Koreja e Veriut shënon 73-vjetorin e themelimit
Koreja e Veriut ka festuar 73-vjetorin e themelimit të saj me një paradë ushtarake gjatë natës në kryeqytet, kanë njoftuar mediet shtetërore, duke publikuar fotografi të rreshtave të personelit marshues me kostume portokalli ‘hazmat’, por pa raketa balistike.
Në ceremoninë që u mbajt në sheshin “Kim Il Sung” të kryeqytetit Phenian ka marrë pjesë edhe udhëheqësi, Kim Jong Un.
Në të kaluarën, Koreja e Veriut i ka përdorur paradat ushtarake për të shfaqur sisteme të reja të armatimit dhe raketave, por këtë herë nuk ndodhi.
“Rodong Sinmun”, gazeta e Partisë Punëtore në pushtet, publikoi fotografi të njerëzve me kostume ngjyrë portokalli me maska, në simbol të përpjekjeve kundër Covid-19.
Armët tradicionale ishin gjithashtu të ekspozuara, duke përfshirë raketa të shumta dhe traktorë që mbanin raketa anti-tank.
Por asnjë raketë balistike nuk u pa apo u përmend në raporte, dhe Kim nuk mbajti asnjë fjalim, ndryshe nga tetori i kaluar kur u mburr me aftësitë bërthamore të vendit dhe shfaqi raketat balistike ndërkontinentale të padukshme më parë gjatë një parade ushtarake para agimit.
Ekspertët për situatën në Korenë e Veriut vunë re se Kim Jong Un kishte humbur peshë, por dukej më i shëndetshëm.