Koreja e Veriut thotë se testimi i raketave ishte paralajmërim për Korenë e Jugut
Koreja e Veriut e ka quajtur testin e dy raketave të reja, një “paralajmërim solemn” kundër “luftënxitësve në Korenë e Jugut”.
Raketat me rreze të shkurtër janë lëshuar në Detin e Japonisë, i njohur edhe si Deti Lindor, nga Wonsan në bregun lindor të Koresë së Veriut.
Udhëheqësi, Kim Jong-un, ka thënë se vendi i tij ishte i detyruar të zhvillonte armë për “eliminimin e kërcënimeve të mundshme dhe të drejtpërdrejta”.
Ai ka thënë se testi përfshinte një sistem të ri të armatimit taktik.
Komentet e Kimit, të raportuara në mediet shtetërore, vijnë pasi Veriu kritikoi një vendim nga Koreja e Jugut dhe ShBA-ja, për të mbajtur stërvitje ushtarake muajin e ardhshëm.
Koreja e Veriut e ka konsideruar stërvitjen si përgatitje për një pushtim.
Ky është testi i parë që nga takimi i udhëheqësit, Kim Jong Un dhe presidentit të ShBA-së, Donald Trump në Zonën e De-Militarizuar, një zonë që ndan Korenë e Jugut me atë të Veriut.
Rreth 29.000 ushtarë amerikanë janë të vendosur në Korenë e Jugut, sipas një marrëveshjeje të sigurisë të arritur pas përfundimit të luftës në vitin 1953.