Koreja e Veriut dyshohet se ka testuar dy raketa
Ushtria e Koresë Jugore ka thënë se Koreja Veriore dyshohet se ka testuar dy raketa, në më pak se një javë prej kur lideri verikorean, Kim Jong-Un ka vëzhguar testimin e një vargu raketash tjera.
Zyra e Koresë Jugore ka thënë më 9 maj se raketat janë lëshuar në mëngjesin e së enjtes, dhe ka mundësi të jenë raketa me rreze të shkurtër veprimi.
Pretendohet se raketa e parë ka përshkuar 420 kilometra derisa e dyta 270 kilometra.
Autoritetet jugkoreane kanë thënë se detajet tjera janë duke u analizuar së bashku me autoritetet amerikane të inteligjencës.
Tensionet në Gadishullim Korean janë rritur më 4 maj, kur Koreja Veriore ka testuar disa raketa dhe të paktën njëra ka qenë me rreze të shkurtër veprimi, raporton “Rel”.
Po ky shtet ka kritikuar më 8 maj Shtetet e Bashkuara dhe Korenë Jugore duke thënë se testimet e fundit kanë qenë stërvitje “për mbrojtje” dhe ka kundërshtuar deklaratat se ato testime kanë qenë akt provokues.
Koreja Jugore në anën tjetër ka kërkuar që të ndalen këto veprime që mund të përshkallëzojnë tensionet ushtarake.
Presidenti amerikan, Donald Trump, ka takuar dy herë udhëheqësin verikorean, Kim Jong Un, por bisedimet e fundit, në muajin shkurt, kanë dështuar, pasi Shtetet e Bashkuara kanë refuzuar kërkesat e verikoreanëve për të hequr sanksionet ndaj shtetit të tyre, në këmbim të kufizimit të programit bërthamor.