Koreja e Veriut thotë se testoi raketën Hwasong-19

01 nëntor 2024 | 09:22

Koreja e Veriut u përpoq t’i shfaqë muskujt duke e testuar një raketë të re balistike ndërkontinentale (ICBM) një ditë më parë. Mediat shtetërore të Veriut raportuan të premten se raketa e testuar ishte me lëndë djegëse të ngurtë, Hwasong-19.

Raketa e lëshuar të enjten fluturoi më lartë se çdo raketë koreanoveriore deri më sot, sipas Koresë së Veriut, por edhe sipas ushtrive të Koresë së Jugut dhe Japonisë, të cilat e gjurmuan fluturimin e saj drejt hapësirës, para se ajo të binte në oqean mes Japonisë dhe Rusisë.

Agjencia shtetërore të lajmeve e Veriut, KCNA e lartësoi atë si “raketa më e madhe strategjike në botë”.

Derisa vazhdon të ketë dyshime për aftësitë e Koresë së Veriut për ta drejtuar një raketë të tillë dhe për ta mbrojtur kokën e saj bërthamore teksa ajo futet në atmosferë, Hwasong-19, sikurse raketat më të fundit ICBM të Koresë së Veriut, dëshmoi se mund ta arrijë cakun pothuajse kudo në Shtetet e Bashkuara.

“Lloji i ri i ICBM-së dëshmoi para botës se pozita mbizotëruese, që e kemi siguruar në zhvillimin dhe prodhimin e mjeteve bërthamore të llojit të njëjtë, është plotësisht e papërmbysshme”, tha lideri i Koresë së Veriut, Kim Jong Un, i cili e mbikëqyri testimin, tha KCNA.

Shtetet e Bashkuara, Koreja e Jugut dhe Japonia e identifikuan raketën si ICBM dhe e dënuan lëshimin e saj, duke thënë se rrit tensionet.

Shefat e Shtabit të Përbashkët të Koresë së Jugut (JCS) thanë se Koreja e Veriut mund ta ketë testuar një raketë të re balistike me rreze të gjatë, të furnizuar me lëndë të ngurtë djegëse.

Zëdhënësi i JCS, Lee Sung Joon, tha se lëshimi mund të jetë bërë për t’i dhënë Koresë së Veriut një pozicion më të fortë në negociatat e ardhshme dhe se është planifikuar në kohë për zgjedhjet amerikane, raporton REL.

Zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare të SHBA-së, Sean Savett, e cilësoi lëshimin e raketës si “shkelje flagrante” të shumë rezolutave të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, dhe tha se ajo “rrit tensionet pa nevojë dhe rrezikon destabilizimin e sigurisë në rajon”.

Savett tha se SHBA-ja do t’i marrë të gjitha masat e nevojshme për të garantuar sigurinë e territorit amerikan dhe të aleatëve të saj, Koresë së Jugut dhe Japonisë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Incidenti i zjarrvënies që u raportua javën e kaluar në…