Koreja e Veriut refuzon vaksinat
Koreja e Veriut ka kërkuar që gati tre milionë vaksinat që i janë ofruar për të luftuar koronavirusin, të dërgohen diku tjetër.
Një zëdhënës i Kombeve të Bashkuar, ka thënë se Phenjani kërkoi që ato të dërgohen në vende më të goditura, për shkak të mungesave globale të vaksinave.
Programi COVAX i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSh) i ka ofruar shtetit komunist vaksina kineze “Sinovac”.
OBSh-ja ka thënë se, deri më 19 gusht, Koreja e Veriut nuk ka regjistruar asnjë rast me koronavirus.
Rreth 37 000 njerëz, përfshirë punonjës të kujdesit shëndetësor, janë testuar dhe të gjithë kanë dalë negativë, ka thënë OBSh-ja në raportin e saj javor për situatën.
Koreja e Veriut ka vendosur masa të rrepta kundër koronavirusit që nga fillimi i pandemisë.
Ajo ka qenë ndër vendet e para që ka mbyllur kufijtë në janar të vitit të kaluar.