthamor të gadishullit korean.
Diplomati më i lartë amerikan vlerësoi Phenianin për ndaljen e provave bërthamore apo raketore që nga qershori, por e cilësoi atë si “i vetmi vend që ka angazhime nën rezolutat e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara për t’i dhënë fund programit të armëve bërthamore”.
“Ne do të vazhdojmë të punojmë me ta për të dhënë rezultat…në përputhje me rezolutat e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkura dhe që kryetari Kim të mbajë premtimin që i ka bërë Presidentit Trump në Singapor më 12 qershor” tha ai.
Por zoti Pompeo shtoi gjithashtu se: “ka ende shumë punë për të bërë. Nuk ka patur asnjë provë bërthamore, asnjë provë me raketa, që ne e konsiderojmë një gjë të mrekullueshme. Por puna për të bindur kryetarin Kim për të bërë ndryshimin strategjik për të cilin biseduam, për një të ardhme më të ndritur për njerëzit e Koresë së Veriut, vazhdon”, tha ai.
Komentet e presidentit Trump dhe sekretarit Pompeo u bënë pas njoftimit se udhëheqësit e dy Koreve do të zhvillojnë në Phenian takimin e tretë mes tyre, prej datës 18 deri më 20 shtator.
Data u njoftua të enjten në Seul nga Chung Eui-yong, këshilltari për Sigurinë Kombëtare i Presidentit të Koresë së Jugut, Moon Jae-in, një ditë pas kthimit nga Pheniani ku ndodhej për vizitë zyrtare me qëllim finalizimin e marrëveshjes. Zoti Chung tha se Presidenti Moon dhe udhëheqësi i Phenianit Kim Jong Un do të përqëndrohen në masa specifike për të arritur tek çarmatimi bërthamor.
Ai i dorëzoi gjithashtu udhëheqësit të Koresë së Veriut një letër nga presidenti Moon,.
Në një deklaratë të enjten të Agjencisë zyrtare të Koresë së Veriut thuhej se “Kim Jong Un-i ka vullnetin për të larguar tërësisht rrezikun e konfliktit të armatosur dhe tmerrin e luftës nga gadishulli Korean dhe ta kthejnë atë në djepin e paqes pa armë dhe kërcënim bërthamor”.
Takimi do të jetë i treti që mbahet këtë vit mes udhëheqësve të dy Koreve. Takimet e para u mbajtën në Panmunxhon, në atë që njihet si fshati i armëpushimit në zonën kufitare që ndan veriun autokrat nga jugu demokratik.
Bisedimet vijnë gjatë një periudhe ngërçi që vlon mes Phenianit dhe Uashingtonit lidhur me ritmin që po ndjek Koreja e Veriut për t’i dhënë fund programit të saj të armëve bërthamore, gjë për të cilën dy palët ranë dakord gjatë takimit historik mes presidentit Donald Trump dhe udhëheqësit të Phenianit Kim Jong Un.
Ishte pikërisht kjo situatë ngërçi që detyroi Presidentin Trump të anulojë udhëtimin e sekretarit amerikan të Shtetit Mike Pompeo në Korenë e Veriut muajin e kaluar. /VoA