Korenica: Synimi i Lirisë, kupa
Meriton Korenica ka bërë me dije se Liria synim kryesor në edicionin 2017/2018 ka të triumfojë në garën e kupës, kurse për kampionat synon njërën prej pozitave të larta. “Objektiva tonat mbeten kupa dhe pjesa e epërme e tabelës. Pse jo edhe titulli! Distanca me pikë mund të ‘shkrihet’ lehtë”, ka thënë Meriton Korenica.
Kapiteni i skuadrës së futbollit Liria nga Prizreni, Meriton Korenica, ka thënë se paraqitjet e skuadrës së tij në sezonin vjeshtor mund të vlerësohen pozitive. Lojtari në fjalë për shkak të lëndimit u mungoi prizrenasve në shtatë ndeshje por, pas rikthimit, është shndërruar në bartës të lojës, duke shënuar edhe tri gola.
“Mund të them se Liria ka pasur paraqitje të suksesshme. Kemi mundur të kemi edhe disa pikë më shumë, por fati në disa ndeshje nuk ishte në anën tonë. Pësuam gola në kohën shtesë. Po ashtu, kemi pasur edhe lëndime të shumta. Vlen të ceket mungesa e gjatë e Zekës. Kur marrim parasysh të gjithë faktorët, mund të vijmë në përfundim se Liria e ka nxjerrë maksimumin”, ka thënë Korenica për faqen zyrtare të skuadrës së Lirisë.
Duke folur për objektivat në sezonin pranveror, Korenica ka treguar se synim kryesor mbetet triumfi në garën e kupës.
“Stinori pranveror gjithnjë ngjallë më shumë interes për klubet. Andaj, pres përplasje të madhe si për luftën për mbijetesë, po ashtu edhe për atë për titull. Nuk duhet harruar as garën e kupës. Objektiva tonat mbeten kupa dhe pjesa e epërme e tabelës. Pse jo edhe titulli! Dallimi me pikë mund të ‘shkrihet’ lehtë. Do të punojmë edhe më shumë vitin që vjen. Dhe, me ndonjë përforcim, bordi i klubit besoj ta sjellë edhe ruajtjen e kësaj kompaktësie. Do të jemi edhe më të fortë dhe suksesi do të vijë vetvetiu”, ka shtuar Korenica, i cili është pjesë e U-21 të Kosovës.
Skuadra e Lirisë sezonin vjeshtor e mbylli në pozitën e pestë me 28 pikë të grumbulluara, gjashtë pikë më pak se skuadra lidere, Llapi.
Redaksia online
(e.r. / epokaere.com)