Koreja e Veriut, e gatshme për të rinisur bisedimet me ShBA-në
Koreja e Veriut është e gatshme të rinisë bisedimet për çarmatosjen bërthamore me Shtetet e Bashkuara, ka thënë zëvendësministrja e Jashtme e këtij vendi.
Choe Son-hui ka thënë se verikoreanët janë të gatshëm të rifillojnë diskutimet “gjithëpërfshirëse” në një mjedis të dakorduar nga të dyja palët.
Deklarata e saj ka ardhur pasi sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo, ka shfaqur shpresën për rinisjen e bisedimeve.
Pak orë pas deklartës së Choe, është raportuar se dy raketa me rreze të shkurtër u lëshuan nga Koreja e Veriut.
Ushtria e Koresë së Jugut ka thënë se raketat u hodhën nga provinca Pjongan dhe se fluturuan nëpër të gjithë vendin përpara se të binin në det.
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka thënë se njoftimi i Koresë së Veriut është “interesant”.
Trumpi dhe udhëheqësi verikorean, Kim Jong Un, janë pajtuar më 30 qershor për rinisjen e bisedimeve, të cilat kanë ngecur që nga takimi i tyre i dështuar në muajin shkurt.
Atëbotë, Trumpi e ka kundërshtuar kërkesën e Kimit për lehtësimin e sanksioneve në këmbim të çarmatimit të pjesshëm bërthamor.
Koreja e Veriut ka kryer disa teste raketash qëkur Trump ka folur për herë të fundit me Kimin në qershor.