Koreja Veriore testoi një raketë hipersonike
Mediet shtetërore në Korenë Veriore raportuan se ky shtet ka testuar me sukses një raketë hipersonike të mërkurën. Agjencia KCNA tha se raketa e ka goditur me saktësi cakun në largësi prej 700 kilometrash.
Ky është testimi i dytë i raportuar i një rakete hipersonike, që mund t’i shmanget zbulimit për një kohë më të gjatë se raketat balistike, shkruan BBC, përcjell Gazeta Express.
Koreja Veriore ka testuar disa lloje të raketave vitin e kaluar, në kohën kur bisedimet me Korenë Jugore dhe Shtetet e Bashkuara kanë ngecur. Udhëheqësi i shtetit komunist, Kim Jong-un, më herët është zotuar se do t’i forcojë sistemet mbrojtëse të vendit të tij.
Shteti i izoluar aziatik i është bashkuar një numri të vogël vendesh, përfshirë Shtetet e Bashkuara dhe Kinën, në përpjekje për të zhvilluar raketa hipersonike.
Testimi i fundit i raketës u hetua së pari nga roja bregdetare japoneze të mërkurën herët, para se të konfirmohej nga autoritetet e mbrojtjes në Korenë Jugore.