Koreja Veriore nis çmontimin e një objekti të raketave balistike
Imazhet satelitore, të para nga grupi i monitoruesve në ShBA “38 North”, tregojnë se Koreja e Veriut ka nisur çmontimin e disa objekteve kyçe në vend, që janë përdorur për zhvillimin e motorëve të raketave balistike.
Një gjë e tillë shihet si hapi i parë drejt përmbushjes së premtimit që lideri verikorean, Kim Jong Un, i ka bërë presidentit amerikan, Donlad Trump, në muajin qershor.
Dy liderët janë takuar në Singapor, ndërsa Trumpi ka thënë atëbotë se Kimi ka premtuar se do të shkatërrojë një objekt të motorëve raketorë “shumë shpejt”.
Trumpi nuk e ka identifikuar objektin, por një zyrtar amerikan i ka thënë agjencisë “Reuters” së bëhet fjalë për lokacionin Sohae, në veriperëndim të Koresë së Veriut.
Trumpi dhe Kimi, në takimin e tyre historik, kanë nënshkruar edhe një marrëveshje për denuklearizimin e plotë të Gadishullit Korean, por ajo është kritikuar për mungesë të detajeve se kur Phenjani do të heqë dorë nga armët bërthamore.